Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

Rektorati Amniston Mashtrimin Akademik në UP

Rastet e vërtetuara apo të dyshuara për mashtrim akademik në Universitetin e Prishtinës ka gjasa të mos jenë objekt i hetimeve dhe penalizimeve nga strukturat e këtij institucioni, duke qenë se rektorati i universitetit mund të ketë vendosur për mosmarrjen e tyre parasysh.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve prof. Naser Sahiti, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se publikimet në revista jorelevante apo mashtruese që kanë ndodhur në të shkuarën nuk do të merren në shqyrtim nga administrata e UP-së, pavarësisht se janë përdorur për avancim akademik.

“Ne si menaxhment nuk i trajtojmë kandidatët të cilët në të kaluarën eventualisht janë avancuar me punime të cilat kanë qenë në revista të dyshimta. Këto për ne konsiderohen si raste të mbyllura”, tha prorektori.

Sahiti nuk e mohoi ekzistencën e këtyre rasteve, një pjesë e të cilave janë zbuluar nga Gazetën Jeta në Kosovë. Sipas këtyre hulumtimeve të publikuara, rezulton se një pjesë e akademikëve në poste kyçe në universitet janë përfshirë në skandale të tilla.

Rast i tillë është vetë rektori aktual i UP-së Marjan Dema, i cili ka të botuar një nga katër punimet e tij shkencore në një revistë jorelevante dhe të dyshuar si mashtruese, siç ka raportuar Gazeta JNK në qershor të këtij viti.

Rast i ngjashëm ka qenë ai i një nga 9 anëtarët e këshillit drejtues të UP-së, Fevzi Berisha, i cili në CV-në e tij pretendon se e ka të publikuar një punim të publikuar në një revistë shkencore kroate, por që në shkurt të këtij viti, Gazeta JNK vërtetoi se punimi i tij nuk është botuar siç thuhet në jetëshkrimin e tij.

Në muajin tetor të këtij viti Gazeta JNK hetoi edhe një punim të dekanit aktual të Fakultetit Ekonomik që dyshohet se është botuar në revistë mashtruese. Pas këtij shqyrtimi del se dekani mund të mos i përmbushë kushtet për ta mbajtur titullin e profesorit asistent, i cili kërkon të paktën një punim të botuar në revista ndërkombëtare.

Avancime mbështetur në raste edhe më ekstreme si ai i shefit të Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik, Selim Bezeraj, gjithashtu nuk janë penguar nga strukturat e UP-së. Bezeraj dyshohet se ka kopjuar një punim akademik të një studenti të Universitetit të Vjenës dhe avancimi i tij kaloi në Senat pavarësisht raportimit të Gazetës JNK për plagjiaturën.

Lidhur me publikimet në revista të papërshtatshme, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve tha se rektorati respekton liritë e të gjithëve për të botuar ku të duan.

“Në parim, çdo individ është i lirë të publikoj aty ku ai e sheh të arsyeshme. Nisur nga ky aspekt, rastet e tilla UP-ja nuk i konsideron si lëndë të cilat ka nevojë të trajtohen”, tha Sahiti.

Megjithatë ai tha se u kërkojnë sjellje etike kolegëve profesorë duke i rekomanduar “që punimet e tilla të mos i shfrytëzoj për nevoja të promovimit në karrierën e vet.”

Kohë më parë Senati ka nxjerrë edhe një dokument rekomandues në të cilin e bënë listimin e revistave të cilat bëjnë për botim. Si rregull i përgjithshëm është listimi i revistave në platformën Scopus dhe Web of Science të cilat i renditin revistat botërore dhe u japin atyre peshën e impaktit në botën e shkencës.

Por, prorektori nuk shpjegoi se çfarë procedurash janë ndërmarrë nga rektorati për të vendosur faljen e rasteve të avancimeve të dyshimta, përfshi edhe atë të dekanit aktual të ekonomikut But Dedaj, krahas rektorit Marjan Dema.

Eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci mendon se rastet e publikimeve në revista mashtruese nuk janë të paqëllimta.

“Si duket, fenomeni i publikimit, me vetëdije, në revista me vlera të dyshimta është aq i pranishëm sa që është bërë pjesë e pandashme e ‘standardit të ri akademik’”, tha Pupovci për Gazetën JNK.

“Ka pak vullnet në UP, si te menaxhmenti ashtu edhe stafi që të përballen me këtë çështje, përfshirë edhe ato raste ekstreme kur njerëzit bëjnë punime në fushat nga të cilat nuk marrin erë”, shtoi ai.

Pupovci kujton kur në vitin 2014 pati një nismë nga ish-rektori Ramadan Zejnullahu për zbardhjen e avancimeve të pamerituara, çka shkaktoi bllokimin e Senatit për muaj të tërë gjatë vitit 2015 dhe 2016, duke rezultuar nw largimin e tij eventual.

Sipas Pupovcit, këto raste mendohet se mund të prekin dhjetëra njerëz që kanë zënë poste udhëheqëse në Universitet dhe në institucionet e Kosovës. “Filtrat e mirëfilltë akademikë do të vendosen një ditë dhe problemet që tani po mbulohen do të kthehen në agjendën ditore”, tha ai.

Por për të ardhmen e afërt, eksperti vlerëson se gjerat do të përkeqësohen para se të përmirësohen.

“Ndërkohë do të degradojë cilësia, sepse njerëzit që janë avancuar pa meritë do të vazhdojnë të promovojnë në grada akademike të tjerë si ata vetë. Ky riciklim i injorancës është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet shoqërisë”, tha Pupovci.