Rrjedhjet me Libertarianët e Skajshëm

Modeli biznesor i versionit të printuar të gazetave po zhdukej. Qenë dhe mbeten të bindur se një ditë po vinte kur, si kopje në letër, në Angli do të ndalet së publikuari përgjithmonë. Por ata nuk preferonin opsionin që e zgjodhën shumë media tjera: të zvogëlimit të harxhimeve dhe të largimit të njerëzve nga puna. Zgjodhën të dalin dhe të përshtaten në terren ndërkombëtar dhe të eksplorojnë versionin në internet. Dhe për t’u dalluar nga bloggerët dhe twitterët e gjithandejmë duhej të ofronin diçka më speciale: hulumtimet.  

 “Më parë njerëzit kishin dëgjuar për BBC-në (jashtë vendit) por jo edhe për Guardianin

David Leigh, gazetar dhe më vonë redaktor hulumtimesh, tregon rrugëtimin e gazetës britanike The Guardian, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë. Për vete Leigh u bë i njohur në vitet 80-90 me hulumtime të ndërlikuara si një që përfshinte atëherë deputetin konservator britanik, Jonathan Aitken, për korrupsion lidhur me shitjen e armëve së bashku me biznesmenë nga Arabia Saudite. Deputeti përfundoi duke u përballur me akuza për dëshmi të rreme. Mirëpo The Guardian, me një strategji të saj me paramendim, është bërë vitet e fundit referencë globale sidomos pas publikimeve të rrjedhjeve të Wikileaks dhe Edward Snowdenit si dhe skandalit të përgjimeve telefonike. “Më parë njerëzit kishin dëgjuar për BBC-në (jashtë vendit) por jo edhe për Guardianin”, thotë Leigh. “Tash njerëzit na njohin si lojtar të nivelit të njëjtë me The New York Times (gazetën amerikane)”.

Para rreth dy vitesh tabloidi The News of The World – pronë e magantit Rupert Murdoch sikur edhe The Sun, The Sunday Times, The Times dhe Televizioni Sky – u mbyll pasi gjykata vërtetoi se ajo kishte ndërhyrë në privatësinë e qytetarëve duke ua përgjuar telefonat. “Po e bënin gjithë këtë vetëm që të arrijnë në rrëfime thashethemesh si kush po fle me kë, cili futbollist kishte aferë me kë, jetën e tyre seksuale…”, thotë Leigh. Sipas tij, policia ishte shumë e frikësuar të bënte diçka kundër kësaj. Asnjë gazetë tjetër britanike nuk pranoi të bashkëpunonte. “Ne e ndërkombëtarizuam ngjarjen duke e ftuar The New York Time-sin e cila në mënyrë të pavarur hulumtoi dhe konfirmoi gjetjet tona. Tregimi u bë masiv”, thotë ai. “Kështu kredibiliteti ynë në botë u rrit, por jo edhe popullariteti ynë tek mediat rivale në Londër pasi ato të gjitha na urrenë”.

“Qëndrimi i The News of the World dhe gazetave të tjera në pronësi të Murdoch-ut ishte se rasti kishte të bënte vetëm me një reporter mashtrues. Kur The Guardian e sfidoi këtë, të gjithë thoshin se Guardiani nuk dinte se çfarë ishte duke folur”, thotë Leigh, i cili ishte në ekipin që ka ekspozuar skandalin në tërësi para publikut. “Muri i cili na u desh ta kapërcenim ishte muri i gënjeshtrave”.  

 “Po e bënin gjithë këtë vetëm që të arrijnë në rrëfime thashethemesh si kush po fle me kë, cili futbollist kishte aferë me kë, jetën e tyre seksuale…

Që e gjithë storja të bëhej edhe më interesante, edhe vetë Leigh u zbulua se kishte pasur qasje ilegale në telefonin privat të një tregtari britanik të armëve dhe u dëgjua gjatë hetimeve të rastit. Leigh u mbrojt duke thënë se kjo ishte pjesë e hetimeve të tij për korrupsion dhe mitmarrje, ndryshe nga News of the World, që këtë e bëri për thashetheme.

Por storja më e madhe me të cilën u takua ky gazetar vitet e fundit ishin rrjedhjet e publikuara në bashkëpunim me Wikileaks. Ai i kishte nuhatur ato dhe për herë të parë i ishte afruar Julian Assange-it gjatë një konference hakerësh në Norvegji më 2010. Australiani ia kishte treguar videon e famshme të ekzekutimeve të rrjedhur nga informatori Bradely Manning, i dënuar këtë muaj në SHBA. Por Assange pranoi të bashkëpunonte me The Guardian vetëm pasi Manning u arrestua më vonë atë vit. 

Leigh thotë se krijuan një zyrë në Londër dhe bashkëpunuan me The New York Times, Der Spiegel, Le Monde dhe El Pais për të plasuar informacionin dhe për të analizuar rreth 750 mijë rrjedhjet. “Teoria jonë ishte se nëse materiali botohet në juridiksione të shumëfishta, nuk ka mënyrë se si ai mund të heshtet (nga autoritetet). Në qoftë se Shtëpia e Bardhë do të bënte të pamundurën për të parandaluar publikimin e informacionit duke mos lejuar The New York Times të dilte me të, ata mund të thoshin se The Guardian do ta publikonte atë pa marrë parasysh çfarë ndodhë në Amerikë. E njëjta do të zbatohej anasjelltas. Ishte një përdorim shumë i qëllimshëm i botimit multi-jurisdiksional”, thotë Leigh. “Dhe kjo funksionoi”. 

