Rigjykim për Tentim-Vrasësit e Drashkoviqit

Gjykata e Apelit vendosi të enjten se dënimi i personave vitin e kaluar me burgim të përgjithshëm prej 22 vjetësh për atentatin e mbetur në tentativë ndaj politikanit veteran Vuk Drashkoviq, në vitin 2000, ishte i pabazuar, sepse ligji nuk u zbatua gjatë gjykimit.

Gjykata tha që gjykimi shkeli kodin penal të Serbisë dhe e quajti vendimin ‘të papërcaktuar dhe të pakuptueshëm”, pa dhënë ndonjë shpjegim tjetër.

Në qershor të vitit 2012, Milosh Radonjiq ish-drejtor i zyrës beogradase të sigurimit të shtetit, u dënua me tetë vjet burg, derisa ish-krerët e njësive të sigurimit Stevan Basta dhe Ratko Romiq morën nga shtatë vjet burgim.

Sipas aktakuzës të tre të dënuarit ndihmuan tre anëtarë të tjerë të Njësisë së Operacioneve Speciale në sigurimin shtetëror, në një përpjekje për atentat ndaj Drashkoviqit, në qytetin bregdetar Budvë, të Malit të Zi, në qershorin e vitit 2000. Drashkoviq ishte lënduar, por mbijetoi.

Drashkoviq e quajti skandaloz vendimin e së enjtes, derisa shtoi se gjykata sipas tij tregoi se shteti ende i mbron ish-zyrtarët e tij të sigurimit.

“Me këtë vendim, gjykata mbron gjithashtu vrarësit e [Sllavko] Çuruvija-s, pasi këta tre persona morën pjesë aktive në [vrasjen e tij]”, i tha Drashkoviq gazetës Blic.

Sllavko Çuruvija, një botues dhe gazetar, kundërshtar i Milosheviqit, u vra në prill të vitit 1999.

Vrasësit dhe urdhërdhënësit asnjëherë nuk u identifikuan, pavarësisht premtimeve të bëra nga çdo qeveri, që nga rënia e Milosheviqit në vitin 2000.

Gjatë regjimit dhjetëvjeçar të Milosheviqit, sigurimi i shtetit tentoi disa herë ta vrasë Drashkoviqin.

Në një sulm në vitin 1999, katër anëtarë të partisë së tij qenë vrarë. Për këtë krim, drejtuesi i Njësisë së Operacioneve Speciale Milorad Ulemek-Legija, bashkë me dy pjesëtarë të kësaj njësie, janë dënuar  së bashku me burgim prej 40 vjet vjetësh.

Ulemek, gjithashtu është duke mbajtur 40 vjet burg për rolin e tij në atentatin kundër presidentit serb Zoran Gjingjiq, në mars të 2003-ës.

Njësia e Operacioneve Speciale drejtohej nga Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, që u shfajësuan nga Triubunali i Hagës në muajin maj, për krime të luftës në Bosnjë e Kroaci nga viti 1991 deri në vitin 1995.

Njësia e Operacioneve Speciale vepronte gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, duke organizuar operacione sekrete për shtetin, ndërsa dyshohet se ka kryer vrasje masive në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

Njësia u shpërbë në vitin 2003, kur një numër i pjesëtarëve të saj, u arrestuan, ose u vranë. Sidoqoftë, disa nga anëtarët e njësisë, ende punojnë për shtetin, në njësitë speciale të tashme të policisë, ose në ministritë e punëve të brendshme, a të jashtme të Serbisë.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice