Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri duke festuar me shqiponjë pas golave Foto:Laurent Gillieron/EPA

Rruga e shqiponjave

A nuk po krenohemi, a nuk po ndjehemi të gjallë kur po shohim shqiptar të suksesshëm?

A nuk po festojmë si të çmendur kur ata po arrijnë suksese jashtë vendit?

Kësaj radhe e kam fjalën për sport, sidomos për futboll aty ku të gjithë i kemi sytë këto ditë pas paraqitjeve të fundit të lojtarëve shqiptar në përfaqësuesen Zvicerane. Ndjenjat tona arritën kulmin. Aq krenar e patriot, aq me entuziazëm festuam. Ah sikur të kishim këtë entuziazëm, këtë krenari të punonim brenda, brenda në futbollin e Kosovës.

Një gjë ta dini, Xhaka, Shaqiri e Behrami nuk u krijuan si lojtar shkaku i talentit, e as pse kishin kushtet në Zvicër (po kushtet ndikuan), ishin një sërë elementësh, por puna ishte shkaktari kryesor.

A jemi ne si Kosovë në rrugën e duhur?

Dyshoj! Ishim ne, që torturuam dhe desh e humbëm Majlindën. Sikur nuk mjaftoi Serbia që ne të humbasnim gjenerata sportistësh, ne nuk punuam sa e qysh duhet pas luftës. Por, ku mbeti dëshira e atyre që thanë se do punonin vetëm të ishin të lirë? Duke mos punuar sic duhet po ua mohojmë rrugën e duhur edhe shumë Shaqira-ve e Xhaka-ve me mos krijim të kushteve e me politika anti sportive.

Ah sikur të funksiononin të gjithë mekanizmat, institucionet, individët në mënyrë patriotike do ishim shembull në Ballkan. Edhe pse nuk mund të bëhemi asnjëherë Zvicërr e Gjermani, prap Kosova do ishte një model i vogël pune e dëshire për të ndryshuar e vazhduar tutje, e jo për të ecur mbrapa.

Ku mbetën fushat e premtuara nga kryetar komunash, institucione të sportit dhe lider institucional. Shumë herë kemi dëgjuar premtime për ndryshimin e ligjeve me qëllim që bizneset që sponsorizojnë klubeve sportive të kenë lehtësira.

E vetmja gjë që e menduam ditën që u pranuam në UEFA dhe FIFA ishte se ata do vinë tek ne dhe do ndërtonin fusha futbolli pasi ne jemi Brazili i Ballkanit, siç deklarojnë disa ekspert kafenesh futbolli.

FIFA një ditë apo siç thuhet diku pas katër vitesh edhe do ndërtoj fusha futbolli në Kosovë, por ka edhe gjasa ne do i shkatërrojmë para kohës dhe nuk do i mirëmbajmë si duhet. Të gjithë besoj e keni dëgjuar rastin e profesorit kur në ditën e parë në fakultet u drejtohet studenteve me fjalët ”të gjithë nga ky moment e keni dhjetëshe, tani është detyra juaj ta mbroni atë”.                  Të jesh anëtar i Fifës s’do të thotë vetëm ndërtimi i disa fushave, po të ishte vetëm për anën financiare vendi ynë ka pasur disa mundësi për të ndërtuar por atë se bënë, poashtu edhe ata që shpesh tentuan të ndryshonin gjërat hasën në vështirësi e ende po hasin.

Duke qenë pjesë e FIFA-së, Kosova nuk përfiton vetëm në aspektin financiar dhe atë të ndërtimit të infrastrukturës, siç janë stadiumet. Një nga përftimet e mundshme nga FIFA është edukimi, trajnimet për kategori të ndryshme, marrja e përvojave dhe mënyrave se si të punohet. Neve na është hapur një derë e re dhe duhet të jemi të gatshëm të mësojmë, të ndryshojmë e jo të vazhdojmë ashtu siç dëshirojmë ne, pasi në shumicën e rasteve zgjedhim mënyrën më të lehtë e që nuk është rruga e duhur. Futbolli dhe sporti në përgjithësi ka nevojë për përkrahje shtetërore tashmë, duke qenë plotësisht mirënjohës ndaj atyre që ia kushtuan jetën dhe pasurinë private sportit.

Përkundër historisë jo të mirë, nuk duhet të jemi pesimist. Mbeten rrugë e gjatë, për të cilën duhet vullnet e punë e shumë personave që të arrihet deri te festimi me shqiponjë si Xhaka e Shaqiri. Topi është në anën tonë, se si do vazhdojmë të luajmë mbetet të shihet.

Autori është trajner i futbollit.