Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Roli i teksteve shkollore në parandalimin e ndëshkimit trupor te fëmijët

Problemet e thella në arsim, mungesa e një perspektive të qartë në lidhje me zhvillimin për të ardhmen e arsimit, duket se nuk i lë shumë hapësirë mundësisë për të  ndihmuar tekstet mësimore në luftën kundër ndëshkimit trupor. Ndëshkimi trupor mbetet një prej fenomeneve më shqetësuese për fëmijët. Prej ambienteve më private nëpër klithna të shtëpive tona, deri te hapësirat publike, përfshirë sheshet publike, zonat e frekuentuara me shumë njerëz, e deri te hapësirat shkollore, shumë herë ato kthehen në ambiente agresive, të dhunshme e aspak miqësore për fëmijët tanë.

“F’min teme mundesh me rreh, se ndryshe nuk merr vesh”. Gjatë kohës sa hulumtoja në lidhje me këtë temë, diskutoja me shumë prindër, fëmijët e të cilëve frekuentojnë shkollat publike në Kosovë. Nga këto diskutime, më dilte se në shumë raste, ekzistonte një pakt i heshtur në mes prindërve dhe mësimdhënësve brenda shkollave tona, në raport me përdorimin e ndëshkimit trupor si masë e përshtatshme për disiplinim, ndonëse kjo gjë ndalohet edhe nga parimet themelore për mbrojtjen e fëmijëve sipas projektligjit për mbrojtën e fëmijëve (Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, neni 4)

Një botim i bërë nga Nisma Globale për t’i dhënë fund Ndëshkimit Trupor të Fëmijëve, i mbështetur nga Save The Children në Suedi, konsideron se problemet në shkolla janë dështim i identifikimi dhe trajtimi profesional, prandaj kërkon edhe trajtim serioz dhe kreativ bazuar në burime pedagogjike. “Problemet e disiplinës në shkollë rezultojnë nga një kombinim i shumë faktorëve, duke përfshirë ata që lidhen me rrethanat individuale të fëmijës, mjedisin shkollor, mënyrën se si mësohet profesioni i mësimdhënies dhe mbështetja në një vend të caktuar, përshtatshmëria e kurrikulës, e të tjera. Disiplina e dobët në shkollë paraqet një dështim në identifikimin dhe trajtimin e duhur të shkaqeve të problemit të perceptuar; kjo nuk vjen si pasojë e mosfunksionimit të ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve” (Ndalimi i ndëshkimit trupor, Nisma Globale për t’i dhënë fund Ndëshkimit Trupor të Fëmijëve,…Faqe 12)

Ndryshe, po në këtë dokument, prezantohet gjetja e hulumtimit ku theksohet nevoja e përdorimit të mjeteve jo të dhunshme për disiplinimin e nxënësve, si formë e cila sjellë rezultate më të mira, krahas ndëshkimit të dhunshëm trupor, i cili përveç se sjellë rezultate më të dobëta në mësim, ul koficientin e inteligjencës, madje sjell nxënësin deri te braktisja e shkollës.

Gjithsesi çështja e arsimit në Kosovë mbetet një prej sfidave më të mëdha të vendit tonë. Debati në lidhje me reformën në arsim është i hershëm, ndoshta më i hershëm mund të jetë debati specifik mbi nevojën e rishikimit të teksteve mësimore. Këto debate kanë pasur fazat e tyre të shpërthimit, por pa shumë indikacione institucionalë, ato kanë përfunduar në arkiven e shqetësimeve të përditshme që ka shoqëria jonë.

Përmbajtja e teksteve mësimore që sot përdoret në shkollat tona është e pamjaftueshme në raport me nevojën për të rritur vetëdijen shoqërore, e sidomos te nxënësit, kundër ndëshkimit trupor. Gjithashtu në raport me mungesën e informacionit në lidhje me atë se sa dinë nxënësit për konceptin e ndëshkimit trupor, i cili edhe ashtu është një koncept relativisht i ri në terminologjinë e fushës së mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Prandaj edhe ky shkrim ka lindur si një nevojë për të vendosur një vështrim mbi atë se si e shoh rolin e teksteve mësimore në parandalimin e ndëshkimit trupor.

A mund të jenë tekstet mësimore një instrument kundër ndëshkimit trupor?

Patjetër se po! Fuqia e fjalës, pesha e saj, ilustrimi praktik i përshtatur me grupmoshat që u sërvohen këto tekste do të ishin formë ideale e ndërtimit të një vetëdijeje, krijimit të një fryme të re për gjeneratat e reja.

