Kuvendi i Kosoves, Photo:Atdhe Mulla.

Rregullorja e re e Punës së Kuvendit, peng e ‘inateve politike’

Deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, po zhvillojnë veprimtarinë e tyre me Rregullore të vjetër të punës, pasi e reja nuk po arrin të miratohet.

Shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka qenë në rend dite në seancën e 28 shkurtit të këtij viti, por e njëjta nuk ka dalë në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 76 [Rregullorja e Punës], përcakton se Rregullat e Punës së Kuvendit miratohen me dy të tretat (2/3) e votave apo 80 sosh, të të gjithë deputetëve të tij dhe përcaktojnë organizimin e brendshëm dhe mënyrën e punës së Kuvendit.

Lidhur me këtë, anëtarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Rregulloren e Kuvendit, Xhevahire Izmaku (PDK), ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se legjislativi duhet ta ketë një Rregullore të re të punës, për t’i sanksionuar mungesat e deputetëve.

“Unë jam që të ketë rregullore të re dhe të vendosen penalizime në rastin e mungesave të deputetëve. Për shembull është një procedurë kur ne hyjmë në Kuvend për t’u nënshkruar dhe kemi mundësi që pas kësaj ta lëshojmë sallën. Prandaj ka mundësi teknike që të rregullohet kjo çështje  që nënshkrimi të bëhet në fund të seancës”, shtoi deputetja.

Sipas Izmakut, të njëjtat masa mund të vendosen edhe  në Komisione Parlamentare.

Ndërkaq, sa i përket unitetit të grupeve parlamentare për ta votuar një version të ri të dokumentit që ua organizon punën, deputetja thotë se kjo varet nga interesat e partive politike.

“Uniteti është relativ kur është në pyetje interesi i grupeve politike, por është dashur të ketë unitet, sepse krejt në fund vendoset për një punë ma kualitative që e përcakton nivelin e gjithë kualitetit të punës së Kuvendit”, përfundoi anëtarja e Komisionit, duke shtuar se në Kuvend gjërat nganjëherë marrin drejtime të ndryshme.

Në anën tjetër, gazetari Agron Halitaj, i cili përcjellë punën e Kuvendit, thotë se legjislativi i vendit jo domosdoshmërisht duhet ta ndryshojë Rregulloren e Punës në çdo legjislaturë.

“Kjo nuk është e sanksionuar me asnjë akt ligjor. Vetëm në kohën e UNMIK-ut ka qenë e përcaktuar një gjë e tillë. Por fakti që në Rregulloren që është në fuqi janë evidentuar një sërë paqartësish, është parë e nevojshme ndryshimi i saj.  Kështu që tendencat për të miratuar një Rregullore të re të Punës janë të kamotshme në Kuvend”, theksoi ai  për Gazetën JnK.

Halitaj ka shpjeguar  arsyet për mospajtimet e grupeve parlamentare për të harmonizuar një rregullore të re të punës.

“Në legjislaturat e kaluara, ka qenë Kryesia e Kuvendit, ajo që ka paraqitur pengesa, pasi Rregullorja parashihte fuqizimin e kryetarëve të Grupeve parlamentare, e kjo nuk u konvenonte disa nënkryetarëve të Kuvendit. Në këtë legjislaturë, dominojnë thjeshtë inatet politike mes deputetëve. Ajo që është paradoksale në këtë aspekt, është që Komisioni që ka punuar një vit në draftimin e këtij dokumenti i ka përcjellë Kuvendit rekomandimin jo për ta miratuar, por për të mos e miratuar Projekt-rregulloren të cilën e ka punuar”, thotë ai.

Sipas Halitajt, në parlamentarizëm kjo është një praktikë “e paparë”.

“E gjitha ka ndodhur shkaku i disa amendamenteve që nuk u shkojnë për shtati të gjitha grupeve parlamentare. Njëri nga amendamentet që has në kundërshti është edhe ai që e privon një deputet të mbetet nënkryetar i Kuvendit, nëse e ndërron grupin parlamentar i cili e ka propozuar në këtë post”, thotë gazetari.

Njohësi i punës së Kuvendit, shton se pengesa më e madhe për të miratuar një Rregullore të re, megjithatë mbetet te mënyra e votimit.

“Në këto rrethana është thuajse e pamundur që për një dokument të tillë të votojnë 2/3 e deputetëve, kur dihet se koalicioni i shumicës, po e ka të vështirë t’i kalojë edhe ligjet që kërkojnë vetëm shumicën e thjeshtë”, përfundoi Halitaj për Gazetën JnK.

Kuvendi i Kosovës organizon punën e tij me Rregulloren e miratuar me 29 prill të vitit 2010.

Ky dokument përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organeve, të trupave të punës së tij, të drejtat dhe detyrat e deputetëve.