Bu

Rritet papunësia dhe punësimi

Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka publikuar Anketën e Fuqisë punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2016, njëkohësisht anketa e fundit për këtë vit. Në tremujorin e katërt, sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ishte 28.7 përqind, apo 140 mijë e 771 persona llogaritet se janë të papunë.

Kjo shifër e papunësisë është nga 41.3 për qind e popullsisë që konsiderohet se janë ekonomikisht aktivë.

“Nga popullsia në moshë pune, 58.7 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e ASK-së.

Krahasuar me tremujorin e tretë (korrik-shtator) kur të papunë kanë qenë 131 mijë e 604 persona, ka rreth 9 mijë personave më shumë të papunë. Në tremujorin e dytë numri i personave të papunë ishte edhe më i vogël, apo për rreth 24 mijë persona më i ulët se sa në fund të vitit 2016. Kurse, krahasuar me fillimin e vitit 2016, kemi 25 mijë e 678 persona më shumë të papunë.

Raporti i fundit i anketës për fuqinë punëtore thotë se në tremujorin e fundit ka pasur edhe rritje të punësimit.

“Do të thotë se 71.3% (350,489) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.5 %”, thuhet në raportin për tremujorin e katër të vitit 2016.

Ndërsa, në fillim të vitit, në tremujorin e parë, kanë qenë vetëm 300 mijë e 673 persona të punësuar. Në tremujorin e dytë, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) ka qenë është 27.9%, apo 328 mijë e 694 persona thuhet se kanë qenë të punësuar. Në tremujorin e tretë, sipas ASK-së, kanë qenë 347 mijë e 186 persona, apo një raport i punësimit ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.8 për qind. Përderisa në periudhën korrik-shtator kemi pasur një rritje të numrit të personave të punësuar për 18 mijë e 492 të punësuar krahasuar me tremujorin e dytë, në tremujorin e fundit numri i të punësuarve është rritë për vetëm 3 mijë persona.

ASK-ja thotë se anketa ka pasur shtrirje në 584 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 mijë e 465 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.

“Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Burimi: ASK