Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shefja për Politikë e BE-së Federica Mogherini dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/European Council

Rezolutat që nuk po e ndryshojnë rolin e Presidentit Thaçi në dialog

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kohë që ka marrë rolin e udhëheqësit të dialogut me Serbinë, por kjo po kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare në vend.

Pas një sërë përpjekjesh me seanca të jashtëzakonshme, opozita nuk ka arritur që së paku me ndonjë rezolutë t’ia ndalojë presidentit Thaçi të dialogojë me Serbinë në Bruksel dhe që në diskutime të mos e përfshijë edhe “korrigjimin e kufirit”.

Së fundi, Partia Socialdemokrate (PSD), në bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate dhe Alternativën, kanë dalë me një projekt-rezolutë të re për procesin e dialogut, në të cilën synohet të përfshihen edhe partitë opozitare.

PSD-ja në korrik të këtij viti e kishte proceduar në Kuvend këtë rezolutë për dialogun, mirëpo kësaj here ajo ka pësuar ndryshime në titull dhe në përmbajtje dhe e njëjta është dërguar në Kuvend këtë të enjte.

Natyra Kuçi nga PSD-ja ka deklaruar se projekt-rezoluta në fjalë,  mbetet aktualisht propozimi ‘më përmbajtjesor’ dhe ‘më serioz’ për t’u bashkuar kundrejt Serbisë në dialogun e Brukselit.

“Ajo nuk flet për emra të përveçëm, e madje as për subjekte politike, por sidomos për ndërtimin e delegacionit shtetëror në raportin pozitë-opozitë. Duke pasur parasysh se kjo projekt-rezolutë nuk është votuar ende në Kuvend, interes i përgjithshëm mbetet të arrihet njëherësh pajtimi për miratimin e projekt-rezolutës në Kuvendin e Republikës, që do të themelonte delegacionin e përbashkët shtetëror me vendimmarje konsensuale dhe që do të vepronte për herë të parë me ligj, e rrjedhimisht edhe me platformë shtetërore”, ka shkruar Kuçi në Facebook.

Megjithatë rolit i presidentit Thaçi në dialogun e Brukselit, nuk definohet as në këtë rezolutë.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ditë më parë në një intervistë në KTV, është deklaruar se roli i presidentit Thaçi do të mbetet i njëjtë me kompetencat e veta, por pa e qartësuar se si do ta definojë kjo rezolutë Thaçin dhe idenë e tij.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po e akuzojnë PSD-në se po tenton t’i afrohet Qeverisë dhe presidentit Thaçi.

Lidhur me këto zhvillime, njohësja e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi tha për KALLXO se e kanë vlerësuar si pozitive nismën e PSD-së për projekt-rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi.

“Kemi vlerësuar që partitë politike qoftë pozitë dhe opozitë duhet të ulen së bashku, të diskutojnë, të dalin me një dokument të përbashkët. Ne kemi kërkuar që  Kuvendi ta ketë rolin e pakontestueshëm në procesin e dialogut, ashtu si Qeveria me anë të obligimeve të veta”, tha ajo.

Sa i përket rolit të presidentit Thaçi, sipas Krasniqit, asnjë lloj rezolute apo ligji nuk mund të ndryshojë përcaktimet e parapara nga Kushtetuta e Kosovës.

“Unë vlerësoj që partitë politike parlamentare duhet të ruajnë rolin e tyre, për të cilin e kanë marrë votën nga qytetarët, pavarësisht se çfarë qëndrimi mund të kenë krerët e institucioneve të ndryshme, pushtetet në Kosovë janë të ndara. Kuvendi e ka rolin e vet, partitë e kanë rolin e tyre”, shtoi ai.

Kurse analisti politik Belul Beqaj thotë për KALLXO.com se asnjë rezolutë nuk do ta zmbrapsë rolin e presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë.

“Presidenti Thaçi duke e mashtruar veten se do të shpëtojë nga GJSN, fatin  e karrierës së tij  e ka lidhur me ndarjen e Kosovës. Prandaj asnjë rezolutë nuk do të zmbraps rolin e tij, ngase veprimet e tij paraprakisht  janë në kundërshtim me Kushtetutën. Por çdo përpjekje për ta ndalur duhet vlerësuar, ngase nuk mjafton vetëm për ta kundërshtuar duke mos bërë asnjë veprim”, tha ai.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që dikur lider kishte Hashim Thaçin, në Kuvendin e Kosovës nuk e ka votuar asnjë rezolutë që e cenon rolin e presidentit Thaçit në procesin e dialogut.

Sipas Belul Beqajt, PDK-ja ka qëndrim kundërthënës.

“E kritikon idenë e tij për ‘korrigjimin e kufirit’, por e mbron Thaçin. Ai gjithsesi se ka ndikim në PDK, por ndikimi tij është i kufizuar ngase lidershipi i PDK-së është i vetëdijshëm se nëse mbështet idenë e ‘korrigjimit të kufijve’ PDK-ja, së bashku me Thaçin duhet të përgatiten për të shkuar në histori”, vlerëson Beqaj.

Kurse Jeta Krasniqi nga KDI thotë se partitë politike qoftë në pushtet apo opozitë, duhet t’i kryejnë përgjegjësitë që kanë.