Rektori i UP-së, Marjan Demaj | Foto: Jeta në Kosovë

Rektori Marjan Dema u Avancua me Punim në Revistë të Dyshimtë

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema është avancuar nga profesor i asocuar në profesor të rregullt duke botuar në revistë për të cilën ka dyshime se është mashtruese, ka zbuluar një hulumtim i Gazeta JNK.

Gjithshtu, avancimi i Dema në gradën e profesorit të rregullt në vitin 2012 mund të mos i ketë përmbushur kriteret.

Dema nuk i ka pasur pesë punime të botuara siç kërkohet me Rrgulloren e Universitetit të Prishtinës por vetëm katër.

Në nenin 5, pika 1.2.1 thuhet qartë se për të qenë profesor i rregullt kandidati duhet të ketë “5 punime kryesore të publikuara në revista shkencore ose artistike ndërkombëtare”. Deri më sot, sipas CV-së së tij të publikuar në faqen e rektoratit, ai ende i ka vetëm katër punime shkencore në revista ndërkombëtare.

Për më tepër, një nga punimet e ka të botuar në një revistë që dyshohet se është mashtruese, ka zbuluar Gazeta JNK.

Ndërsa vetë punimi i rektorit dhe cilësia e tij nuk kontestohen, ngrihen dyshime serioze mbi ‘revistën shkencore’ ku është publikuar ky punim.

Ka dyshime serioze mbi ‘revistën shkencore’ ku është publikuar punimi i rektorit

Revista në të cilën ka publikuar rektori i tanishëm Marjan Dema, siç thuhet në CV-në e tij,  është “International Journal of Mathematical Archive” (IJMA) me bazë në Indi, një nga vendet e njohura si oaza të uebfaqeve dhe revistave mashtruese, pasi autoritetet indiane nuk e kanë të rregulluar këtë çështje me ligj.

Punimi për të cilin ka hulumtuar Gazeta JNK është renditur i pari në CV-në e tij me titull “Certain Inequalities for (∞, m) – Convex functions” (Pabarazime të caktuara të funksioneve konvekse).

Gazeta JNK ka hulumtuar rreth kësaj reviste dhe ka gjetur se te faqja “contact us” (na kontaktoni) nuk gjendet adresa dhe vendi i publikimit të revistës. Në komunitetin e hulumtuesve shkencorë diçka e tillë konsiderohet si indikacion se revista mund të jetë mashtruese.

Kjo revistë po ashtu, përdor një numër të pazakontë të impakt faktorëve nga dy kompani të dyshimta, SJIF dhe Index Copernicus, përkatësisht 4.091 dhe 5.09, që janë të panatyrshme për revista shkencore të shkencave ekzakte, pasi edhe numri i punimeve në këto fusha është më i vogël.

Duke qenë se në lëmin e matematikës dhe shkencave të ngjashme ka mbetur pak për t’u zbuluar dhe më pak hapësirë për të sjellë risi, vetë numri i punimeve shkencore është shumë më i ulët se ai në sfera të tjera, kryesisht ato shoqërore.

Si rrjedhojë edhe citimi i punimeve të mëparshme në punime të reja shkencore është i vogël, duke qenë se ka pak punime – ndaj një koeficient kaq i lartë është jorealist.

Problem tjetër është fakti se kryeredaktori Dr. SK Tiwari (nga India), redaktorja menaxhuese Dr. DK Kachhara (nga India) dhe redaktori bashkëpunues N. Kachhara (nga India) mbajnë të njëjtat pozita edhe në dy revista tjera, njëra për farmaci dhe tjetra për algjebër.

Të dyja këto revista kanë edhe dizajne të njëjta të uebfaqeve me revistën ku ka publikuar rektori Marjan Dema.

Është e pamundur në fushat e shkencave ekzakte që bordi drejtues i revistave të jetë i përzier në fusha të tjera si rasti i bordit të revistës ku ka publikuar rektori Dema, i cili është bord drejtues po ashtu në një revistë për farmaci, e për më tepër të jetë në menaxhim të më shumë se një reviste në të njëjtën kohë.

Stafi dhe dizajni i revistës për algjebër ku ka botuar rektori Demaj, është i njëjti edhe për dy revista të tjera për shkenca të ndryshme | Foto: Gazeta JNK
Stafi drejtues dhe dizajni i revistës për matematikë ku ka botuar rektori Dema, është i njëjti edhe për dy revista të tjera për shkenca të ndryshme | Foto: Gazeta JNK

Madje në punimin me titull “Publishing Ethics and Predatory Practices: A Dilemma for All Stakeholders of Science Communication” (Etika e Publikimit dhe Praktikat Mashtruese: Një dilemë për të gjithë akterët e komunikimit shkencor”, shpjegohen rrethana ekzakte si ato në revistën ku ka publikuar rektorin Dema.

“Publikuesit jolegjitimë vendosin borde redaktuese për disa revista, duke përfaqësuar fusha tërësisht të ndryshme të temave. Ata, po ashtu, mund të listojnë shkencëtarë të shquar si pjesëtarë të bordeve redaktuese pa aprovimin e tyre”, thuhet në këtë punim.

Për këtë çështje Gazeta JNK kontaktoi me profesorin amerikan Jeffrey Beall, i cili ishte edhe menaxhues librarie ne Harvard University e po ashtu, është ligjërues në Universitetin e Kolorados në ShBA.

Beall u bë i njohur botërisht kur mori nismën për hartimin e një liste të revistave mashtruese duke parë se shumë studiues mashtrohen dhe publikojnë në këto revista, të cilat janë të orientuara kah profiti monetar dhe jo kah cilësia e punimeve.

Për këtë ai ka marrë shumë kërcënime për padi dhe kritika, por diçka e tillë nuk e ka ndalur të përditësojë faqen e tij me listën e revistave që duhen shmangur.

Revista “International Journal of Mathematical Archive”, ku ka publikuar rektori Dema renditet në listën e publikimeve mashtruese

Ndër to ndodhet edhe “International Journal of Mathematical Archive”, revista në të cilën ka publikuar rektori Marjan Dema.

Prof. Beall, i cili ka dhënë shpjegime lidhur me këtë problem ndërkombëtar në The Guardian dhe New York Times, u kontaktua nga Gazeta JNK mbi rastin specifik të revistës ku ka publikuar rektori Dema.

I pyetur për revistën në fjalë ai ka mbështetur gjetjet e Gazeta JNK dhe ka treguar për hulumtimin e vet rreth kësaj reviste.

Ai thekson problemin e impakt faktorit të kësaj reviste, i cili sipas Beall, nuk mund të jetë real. “Revista e di se hulumtuesit duan të publikojnë në revista me impakt faktor dhe këtu përdor metrika false që të tërheqë aplikim sa më të madh dhe natyrisht paratë që vijnë pas saj”, thotë Beall për Gazetën JNK.

Impakt faktori tregon fuqinë e revistës. Thënë në terma të thjeshtë, ky tregues paraqet numrin e citimeve të punimeve në dy vjet në një revistë, të pjesëtuar me numrin e punimeve në total përgjatë dy viteve. Mirëpo ka metodologji të ndryshme që përdoren për ta caktuar impakt faktorin.

Revistat e mirëfillta zakonisht angazhojnë palë të tjera për përcaktimin e impakt faktorit të tyre. Dy operatorë të njohur për përcaktimin e këtij treguesi janë Thomson Reuters dhe Scopus.

Ndërkaq revista ku ka botuar rektori Marjan Dema – ‘International Journal of Mathematical Archive’ – sipas Beall, është vlerësuar me impakt faktor nga “dy kompani mashtruese”, siç i cilëson Beall, SJIF dhe Index Copernicus.

