Kuvendi i Kosoves, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Rregullimi i Asaj që Është e Gabuar në Politikën e Kosovës

Që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor, Kosova është përpjekur për të formuar institucionet e saj shtetërore. Parlamenti nisi seancën konstituive javën e kaluar. Por nuk ishte në gjendje ta përfundonte atë pasi që nuk kishte shumicë për të votuar kryetarin dhe kryesinë.

Në shikim të parë, ky problem mund të rregullohet lehtësisht përmes një koalicioni. Megjithatë, së shpejti shfaqen ndërlikime. Besoj se problemet e Kosovës janë rezultat i kombinimit të betejave për pushtet dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Së bashku, ato po dëmtojnë sistemin politik të Kosovës dhe sferën publike në zhvillim të vendit.

Ka të bëjë me pushtetin, budallenj!

Koalicioni fitues, i udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, e cila ka mbajtur pushtetin që nga viti 2007, këtë herë në koalicion me dy të tjerë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK dhe Nismën për Kosovën, NISMA fitoi në zgjedhje vetëm 39 nga 120 vendet në Kuvend.

Përkundër vonesave shumë të gjata në thirrjen e parlamentit, përpjekjet e PDK-së për të përdorur kohën për t’i bindur deputetët nga partitë e tjera për të mbështetur sundimin e saj të vazhdueshëm, duket se nuk kanë qenë të suksesshme. Një votim procedural gjatë seancës konstituive zbuloi një trup të ndarë në mënyrë të barabartë, me deputetë të ndarë 60 me 60.

Zgjedhja e një kryetari, që do të kishte kuptimin se parlamenti zyrtarisht ishte i formuar, është vonuar disa herë, sepse koalicioni i udhëhequr nga PDK ka bojkotuar seancat parlamentare, duke pretenduar se së pari ka dashur të sigurojë një marrëveshje politike që do të siguronte që kandidati i saj për kryeministër, Ramush Haradinaj, të votohej.

Mediat, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me të drejtë e quajnë një situatë krize.

Por ajo që na mungon duke përdorur këtë përkufizim është problemi i vërtetë: përpjekjet për pushtet dhe ekzistenca e fuqisë informale.

Për pesë vitet e fundit, në raportet e ‘Freedom House’ për vendet në tranzicion, është theksuar se sfida kryesore për demokracinë e Kosovës mbetet informaliteti i pushtetit.

Fuqia reale në Kosovë nuk qëndron brenda institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, por në strukturat e errëta klienteliste të partive politike. Çdo gjë vendoset brenda këtyre qarqeve të mbyllura të partisë, të PDK-së. Institucionet shtetërore thjesht i legjitimojnë ato vendime sapo të merren ato.

Humbja e pushtetit formal, domethënë pushteti mbi institucionet, përfundimisht do të çonte ghithashtu në humbjen e pushtetit të vërtetë [joformal] të PDK-së.

Prej se Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, ajo ka pasur tri qeveri, por nuk ka dëshmuar asnjë kalim të vërtetë të pushtetit. Derisa përbërjet e kabineteve ishin të ndryshme, PDK mbeti përgjegjëse. Siç tregojnë edhe ngjarjet e fundit, ajo nuk është e gatshme të largohet tani.

Ka shumë arsye pse asnjë parti tjetër nuk dëshiron të mbështesë një qeveri tjetër të udhëhequr nga PDK-ja, dhe pse deputetët e hedhin poshtë kryetarin e partisë, Kadri Veseli, për ta zgjedhur kryetar të Kuvendit.

Numri i anëtarëve të lartë të partisë të përfshirë në skandalet e korrupsionit është ndoshta arsyeja numër një. Por PDK insiston në mbajtjen e pushtetit dhe vendosi të bojkotojë sesionin konstituiv të parlamentit derisa të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë.

Mjetet në dispozicion të tij janë të shumta: nga joshja e deputetëve nga partitë e tjera për t’u bashkuar me të, deri te përdorimi i procedurave, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, për të ndryshuar rregullat në favor të saj.

Situata me parlamentin e mbetur pezull sot nuk është aq e ndryshme nga pasojat e zgjedhjeve të vitit 2014. Atëherë, të gjitha partitë e tjera ranë dakord për një koalicion që do ta linte PDK-në në opozitë.

Megjithatë, çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Vendimi i diskutueshëm por jo surprizues i Gjykatës, ishte se fituesi i zgjedhjeve, PDK, kishte të drejtën ekskluzive për të emëruar kryetarin dhe t’i ofrohet një mandat për të formuar qeverinë.

Sidoqoftë, ende duhej shumica e deputetëve për të zgjedhur këto nominime, çka çoi në krizat e viteve 2014 dhe 2017.

[Në vitin 2014, pas gjashtë muajsh bllokimi, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, formoi qeverinë me PDK-në, rivalin e saj të vjetër në mënyrë urgjente, pasi Kosova duhej të miratonte buxhetin për vitin 2015.]

Për të formuar qeverinë përsëri, PDK-ja thjesht mund ta zgjasë këtë proces për një kohë të pacaktuar ose derisa të mbledhë një shumicë për bojkotimin e punës së parlamentit, siç po bën tani.

Një mënyrë e mirë për të trajtuar këtë problem është duke e quajtur atë çfarë është në të vërtetë: lakmia për pushtet.