Tekstet mësimore ofrojnë mundësi të mëdha për të ngritur vetëdijen në rrethe nxënësish. Prandaj, pasurimi i teksteve mësimore me informacione plotësuese të cilat lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke bartur fokusin në mbrojtjen nga ndëshkimi trupor do të krijonte hapësira të reja të mendimit, leximit, e analizimit kritik, çka do të mund të prodhonte rezultate të prekshme, duke krijuar më shumë mundësi për mjedise më të sigurta për fëmijët tanë.

Tekstet mësimore duhet t’i rikthehen rolit të tyre esencial, që është edukimi, informimi dhe zhvillimi i mendimit kritik te nxënësit. Tekstet që përdoren në shkollat tona, kanë nevojë t’i nënshtrohen një reforme e cila do të niste transformimin nga rrënjët për mënyrën se si hartohen tekstet shkollore, duke u nisur nga aspekte teknike deri të aspektet më përmbajtjesore.

Tekstet shkollore duhet të plotësohen edhe me libra të tjerë plotësues, ku pjesë e kësaj reforme do të duhej të ishte edhe një investim më i madh në letërsinë e fëmijëve, sepse në këtë rast letërsia do të kthehej në instrument efektiv e të drejtpërdrejtë për të avokuar kundër dhunës dhe ndëshkimit trupor. Krahas letërsisë, do të duhej të mendohej më shumë edhe për aspekte të përmbajtjeve vizuale në tekste mësimore. Ilustrimet përmes figurave, fotografive dhe vizatimeve të ndryshme do të duhej të pasuroheshin më shumë si një formë atraktive e shumë e kapshme për kontribuar drejt ndalimit të ndëshkimit trupor.

Tekstet shkollore janë teknika më konkrete prej së cilës transferohet dija te nxënësi, prandaj edhe rëndësia e teksteve mësimore është e pazëvendësueshme. Problemet me tekste mësimore janë probleme të natyrave të ndryshme. Si rrjedhojë, kjo na pamundëson të shtrojmë në prioritet diskutimin mbi çështjet të cilat kanë të bëjnë me ndëshkimin trupor, sepse duket sikur ngritja e shqetësimeve shkon më shumë drejt asaj se duhet ndërhyrë në korrigjimin e problemeve bazike të cilat kanë tekstet tona mësimore; përfshirja e pjesëve vetëdijesuese rreth ndalimit të ndëshkimit trupor mund të ishte një përparësi sepse përmes këtij procesi do të mund të avokohej më tepër, të rritet presioni në mënyrë që të pasurohej përmbajtja e këtyre teksteve me elementë të cilat ndërgjegjësojnë kundër ndëshkimit trupor, dhe të sensibilizojmë për dëmet dhe pasojat që ka ky fenomen te fëmijët.

Por, përtej kësaj, deri në një nismë konkrete e serioze nga ana e institucioneve tona, tekstet mësimore do të vazhdojnë të mbeten një shqetësim i madh si për prindërit, por edhe për njohësit e sistemit arsimor në Kosovë. Sipas një hulumtimi të teksteve shkollore për ciklin e mesëm të lartë, të zhvilluar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR ( Gjuha Diskriminuese në Tekstet Shkollore,  Prishtinë, 2007 faqe) është evidentuar se janë mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese. Në shumë prej rasteve, këto formulime kanë përdorim të gabuar të nocioneve gjinore apo vendosje të roleve gjinore në konstruktet e patriarkatit.

Pra, duke e marrë parasysh mungesën e një edukimi parimor, në përputhje me të drejtat e njeriut përmes teksteve shkollore, është e domosdoshme që informimi mbi konceptin e ndëshkimit trupor të marrë më shumë trajtë institucionale. Roli ynë shoqëror në këtë mes, si qytetarë të ndërgjegjshëm, është të nxisim një debat të thellë, serioz dhe konsistent në lidhje me këtë temë. Në këtë mënyrë, nxitja e debatit nga shoqëria mund të ndikojë në pasurimin e teksteve shkollore me kapituj informues e avokues ndaj ndalimit të ndëshkimit trupor të fëmijëve, që në anën tjetër do t’i zhveshte disa nga tekstet mësimore aktuale nga gjuha stigmatizuese dhe paragjykuese.

 

Roland Sylejmani është sociolog