“Unë nuk mendoj se Julian posedon një filozofi shumë koherente politike.

Por në rrugë ata kishin problemet me Assange-in. Ai nuk pëlqente që The New York Times dhe The Guardian mbuluan rastin e tij të skandalit të marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje me dy aktiviste të transparencës në Suedi të cilat kishin hyrë në marrëdhënie me qejf, por nuk e kishin ditur që Assange ishte pa mbrojtje. Ato raportuan në polici pasi Assange nuk pranoi të bënte testin e AID-sit. Ai pretendonte se ngjarja ishte kurth i CIA-s. “Historitë e këtyre grave sugjeruan që Julian ishte sjellë keq”, thotë Leigh. “Ishte absolutisht e domosdoshme që mos ta fshehim atë ose që të mos tregonim gënjeshtra në lidhje me të, sepse reputacioni ynë si gazetarë të ndershëm ishte vënë gjithashtu në pyetje”.

Tendosja tjetër ishte për qasje. Ajo u shpërfaq sidomos një natë në një restorant, ku të gjithë gazetarët e përfshirë ishin mbledhur me Assange-in. Ideja e australianit, thotë Leigh, ishte që të publikohet i gjithë materiali. Gazetarët u përpoqën ta paralajmërojë atë, duke thënë se ai nuk mundet thjesht të publikojë emrat e informatorëve amerikanë. “Ne i thamë atij: Julian, ju keni për t’i redaktuar emrat e njerëzve të cilët u kanë dhënë informacion amerikanëve në Afganistan- ata mund të lëndohen ose të vriten. Ai tha se në qoftë se ata janë informatorë amerikanë, atëherë ata e meritojnë këtë. Ne ishim të tronditur”, rrëfen Leigh. “Që të jemi fer ndaj tij nuk është se ndonjë informator ka vdekur si pasojë…”. Assange ka mohuar se ka pasur këtë qëndrim. 

“Unë nuk mendoj se Julian posedon një filozofi shumë koherente politike”, vazhdon Leigh. “Janë të shumtë ata që mendojnë se ai është anti amerikan. Kjo nuk është shumë e vërtetë . Ai është mjaft anti-autoritet”. Ai i referohet Assange-it si “fëmija nga Townsville i cili është i mirë në hacking”. Gjithashtu ai thotë se një nga problemet me Assange-in është se nëse ka një fakt të pakëndshëm në lidhje me të, ai thjesht gënjen. “Kjo është një nga arsyet pse kam marrë vendim që nuk dëshiroj të punoj më me të. Ai është shumë i pasinqertë”. 

“Sidoqoftë asnjëri prej tyre (Assange dhe Snowden) nuk është ‘leaker’ (ai që e rrjedh informacionin) konvencional ose informues i rëndomtë.

Këtë verë, The Guardian sërish publikoi rrjedhje të rëndësisë botërore e që erdhën nga ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (NSA), Edward Snowden. Ato shpërfaqën se si agjencia mblodhi mijëra telefonata të amerikanëve dhe komunikime tjera në internet, veprime që ishin vlerësuar kundërkushtetuese nga gjykata që mbikëqyrë agjencinë. Snowden aktualisht është azilant në Rusi. “Pavarësisht përvojës sonë me Julian, ne kemi vendosur për të bërë atë përsëri me Snowden. Ai vendosi të sillte materialin e tij tek gazetarët e The Guardian duke u besuar atyre publikimin e të dhënave kryesore”, thotë Leigh. “Më duket se Snowden ka një agjendë më të qartë politike pasi ka dhënë donacion për themeluesin e partisë libertariane, Ron Paul”. 

“Sidoqoftë asnjëri prej tyre (Assange dhe Snowden) nuk është ‘leaker’ (ai që e rrjedh informacionin) konvencional ose informues i rëndomtë”, thotë Leigh. “Ata nuk vijnë nga krahu i majtë ose i gjelbër i spektrit (politik), ose nga krahu tjetër. Ata vijnë nga skaji libertarian pa-qeveri-legalizo-të-gjitha-drogat…Mendjet e tyre janë rrjetëzuar pak më ndryshe nga llojet konvencionale të kundër-kulturës”.

Por shumë njerëz i kanë parë gjithë këto publikime bazuar në informacionin e informatorëve si ndryshim i madh nga The Guardian siç mbahet mend – një gazetë tradicionale e së majtës e orientuar më shumë prej-saj-tek-lexuesit sesa anasjelltas. “Disa njerëz flasin në një mënyrë përqeshëse për gjithë këtë me Wikileaks e Snowden. Nuk ka qenë gjithçka vetëm në lidhje me rrjedhjet. Nëse e shikoni sasinë e punës gazetareske që është investuar në këtë ju nuk do të hamendeni as për një moment. Ky ka qenë një hetim shumë i zhvilluar gazetaresk me shumë kërkime për të gjetur mënyra për t’i bërë të kuptueshme këto dokumente. Po ashtu, për çdo burim është me rëndësi të kuptojmë motivet e vërteta të rrjedhjes dhe kështu ne e marrim vesh edhe sa të sinqertë janë. Një rrjedhje është vetëm një pikë fillimi…”.

“Ne e kuptojmë shumë mirë dallimin në mes asaj që është interesante për publikun dhe asaj që është në interes të publikut”, thotë Leigh. “Por njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme në lidhje me atë çfarë është në interes të publikut”.