Rruga e ‘Ftyrës’ deri te pushteti mbi tapitë

Ish-ushtari i zv.kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, është zgjedhur drejtor i Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.

Naser Shala, i njohur gjatë luftës me nofkën “Ftyra” është zgjedhur në këtë pozitë me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e 28 shkurtit.

Zgjedhja e “Ftyrës” në krye të kësaj Agjencie ishte në kundërshtim me memorandumin që kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari, Kadri Veseli kishin nënshkruar me Ambasadën britanike në Prishtinë.

Në memorandum, Haradinaj e Veseli zotohen se do të marrin parasysh rekomandimet e kompanisë britanike. Ambasada britanike paguan qindra mijëra euro për t’i ofruar asistencë institucioneve për emërimin e pozitave të larta drejtuese, por këto të fundit nuk po i përfillin rekomandimet e britanikëve.

BDO-ja kishte vlerësuar se vetëm Florije Kika ishte e emërueshme, gjegjësisht i plotësonte kushtet për të drejtuar këtë Agjenci shumë të rëndësishme për Kosovën.

Përkundër që Kika ishte kandidatja e vetme e suksesshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia dhanë besimin.

Shala arriti të marrë votat e 50 deputetëve, ndërsa Florije Kika mori vetëm 22 vota.

Kjo nuk është hera e parë që Shala ia kishte mësyrë kësaj Agjencie.

Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës me votë të fshehtë kishte votuar për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës edhe në seancën e 3 majit të vitit 2018. Në garë ishin Naser Shala, që kishte marrë 46 vota dhe Florije Kika, që kishte marrë mbështetje nga 40 deputetë. Por asnjëri nga kandidatët nuk kishte dalë fitues dhe konkursi duhej të përsëritej.

Propozimi i Naser Shalës për këtë pozitë kishte ardhur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, i ka pranuar këto propozime të kryeministrit dhe i ka trajtuar.

Agjencia për Krahasime dhe Verifikim të Pronës ka rol kyç në krahasimin e kadastrave që kanë ardhur nga Serbia me ato që aktualisht operojnë institucionet e Kosovës.

Librat kadastralë të vendit janë ndryshuar në shumë raste pas luftës. Dhjetëra prona të ndërmarrjeve shoqërore janë tjetërsuar në procese të dyshimta në librat kadastralë, ndërsa krahasimi i tyre me librat e marra nga Serbia do ta bëjë Agjencia e drejtuar nga Naser Shala.

Njëri nga rastet më të mëdha të falsifikimit të tokave është ai ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Azem Syla. Ish-komandanti i përgjithshëm i “Ftyrës” është duke u gjykuar për disa raste ku pronat e serbëve janë tjetërsuar dhe u është ndërruar lokacioni.

Emrat e propozuar shkuan në seancë pa përkrahjen e Komisionit

Komisioni për Legjislacion nuk e ka përkrahur listën me persona të propozuar për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Kundërshtime për propozim-vendimin e Qeverisë me kandidatët për drejtor dhe zëvendësdrejtor kanë ardhur për shkak të lidhjeve të kandidatëve me politikën.

Kryesuesja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se nuk e ka përkrahur propozimin e Qeverisë për drejtor të Sekretariatit të AKVP-së duke u arsyetuar në, siç tha, veprimet e tij pas luftës.

“Është bërë e zakonshme për me thënë pse po e kritikon. Unë kam respekt për secilin ushtar por s’kam respekt ndaj atyre që e kanë shfrytëzuar për t’u pasuruar. Është një person që s’ka integritet as profesional, as moral. Propozimi është bërë me nënshkrimin e zotit Haradinaj”, tha Haxhiu.

Shkumbim Demaliaj ka reaguar ndaj deklaratave të Haxhiut, duke kërkuar që mos të degradohen personalitetet.

“Nuk jemi ne ata që vendosim kush është kush, çka ka bo në luftë dhe pas lufte”, kishte thënë Demaliaj.

Korab Sejdiu, deputet i pavarur, ka deklaruar se emrat e propozuar janë politikë.

“Nuk dua të lëshohem te kandidatët, por janë të dërguar politikë që është fatkeqësi e madhe. Duhet me ardhë te një moment ku duhet me thanë a është kandidati i aftë se kështu po dëmtohemi”, tha Sejdiu.

Nezir Çoçaj i PDK-së i ka dalë në mbrojtje Naser Shalës. Ka thënë se Komisioni parlamentar ka për obligim të deklarohet a janë pro apo kundër, por jo që t’ia bëjnë gjyqin kandidatëve.

“Është mirë mos me bo etiketime të tilla sidomos për zotin Shala. Nuk është mirë në këtë mënyrë të sulmohen njerëzit”, shtoi Çoçaj.

Arben Gashi (LDK) ka thënë se Komisioni ka mundësi që t’i rekomandojë seancës që mos të emërohen personat e propozuar, nëse ka dyshime për përvojën e tyre të punës.

Këta emra janë dërguar për votim në seancën e Kuvendit pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion.

Britanikët të pakënaqur me zgjedhjen e ‘Ftyrës’ në krye të Agjencisë së Pronës

Ambasada britanike në Kosovë ka reaguar në lidhje me emërimin e ish-ushtarit të Limajt, Naser Shalës, në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës (AKKVP).