“Mendoj se kjo është një revistë e dobët, e pasinqertë dhe jotransparente” – Prof. Jeffrey Beall për revistën ku ka publikuar rektori Dema

“Mendoj se kjo është një revistë e dobët, e pasinqertë dhe jotransparente. Ajo nuk i ndjek standardet e industrisë së publikimeve të hulumtuesve. Ajo ekziston vetëm për të bërë para të lehta për pronarin, duke ofruar publikim të lehtë, të shpejtë dhe të lirë për autorët”, thotë Beall për Gazeta JNK.

Profesori Besnik Pula i cili punon në “Virginia Tech – Kolegjin e Arteve Liberale dhe Shkencave Humane” në ShBA tha për gJNK se i “duket e çuditshme që i njëjti redaktor që e drejton revistën për matematikë e drejton edhe atë për farmaceutikë”.

“Kjo është jashtëzakonisht e dyshimtë, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me fusha krejt të ndryshme”, tha Pula.

Ai shpjegoi se problemi me revistat mashtruese është problem global dhe se ka mënyra për t’u mbrojtur nga to.

“E para, zakonisht, disiplinat e ndryshme kanë revistat e tyre të njohura dhe të cituara. E dyta, e njëjta vlen për botuesit e revistave dhe për universitetet ku gjenden drejtuesit e revistës apo nga vijnë anëtarët e bordit redaksional”, theksoi Pula.

Ai shpjegoi se një revistë që drejtohet nga profesorë nga ndonjë universitet i panjohur në Indi ose Azerbajxhan, konsiderohet e dyshimtë.

“Revistat që botojnë në shkëmbim të pagesës zakonisht nuk janë kredibile sepse botojnë punime pa i kaluar ato në procesin ‘peer review’” – Prof. Besnik Pula

“Revistat që botojnë në shkëmbim të pagesës zakonisht nuk janë kredibile sepse botojnë punime pa i kaluar ato në procesin ‘peer review’ [recension shkencor] ose pa ‘peer review’ kredibil. Këto janë thjesht biznese mashtruese që pozojnë si revista akademike”, tha profesor Pula për Gazetën JNK.

Pas konsultimeve me një sërë pjesëtarësh të komunitetit shkencor, Gazeta JNK ka mësuar se ka edhe metoda të tjera, përveç atyre të përmendura për ta shqyrtuar cilësinë e një reviste. Një nga to është edhe platforma SCImago Journal and Country Rank e cila rendit revistat nga çereku 1 deri në 4. Pra në çerekun Q1 ndodhen revistat më cilësore dhe në Q4 ato më pak cilësore.

Gazeta JNK ka kërkuar rangimin e revistës “International Journal of Mathematical Archive” ku ka botuar punimin e tij rektori Marjan Dema, mirëpo ajo nuk ekziston fare në renditjen e platformës në fjalë.

Gazeta JNK po ashtu, i ka drejtuar pyetje lidhur me këto çështje revistës ku rektori ka publikuar punimin në vitin 2012, por asnjë përgjigje nuk ka pasur nga ta, madje as konfirmimi për marrjen e emailit.

Rektori i Universitetit të Prishtinës nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve konkrete mbi publikimin e punimit të tij në këtë revistë, e as për numrin e pamjaftueshëm të publikimeve në tërësi.

Rektori Mrajan Dema nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve konkrete mbi publikimin e punimit të tij në këtë revistë.

“Ju bëj me dije se avancimi im, para katër viteve, ka kaluar të gjitha instancat normale të parapara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës në fuqi në atë periudhë”, tha Dema për gJNK.

Ai shtoi se periudha e avancimit të tij në profesor të rregullt, ka zgjatur plot 18 vite.

Ngjashëm, Gazeta JNK ka publikuar më parë një hulumtim ku tregohet se anëtari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Fevzi Berisha, ishte avancuar pa e pasur fare të publikuar punimin e tij shkencor.

Në vitin 2013, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje pas protestave të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës të cilat pasuan pasi që u zbulua se ai ishte një nga pesë autorët e një punimi që i duhej për avancim akademik, por doli të ishte publikuar në një revistë të rrejshme shkencore.