Rrjedhja e Kanalizimit Pengon Bujkun (TV)

Sabit Zeqiri nga fshati Llabjan i Novobërdës thotë se nuk po mundet ta punojë, e as ta shesë arën e tij, për shkak se nëpër të kalon kanalizimi i fqinjëve.

“ Ka pas një person me e marrë (ble) arën, por kur i kam tregu se kanalizimi derdhet në arë, është tërhequr”,  thotë Zeqiri.

Ai tregon që projekti ka paraparë që kanalizimi të ndërtohet deri te lumi i fshatit, ku duhej të derdhej, mirëpo ky projekt është ndalur tek ara fqinje me Sabitin dhe prej aty kanalizimi vazhdon mbi tokë.

Naim Istrefi që ka arën ngjitur me atë të Sabitit, thotë se kanalizimi ka ndikuar edhe në tensione mes fqinjësh.

“Shkaku i kanalizimit, me Sabitin kam pas dy-tri here konflikt“, thotë Istrefi, ndërsa mendon se komuna duhet t’i rregullojë këto çështje që i ka nisur.

Bajrush Ymeri, kryetar i komunës së Novobërdës thotë se deri më tash nuk pasur ankesa rreth këtij kanalizimi.

Ndërsa për problemin e Sabit Zeqirit thotë se është shkak i rrjedhjes së gropës septike që gjendet në afërsi të arës së tij.

Sipas kryetarit të Novobërdës, për shkak të ankesës së para disa muajve të Sabit Zeqirit dhe kërkesës së disa banorëve të fshatrave përreth për zgjatjen e kanalizimit, javën e kaluar është mbyllur një tender, ku janë paraparë edhe riparimet e kanalizimit.