Rezultatet e lirisë së medias, jo të kënaqshme

Në raportin më të fundit për lirinë e medias në botë, “Reporterët pa Kufij” e kanë ranguar Kosovën tri vende më lartë, krahasuar me një vit më parë, nga i 78-ti në 75-tin. Por sidoqoftë kjo nuk është inkurajuese pasi që as kritikat nuk kanë munguar.

Në raport përmendet se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe se Qeveria në anën tjetër, ka akuzuar gazetarët se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Sipas gazetarëve dhe juristëve që merren me media këto rezultate nuk janë për t’u dëshiruar.

Gazetarja e gazetës “Koha Ditore”, Edona Kutleshi, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se  ballafaqohet me vështirësi të ndryshme për realizimin e një teme hulumtuese.

“Një ndër to është edhe kur institucione të ndryshme nuk më përgjigjen në pyetjet që i drejtoj rreth temave të caktuara. Problem tjetër është mos aprovimi në kërkesat për qasje në dokumente publike. Meqë e përcjellë sektorin e arsimit mund të cek këtu se ka disa muaj që kam adresuar kërkesa për qasje në dokumente në Ministrinë e Arsimit mirëpo në shumicën prej tyre nuk më është lejuar një gjë e tillë”, tha ajo.

Kutleshi shtoi se praktika dhe qasja e tillë e disa institucioneve ndaj gazetarëve e vështirëson punën  e të bërit gazetari hulumtuese për tema të ndryshme, e që sipas janë edhe në interes të publikut.

Kurse, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli tha për Gazetën Jeta në Kosovë se fakti që Kosova është ranguar më mirë se shtetet e rajonit është inkurajues, por se nuk janë rezultate të kënaqshme.

“Është lajm i pritshëm në fakt që Kosova po rangohet më së miri në rajon sa i përket lirisë së medias, mirëpo ajo çfarë neve si AGK nuk na bënë të kemi shumë shpresë në atë që po thirret liri e medias është fakti se si gazetarët sot punojnë dhe në çfarë kushtesh punojnë”, tha ajo.

Begolli shtoi se problem tjetër është se një numri i madh i mediave janë të varura drejtpërdrejt nga fondet e qeverisë dhe grupet e interesit, gjë që sipas saj ndikon në profesionalizimin e të bërit gazetari.

Kryetarja e AGK-së u zotua se do të jetë zëri i gazetarëve çdo herë kur sulmohen nga politikanët.

“Ato pa diskutim çdo ditë e më shumë duhet që të jemi më të zëshëm në mënyrë që të mos e lejojmë gjuhën e tyre ndaj mediave, gazetarëve në veçanti dhe të mos i lejohet një farë forme gazetarët të jenë cak i sulmeve qoftë nga politikanët, qoftë nga grupet e interesit të ndryshme”, tha Begolli.

Kusari: Nuk duhet të festojmë pse jemi ranguar më mirë

Për juristen e se Drejtës së Medias, Flutura Kusari shqetësuese është se si gazetarët në Kosovë vazhdojnë të intimidohen publikisht nga presidenti, kryeministri dhe deputetët.

“Organizohen kampanja kundër tyre, tentojnë t’i censurojnë përmes ligjeve, i padisin dhe i dobësojnë financiarisht dhe mundohen t’i frikësojnë burimet dhe sinjalizuesit”, tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas saj është lajm i mirë që Kosova qëndron më mirë se shtetet e rajonit, por nuk duhet përshëndetur ky rangim.

“Sot nuk është arsye që të festojmë se jemi ranguar mirë, në krahasim me shtetet me demokraci të dobët. Sot duhet të kërkojmë që gazetarët të jenë më të lirë në ushtrimin e profesionit të tyre dhe të kenë kushte më të mira të punës”, tha Kusari.

Në lidhje me këtë raport, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mediat e lira janë shtyllë e një shoqërie demokratike dhe sipas tij Kosova është duke treguar përmirësime.

Ndërsa, vitin e kaluar kjo organizatë kishte përmendur rastin kur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj erdhi në pushtet duke marrë drejtim e qeverisë dhe ku ai i quajti të pashkolluar gazetarët.

“Pak ditë pasi kishte krijuar Qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë dhe i këshilloi ata që t’i kthehen shkollës”, thuhej në pjesën që përshkruan veprimin e kryeministrit.

Prej vendeve të rajonit Mali i Zi këtë vit ka renditjen më të ulët për Lirinë e Shtypit, pasi organizata e ka renditur në vendin e 104. Vendet tjera të rajonit kanë këtë renditje: Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 63, Kroacia 64, Serbia 90 dhe Shqipëria në vendin e 82.

Listës së 180 vendeve i prinë Norvegjia ndërkaq i fundit në listë është Turkmenistani.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

https://kallxo.com/reporteret-pa-kufij-kosova-ne-vendin-e-75-per-lirine-e-shtypit/