Rektori i Universitetit Prishtinës Marjan Dema (në të djathtë) dhe rektori i Universitetit "Recep Tayyip Erdogan", Huseyin Karaman (majtas), pas nënshkrimit të një marrëveshjeje | Foto: UP

Rektorati ‘Konfirmon’ Botimin e Marjan Dema në Revistë të Dyshimtë

Avancimi i kontestuar i rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, me një botim shkencor në një revistë indiane e cila dyshohet se është mashtruese, tashmë vihet në pikëpyetje edhe nga vetë rektorati i këtij universiteti.

Rektorati ka lëshuar një udhëzim, për punimet shkencore, ku ndër të tjera i është referuar materialeve që tregojnë se cilat revista janë të dyshimta dhe në të cilat nuk duhet botuar.

Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës me titull “Propozimi i Menaxhmentit për Rekomandim nga Senati i UP-së”, rektorati ka konfirmuar dyshimet e hulumtimit të Gazetës JNK, ku një revistë në të cilën ka botuar rektori duke u avancuar si profesor i rregullt, e ka parë si mashtruese.

Sipas hulumtimit të Gazetës JNK, rektori aktual i UP-së, Marjan Dema ka botuar punimin e tij shkencor “Certain Inequalities for (∞, m) – Convex functions” (Pabarazime të caktuara të funksioneve konvekse), në revistën ‘International Journal of Mathematical Archive’ nga India, për të cilën ka dyshime të bazuara se është mashtruese.

Rektori Marjan Dema u Avancua me Punim në Revistë të Dyshimtë

Letra me të cilën rektorati i është drejtuar Senatit sqaron se cilat janë platformat e revistave të besueshme në të cilat u rekomandohet pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së të botohet si dhe ato ku nuk lejohet publikimi [kliko këtu për shkresën e rektoratit].

Ashtu si edhe hulumtimi i gazetës JNK, rektorati i cilëson operatorët Scopus dhe Thomson Reuters si më të besueshmit.

Kriter tjetër i përcaktuar në këtë dokument është që punimet shkencore “të mos jenë të botuara në rajon (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë)”.

Për të vazhduar me kriterin “të mos jenë punime konferencash” – kjo pasi një numër i madh i stafit akademik të UP-së gabimisht i paraqesin prezantimet e punimeve të tyre në konferenca të ndryshme si punime shkencore.

Kriteri më i spikatur nga rektorati i UP-së është “të mos jenë në lista botuesish ose revistash të dyshimta (shih, p.sh., https://scholarlyoa.com/publishers)”.

Lista në fjalë është lista e profesorit Jeffrey Beall, i cili ka qenë burim i hulumtimit të gazetës JNK për avancimin e dyshimtë të rektorit Dema.

Dokumenti i rektoratit mund të shkarkohet nga ballina e uebfaqes së UP-së (deri më 17 qershor 2016 – nuk dihet nëse do të jetë aty edhe më vonë)

 

Hartuesi i kësaj liste Prof. Beall, i cili ka dhënë shpjegime lidhur me këtë problem ndërkombëtar në The Guardian dhe New York Times, u kontaktua nga Gazeta JNK mbi rastin specifik të revistës ku ka botuar rektori Dema.

Ai tha se ka dy lista me rëndësi në faqen e tij dhe punën e tij hulumtuese në çështjen e revistave mashtruese.

Beall shpjegoi se krahas listës së botuesve – të cilën e ka nisur rektorati si rekomandim për Senatin – në të njëjtën faqe është edhe lista e botimeve si revista të veçanta.

Sipas Beall, të dyja këto lista, ajo e botuesve dhe ajo e botimeve të dyshuara si mashtruese, duhen marrë parasysh bashkërisht sepse trajtojnë të njëjtin problem.

Në listën e revistave të veçanta/botimeve (https://scholarlyoa.com/individual-journals/) që ndodhet në të njëjtën faqe të cilën e ka rekomanduar vetë rektorati, revista ‘International Journal of Mathematical Archive’ cilësohet e dyshuar si mashtruese.

Revista ku ka botuar rektori Marjan Dema paraqitet në listën e Beall të botimeve individuale të dyshuara si mashtruese
Revista ku ka botuar rektori Marjan Dema paraqitet në listën e Beall të botimeve individuale të dyshuara si mashtruese

 

I prononcuar për gazetën JNK, prof. Jeffrey Beall e ka quajtur revistën ku rektori ka botuar një nga katër punimet shkencore të tij të revistave ndërkombëtare, “një revistë e dobët, e pasinqertë dhe jotransparente”.

“Ajo nuk i ndjek standardet e industrisë së publikimeve të hulumtuesve. Ajo ekziston vetëm për të bërë para të lehta për pronarin, duke ofruar publikim të lehtë, të shpejtë dhe të lirë për autorët”, tha më tutje Beall.

Në hulumtimin e Gazetës JNK zbulohet se rektori u avancua si profesor i rregullt në vitin 2012 duke mos pasur pesë punime shkencore siç është paraparë në Statut dhe rregullore të tjera.

Tashmë, duke përfshirë zyrtarisht platformën e Beall për botimet mashtruese shkencore si kriter për t’u mbrojtur nga revistat abuzive, rektorati ka konfirmuar në mënyrë të paanshme të paktën një nga argumentet e hulumtimit të Gazetës JNK.

Rektori nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve specifike për këto dyshime, duke thënë se avancimi i tij para katër viteve, “ka kaluar të gjitha instancat normale të parapara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës në fuqi në atë periudhë”.

Ngjashëm, Gazeta JNK ka botuar më parë një hulumtim ku tregohet se anëtari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Fevzi Berisha, ishte avancuar pa e pasur fare të botuar punimin e tij shkencor.

Në vitin 2013, në një rast të ngjashëm, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje pas protestave të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës të cilat pasuan pasi që u zbulua se ai ishte një nga pesë autorët e një punimi që i duhej për avancim akademik, por doli të ishte botuar në një revistë të rrejshme shkencore.