Rritet Përkrahja e Protestave Studentore (TV)

Kësaj proteste që është e pesta me radhë, i janë bashkuar edhe një numër i organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë dalë për të përkrahur kërkesat e studentëve.

Të mbledhur në orën 12:00 në Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës, studentët kanë marshuar drejt rektoratit të UP-së, ku janë pritur edhe nga një numër i studentëve dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile. 

Masës së mbledhur i është drejtuar së pari Avni Zogiani nga organizata Çohu, me fjalët:
“Rektori është njëri nga dhjetëra apo ndoshta qindra”Filan Fistekët” në UP që tentojnë të falsifikojnë shkencën”.

Studentëve përkrahje u kanë dhënë edhe profesorë të Universitetit të Prishtinës.  Njëri nga ta, Reshit Alidema tha se “Ky rektor dhe paraardhësit e tij, jo që duhet të shkojnë në shtëpi, por drejt në burg.”

Përveq këtyre, protestuesve u kanë folur edhe organizatorët, ndërsa pas fjalimeve, studentët kanë mësyer oborrin e rektoratit, i cili ishte i mbushur me forca policore.

Me gjithë rezistencën e policisë, studentët arritën që të hyjnë brenda oborrit ku kanë qëndruar deri rreth orës 16.

Në mesin e studentëve është parë edhe profesori i shkencave politike Arben Hajrullahu, Ilir Deda nga KIPRED-i, përfaqësues të INPO-s etj.

Zyra për Informim e Rektoratit ka mohuar informatën e një shkrimi të portalit Gazeta Express, ku thuhej se pritet dorëheqja e rektorit.