Braktisja e shkollimit

Rreth 1 mijë nxënës braktisën shkollimin

Braktisja e shkollimit vazhdon të mbetet sfidë për shoqërinë kosovare. Ekspertët e arsimit thonë se raportimi i braktisjeve shpeshherë nuk është korrekt, kurse sociologët vlerësojnë se arsyet e kësaj dukurie janë të natyrës ekonomike.

Ndërsa, nga SBAShK-u thonë se edhe migrimi është një ndër faktorët që shkollat e Kosovës po mbesin me më pak nxënës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dërguar për gazetën Jeta në Kosovë, gjatë gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor 2018/19, janë 996 nxënës që kanë braktisur shkollimin, ku prej tyre janë 769 djem dhe 227 vajza.

Ndër komunat që më së shumti kanë braktisje të shkollimit janë Peja me 140 nxënës, Malisheva me 130, Prishtina me 125 dhe Gjakova me 117 nxënës.

Komunat që ka më së pakti braktisje të shkollimit gjatë kësaj periudhe janë në Shtime dhe Suharekë me vetëm 2 nxënës dhe Fushë-Kosovë 9 nxënës.

Krahasuar me vitin paraprak në periudhën e njëjtë ishin 977 nxënës që kanë lënë shkollimin, ku prej tyre ishin 763 meshkuj dhe 214 femra.

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ekziston mundësia që disa shkolla nuk raportojnë siç duhet mënyrën e braktisjes së shkollimit.

“Në bazë të disa të dhënave, ekziston mundësia që shumë shkolla i raportojnë braktisësit si përsëritës ose nxënës që kanë kaluar në ndonjë shkollë tjetër, edhe pse nuk ka asnjë garanci se ata e vazhdojnë mësimin. Prandaj, gjatë mbledhjes së të dhënave duhet analizuar me kujdes nëse kemi nën raportim të braktisjes për shkaqet e përmendura ose të ngjashme”, tha Pupovci.

Ai thotë se më shqetësuese është lënia e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, pasi sipas tij ndodh për shkaqe ekonomike.

“Ndërkaq, në arsimin e mesëm të lartë, që nuk është i obligueshëm, shkalla e braktisjes është 1.8%. Braktisja në këtë nivel shkollimi të shumtën ndodhë për shkaqe ekonomike, kur nxënësi duhet të punojë për ta ndihmuar familjen. Në favor të kësaj flet edhe e dhëna se 2.8% e djemve braktisin shkollën e mesme të lartë, për dallim nga 0.8% e vajzave. Këto shifra mund të konsiderohen braktisje minimale, por, gjithsesi, edhe këtu duhet verifikuar saktësinë e të dhënave”, tha Pupovci për JnK.

Shkaqet ekonomike, arsyeja kryesore e braktisjes

Sociologu, Genc Xërxa tha për Gazetën  Jeta në Kosovë se arsyet e braktisjes së shkollës nga fëmijët ekskluzivisht janë të natyrës ekonomike, të shtyrë edhe nga faktorët tjerë socio-kulturor.

“Por mendoj se pamundësia e forcës monetare i bën fëmijët që të braktisin shkollën duke mos pasur kushte për transport, ushqim apo pajisje të ndryshme shkollore, kur kësaj i shtohet edhe trendi i migrimit jashtë vendit i familjeve të tëra për një jetë më të mirë, bie që fëmijët duhet ti braktisin shkollat dhe ikin tutje”, tha ai.

Ai shtoi se viteve të fundit edhe migrimi është njëra ndër arsyet e lënies së shkollimit.

“Jeta e rëndë e qytetarit duke u përkeqësuar dita-ditës në mungesë të shpresës për një punë të dinjitetshme, shkollim të mirëfilltë, drejta të garantuara të barabarta para ligjit dhe mundësive të ofruara bëjnë që kjo shpresë të kthehet ne mërgim, e që i bënë edhe fëmijët të ikin nga bankat e tyre shkollore”, tha Xërxa për JnK.

Edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, Rrahman Jasharaj është i mendimit se migrimi po i zbrazë shkollat e Kosovës.

“Nga viti në vit kemi një rënie të dukshme të nxënësve në shkollat tona fillore dhe të mesme. Arsyet po dihen dhe janë thënë disa herë publikisht, shkuarja jashtë e popullatës sonë por edhe rënia e vazhdueshme e nataliteti, kjo ka bërë që të kemi rënie të nxënësve”, tha Jasharaj duke shtuar se kjo gjë mund të sjellë edhe pasoja.

“Unë mendoj që edhe vitet e ardhshme do të jenë shumë të vështira për ne, ngase nëse vazhdon ky trend do të ketë rënie edhe më të madhe, do të ketë edhe zvogëlim të paraleleve  mund te paraqes në të ardhmen edhe vuajtje për vendet e punës”, tha ai për gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës numri i nxënësve në arsimin fillor/mesëm të ulët gjatë vitit që e lamë pas ishte 240 mijë.

Numri i nxënësve në arsimin fillor-mesëm të ulët, 2017/18. Burimi: ASK

Ndërsa një numër më i vogël ishte në arsimin e mesëm të lartë, ku ishin rreth 90 mijë.

 

Numri i nxënësve në arsimin e mesem të lartë, periudha 2017/18. Burimi: ASK
                     -Braktisja e shkollimit sipas komunave-