Rregullatori i Tregut Është Jofunksional

Organi Drejtues i Autoriteti Kosovar të Konkurrencës që nga muaji nëntor i vitit të kaluar është jofunksional. 

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës që funksion si bord drejtues i AKK-së, një institucioni të pavarur i themeluar në nëntor të vitit 2008, ka vetëm një anëtar, e jo pesë, sa duhet të ketë. 

Gani Asllani, është anëtari i vetëm i Bordit Drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i cili punon në një zyrë të ngushtë në katin e pestë të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.  

Ai shkon në punë, por nuk ka fuqi për të marrë vendime lidhur me rregullimin e tregut.

“Ligji  e parasheh që vendimet të cilat prekin fushën e konkurrencës, janë vendime që merren me tri vota”, i tha Asllani, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Kuvendi i Kosovës miratoi më 2008 propozimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e pesë vetave në krye të këtij institucioni. 

Të emëruarit ishin Ahmet Krasniqi dhe Halit Shabani me mandat prej 5 vjetësh që u skadoi në nëntor të vitit 2013.  Denis Jonuzi e Osman Ejupi me mandat prej 3 vjetësh qëndruan në këto pozita deri nëntor 2011.  Asllani më 2008 u mandatua vetëm për një vit me mundësi vazhdimi. Qeveria e Kosoës më 2010 ia zgjati atij mandatin deri më 2015.


Ndërtesa ku funksionon Zyra e Kryeministrit | Foto: Korab Basha

ZKM –Po intervistohen kandidatët

Fitim Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, nëpërmjet Zyrës për Informim në Kryeministri i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se është shpallur konkursi për anëtarë të Bordit të Komisionit të Konkurrencës dhe se aktualisht është duke u bërë intervistimi i atyre që kanë konkurruar.

“Komisioni është duke punuar në intervistimin e kandidatëve dhe posa të përfundojë procedurat e intervistimit, do t’i rekomandojë emrat e kandidatëve për miratim në Kuvend të Kosovës”, ka thënë Krasniqi. 

Autoriteti i Konkurrencës mbikëqyret nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri që udhëhiqet nga Zenun Pajaziti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. 

Pajaziti ka thënë se komisioni me kohë ka kërkuar plotësimin e bordit të autoritetit edhe me katër anëtarët tjerë. 

“Është Qeveria e Kosovës ajo që e inicon këtë çështje, derisa emrat të vijnë në Kuvendin e Kosovës, i cili i voton dhe pastaj i emëron”, i tha Pajaziti, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Visar Ymeri nga Vetëvendosja që është anëtër i Komsionit për Zhvillim Ekonomik… i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se funksionimi i autoritetit me vetëm një anëtar e paralizon punën e këtij institucioni. 

“Nuk kemi pasur çfarë të mbikëqyrim. sepse nuk ka pasur punë për t’u mbikëqyrur”, tha Ymeri.


Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri | Foto: kuvendikosovës.org

Mbikëqyrja nga ligjvënësit-biznesmenë 

Komisioni për Zhvillim Ekonomik miraton për votim në Kuvendin e Kosovës emrat e të propozuarve për të drejtuar Autoritetin e Konkurrencës.

Anëtarë të këtij komisioni parlamentar janë pronari i zinxhirit të hipermarketeve “ETC” dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramiz Kelmendi, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Hashim Deshishku, i cili është aksionar në kompani të sigurimeve, banka, institucione financiare dhe kompaninë “Lesna” 

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në gusht të vitit 2012 për mbikëqyrjen e AKK-së nga deputetët- biznesmenë.

Në një rast kur konkurrenca kishte filluar hetimet për kompanitë e sigurimeve, anëtari i komisionit parlamentar, Hashim Deshishku, kishte pyetur disa herë përfaqësuesit e saj për hetimet e filluara. 

“Kam pyetur përfaqësuesit e Konkurrencës, se a kanë filluar hetimet në pajtim me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK)”, pati thënë Deshishku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Objekt i shqyrtimit në vitin 2009 ka qenë mënyra e shitjes së sigurimit kufitar përmes bashkësigurimit, ose “Poolit”, si formë e domosdoshme e sigurimit të palëve të treta nga aksidentet që shkaktojnë motoristët me targa të huaja gjatë kohës se qëndrimit në Kosovë.

Kosova nuk është e anëtare e Këshillit të Byrove dhe si rezultat kartoni i gjelbër nuk mbulon dëmet e shkaktuara nga këta motoristë në Kosovë.

Ishte gjetur se dhjetë kompani sigurimesh – “Siguria”, “Insig”, “Croatia Sigurimi”, “Sigal”, “Sigma”, “Illyria”, “Grawe Elsig”, “Kosova e Re”, “Sigkos” dhe “Dardania” – kishin dëmtuar tregun dhe konsumatorin duke u marrë vesh në verën e vitit 2009, në një takim në Gjakovë, që të kenë çmim të njëjtë të polisave të sigurimit. 

Kompanitë ishin gjobitur me nga 100 mijë euro.

Gani Asllani, anëtari i vetëm në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, thotë se nuk ka vërejtur  ndikime të deputetëve-biznesmenë të këtij komisioni parlamentar në punën e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. 

“Të paktën unë nuk kam vërejtur se ka pasur ndonjë ndikim”, tha Asllani.

 
Ahmet Krasniqi ish u.d i kryetarit të Komisionit Kosovar të Konkurrencës | Foto: Donjetë Hoxha 

AKK-ja përballet me probleme të brendshme 

Gazeta Jeta në Kosovë, pati raportuar  në muajin korrik të 2013-ës për problemet e këtij institucioni në kohën kur funksiononte me vetëm tre anëtarë dhe jo pesë sa kërkohej ligjërisht. 

Tre anëtarët në atë kohë, përfshirë edhe kryesuesin, kishin përplasje mes vete. 

Dy anëtarë të organit drejtues të Komisionit Kosovar të Konkurrencës nuk e njihnin autoritetin e Ahmet Krasniqit, ushtruesit të detyrës së kryetarit. 

Krasniqi pati thënë para ligjvënësve në Komisionin për Zhvillim Ekonomik se nuk po përfillej autoriteti i tij si ushtrues detyre i kryesuesit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës as kur bëhej fjalë për reduktim të shpenzimeve për mbushje telefoni.