Efektet dëmtuese të ndërhyrjes perëndimore

Lufta e PDK-së për të qëndruar në pushtet është arsyeja kryesore për krizën aktuale politike në Kosovë, por nuk është e vetmja.

Më e rëndësishmja, PDK do të kishte mbetur në opozitë në vitin 2014 nëse nuk do të ishte për ndërhyrjen nga Perëndimi.

Mantra e BE-së në Kosovë, dhe në të gjithë Ballkanin, është ruajtja e stabilitetit mbi të gjitha. Kjo do të ishte e pranueshme nëse një qasje e tillë nuk do të shfaqej si mbështetje për politikanët e korruptuar për hir të stabilitetit. Por kjo ndodh.

Nëse udhëheqësit e ndonjë vendi tjetër evropian do t’i ndryshonte rregullat e lojës demokratike për të qëndruar në pushtet, BE do t’i etiketonte ata si diktatorë. Kur kjo ndodh në Kosovë, megjithatë ata quhen partnerë pro-BE-së.

Duke iu kthyer krizës mbi formimin e qeverisë në vitin 2014, SHBA dhe BE, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë bërë presion ndaj LDK-së për të braktisur koalicionin me partitë e tjera dhe për t’u bashkuar me PDK-në në formimin e një qeverie.

Shtrirja në të cilën një koalicion i tillë në të vërtetë ishte i nevojshëm për vendin u pa më mirë në mënyrën se si përfundoi më vonë.

Më 10 maj, PDK-ja braktisi LDK-në dhe votoi një mocion mosbesimi për qeverinë e vet, duke shpresuar që të fitonte pikë nga zgjedhjet e parakohshme.

Diskursi i krizës, kryesisht falë BE-së, u kthye në diskursin e institucionalizimit. Nocioni që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet u përkthye sikur një vendim i tillë nuk duhej as të analizohej apo të debatohej. U bë një dogmë.

Asnjë nuk u lejua të pyeste nëse ky rezultat i përshtatet strukturave të pushtetit, apo nëse politika kishte ndikuar në gjyqësor. Askush nuk mund të pyesë pse dy gjykatësit e vetëm ndërkombëtarë në Gjykatë nuk e mbështetën këtë vendim absurd.

Interpretimi i ligjit u bë gjithçka rreth procedurës. Për më tepër, një procedurë e tillë në Kosovë trajtohet sikur të ishte një vlerë e rëndësishme evropiane për të cilën të gjithë ne duhet t’i përmbahemi. Rasti u mbyll.

Ndërhyrja ndërkombëtare, e bërë në këtë mënyrë, është një problem tjetër në politikën e Kosovës. Mënyra për ta rregulluar këtë është, megjithatë, e lehtë: le të shkojë!

Vdekja e kritikës legjitime

Efektet anësore të kësaj ndërhyrje ndërkombëtare në politikën e Kosovës përfshijnë mbytjen dhe madje edhe vdekjen e kritikave. Diskursi i strukturave të pushtetit joformal anashkalon çdo përpjekje për të zbuluar dhe dekonstruktuar ngjarjet.

Mediat dhe sfera e përgjithshme publike nuk mund t’i rezistojnë fuqisë së diskursit të nxitur nga strukturat informale të pushtetit që e drejtojnë vendin.

Si munden ata? Në promovimin e zemërimit të mediave online, të cilat, në një formë të shtrembëruar të gazetarisë Gonzo, fillojnë thashethemet për të raportuar rreth thashethemeve të njëjta, kuptimet bëhen të paqarta.

Me më shumë se 50 faqe të internetit që pretendojnë të japin lajme dhe botojnë tekste minutë pas minute, sfera publike është e përmbytur. Realiteti publik po bëhet ashtu si filozofi francez, Jean Baudrillard e quan realitet i tejzgjatur, në të cilin ndryshimi midis asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e rreme bëhet e paqartë si ajo midis të vërtetës dhe gënjeshtrës.

Situata është edhe më e keqe kur bëhet fjalë për analizën e politikave publike. Kjo është degraduar në një koment kronologjik të interpretimeve personale. Ekspertet tingëllojnë si komentatorët e futbollit, duke komentuar një ndeshje televizive. Ata flasin për atë që shohin, dhe, nëse janë të mirë, interpretojnë atë që shohin brenda kuadrit të njëjtë diskursiv të shtyrë nga strukturat informale të pushtetit.

Kritika në sferën publike është duke u mbytur. Lufta e gjerë për pushtet midis forcave politike e ka nxitur këtë. Mediat, shoqëria civile dhe sidomos ‘intelektualët’ janë bërë aq të rrënjosur brenda kuadrit të diskursit të pushtetit, saqë nuk po mund të krijojnë më kritika reale, por vetëm kundërshtime. Kritika reale ka vdekur.

Ky problem është e vështirë të identifikohet në kaosin aktual politik. Është edhe më e vështirë për tu rregulluar. Por, kapja nga një perspektivë që e shikon të gjithë pamjen, kur i jep kuptim ngjarjeve politike dhe sjelljes së lojtarëve, do të ishte një fillim.

Krenar Gashi ka studiuar Shkencat Politike dhe është nga Kosova, aktualisht është kandidat për doktorant në Qendrën për Studime të BE-së, në Universitetin e Ghent-it në Belgjikë.

Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.