“Ambasada Britanike në Prishtinë shpreh keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Naser Shalës si Shef i Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.

Projekti i Mbështetjes së Ambasadës Britanike për Projektin e Rekrutimit Publik dy herë mbështeti procesin për rekrutimin e Shefit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Procesi i parë u anulua nga Kuvendi.

“Procesi i dytë i rekrutimit u krye në mënyrë transparente dhe meritokratike, u identifikua vetëm një kandidat që plotësonte kriteret për emërim. Raportet e rekrutimit, të prodhuara nga partneri zbatues i projektit, u ndanë me të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovë”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Sipas këtij reagimi, kandidati që e kanë rekomanduar Ambasada nuk i mori votat në Kuvend, duke thënë se është shkelje e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Ambasadës dhe Kuvendit.

“Fatkeqësisht, javën e kaluar Kuvendi dështoi të zgjidhte kandidatin e vetëm të identifikuar si përmbushjen e kritereve për emërim dhe në vend të kësaj emëroi një kandidat i cili nuk u konsiderua i emërueshëm sipas vlerësimit profesional. Kjo është një shkelje e qartë e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës”, vazhdon reagimi.

Sipas tyre, zgjedhja e një kandidati që nuk konsiderohej si i emërueshëm në këtë rast, institucionet kanë treguar jo vetëm një mungesë angazhimi në zbatimin e projektit të përbashkët, por gjithashtu, kanë treguar mungesë të përkushtimit ndaj mandatit dhe punës së AKKVP-së.

Po ashtu, Ambasada britanike thotë se emërimi i Shalës vë në pikëpyetje nëse shumica e Kuvendit të Kosovës ka vullnetin politik për të zbatuar emërimet meritokratike.

Po ashtu është njoftuar se ambasadori britanik ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si kryetar i Bordit të AKKVP-së.

“Si rezultat i këtij vendimi të pafat, Ambasadori britanik ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si Kryetar i Bordit të AKKVP. Letra e tij e dorëheqjes i është dërguar Përfaqësuesit Special të BE-së. Ai falënderon udhëheqjen aktuale dhe stafin e AKKVP për profesionalizmin dhe përkushtimin e palëkundur gjatë mandatit të tij në Bordin, dhe i dëshiron ato dhe organizatës çdo sukses në të ardhmen”, përfundon reagimi.

Kush është ‘Ftyra’?  

Naser Shala gjatë luftës ka qenë i njohur me nofkën “Ftyra”. Ai shihet në një fotografi të bërë gjatë luftës si roje e komandantëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Fatmir Limajt dhe Sylejman Selimit, derisa këta tre mbajnë një konferencë për shtyp në një ambient të hapur.

Naser Shala ka qenë i akuzuar më 25 korrik 2011 së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”.

Gjykata Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2013 kishte vendosur që Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij në rastin Kleçka të shpallen të pafajshëm. Limaj me shokët e tij ishte liruar një herë për Kleçkën në pranverën e vitit 2012, por në vjeshtën e të njëjtit vit kjo lëndë u rikthye në rigjykim nga Gjykata Supreme. Ata u liruan nga të gjitha pikat e akuzës me të cilat ngarkoheshin.

Ndërsa në maj të vitit 2017, Gjykata Supreme përfundimisht kishte vërtetuar pafajësinë e Fatmir Limajt dhe të tjerëve të akuzuar në rastin “Kleçka”.

Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e ushtruar nga prokurori i EULEX-it është refuzuar ndërsa aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është vërtetuar.

Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 26 janar 2016 refuzoi si të pabazuar ankesën e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 17 shtator 2013.

Përveç Limajt, pjesë e aktakuzës ishin edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Gazeta JNK, kishte siguruar CV-të e kandidatëve të propozuar në Kuvend nga kryeministri.

Bazuar në CV-në e tij, Naser Shala që nga tetori i vitit 2017 ishte menaxher i furnizimit të shitjes në ‘Potreloum Coke Kosovo’ në Prishtinë. Pozitë të njëjtë kishte pasur edhe në ‘Team Oli Sh.P.K’ si menaxher i furnizimit, nga marsi deri në tetor të 2017.

Shala, nga janari i vitit 2004 deri në janar 2017 ka mbajtur pozitën menaxher kryesor në Barnatoren Qendrore, QKUK.

Ai është ekonomist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës.

Kundërkandidatja Florije Kika ka punuar në Agjencinë e Pronës që nga viti 2009. Kjo Agjenci e ka ndërruar emrin së fundmi. Nga korriku i vitit 2014 është U.D zëvendësdrejtore / drejtore ekzekutive në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Kika është juriste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Për drejtimin e juridikut është e diplomuar edhe në nivelin Master. Ndërkaq, ka përfunduar edhe provimin e Jurisprudencës.

Nga nëntori 2010 deri në korrik 2014, krye-sekretare e Implementimit në Agjencinë Kosovare të Pronës. Nga prilli i vitit 2009  deri në tetor 2010 ka qenë udhëheqëse ekipi / Njësia e Mbylljes në AKP.

Nga maji 2005 deri në prill 2009 ka punuar në Ministrinë e Transportit dhe Postë -Telekomunikacionit.

06 Mars 2019 - 20:25

Dorentina Kastrati 06/03/2019 - 20:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend