Refuzimi i Lesnës t`ia Kthejë 368 Mijë Euro Ndërmarrjes Publike

Borxhi prej 368 mijë eurove të cilin kompania “Lesna” po refuzon t`ia paguaj Ndërmarrjes Publike Banesore, neglizhenca e gjykatave dhe institucioneve tjera të ligjit tregojnë edhe njëherë për drejtësi selektive dhe truqet juridike të cila përdoren në raste të caktuara nga njerëzit e ligjit.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, e tëra kishte nisur në vitin 2001, atëherë kur Ndërmarrja Publike Banesore e kishte kontraktuar kompaninë “Lesna” për t`i kryer punimet në kompleksin banesoro-afarist “Kroi i Bardhë” në Prishtinë.

Sipas të gjeturave nga hulumtimi i ekipit të emisionit, vlera e kontratës e lidhur në mes të NPB-së dhe Lesnës ishte mbi 4 milion e 448 mijë Marka gjermane, konvertuar ne euro, 2 milion 224 mijë e 206 euro.

Pas përfundimit të punimeve, një komision vlerësues konstatoi se punët nuk ishin kryer ashtu siç ishin të përshkruara në kontratë. Në vlerësimet e fundit që ishin bërë për punët e kryera dhe ato që nuk ishin kryer sipas kontratës, doli se kompanisë “Lesna” i ishin paguar 318 mijë euro më shumë.

Kompania “Lesna” e kishte refuzuar këtë borxh, duke mos ia paguarë këtë shumë kompanisë publke komunale. Rasti kishte përfunduar në gjykatë, në vitin 2004. Të dy palët kishin bërë padi.

Ndërmarrja Publike Banesore e kishte paditur kompaninë punëkryese “Lesna” për t`ia kthyer 318 mijë eurot e paguara më tepër në llogari të saj.

Padi kishte ushtruar edhe kompania “Lesna” ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore, me pretendimet se kishte kryer punë shtesë në vlerë rreth 500 mijë euro. Por pretendimet e Lesnës u hodhën poshtë nga ana e gjykatave, pasi i ishte e refuzuar padia.

Siç tregojnë të gjeturat e transmetuara nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, Gjykata e Apelit ia kishte refuzuar Lesnës padinë në dhjetor të 2015-ës duke e lënë në fuqi vendimin e ish-Gjykatës Ekonomike të Qarkut,  e cila e obligonte Lesnën t`ia kthejë borxhin prej 318 mijë eurove NPB-së.

Rreth tre muaj më vonë në mars të 2016-ës aktgjykimi që e bën Lesën borxhli ndaj NPB-së e kishte marrë vulën e plotfuqishmërisë dhe gjithçka ishte drejt perëndimit pasi lënda mund të përmbarohej.

Por, siç tregoi hulumtimi përkundër se NPB kishte në dorë një aktgjykim të plotfuqishëm, që nga marsi i 2016-ës, lënda edhe sot nuk është përfunduar.

NPB kishte dërguar lëndën tek zyra përmbarimore VAIS-LAË për të përmbaruar lëndën, por Lesna kishte ushtruar prapësim.

Mirëpo, përkundër rezistimit të Lesës, ankesave të saj, të dyja gjykatat edhe ajo e Prishtinës dhe gjykata e Apelit e kishin lënë në fuqi urdhrin përmbarimorë.

Edhe përkundër kësaj, lënda nuk po përmbarohej. Dhe të gjeturat nga hulumtimi tregojnë se lënda ishte stopuar për arsye të padëgjuara më parë në praktikën gjyqësore.

Arsyetimi për ndërprerjen e përmbarimit ishte se “lëndën e ka marrë Prokurori i Shtetit pasi ka bërë dy kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme”.

Anita Cacaj, zyrtare Ligjore në Ndërmarrjen Publike Banesore, në intervistën e saj për “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se përmbarimi ishte ndalur pasi lënda nuk i ishte kthyer përmbaruesit me arsyetimin se lëndën e ka marrë Prokurori i Shtetit.

“Lënda nuk i është kthyer përmbaruesit privat dhe nuk i dimë arsyet pse nuk i është kthyer përkundër kërkesave tona drejtuar gjykatës nuk kemi marrë përgjigje”, ka deklaruar Anita Cacaj.

Siç tregoi hulumtimi, askush në Gjykatën Themelore të Prishtinës nuk kanë treguar arsyet dhe bazën ligjore për stopimin e përmbarimit.

Në anën tjetër, Hasan Shala, kryetar i Apelit, ka treguar se në rastet kur një urdhër përmbarimorë lihet në fuqi nga gjykata e shkallës së pare dhe ajo e shkallës së dytë, atëherë lënda duhet t`i kthehet përmbaruesit për të vazhduar me procedurat e përmbarimit.

Sipas tij fakti se prokurori i shtetit ushtron kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, nuk e ndërpret ekzekutimin e lëndës së plotfuqishme përmes procedurës përmbarimore.

“Ligjërisht mjetet e jashtëzakonshme nuk e ndalojnë ekzekutimin. Nëse lënda është kërkuar nga Prokurori i Shtetit, lënda është dashur të fotokopjohet dhe të shkojë në shkallë të tretë në Gjykatën Supreme dhe origjinali t`i kthehet përmbaruesit në mënyrë që të ekzekutojë urdhrin përmbarimorë për ekzekutimin e aktgjykimit të plotfuqishëm”, ka thënë kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala.

Besim Kelmendi, prokuror i Shtetit tregon se kërkesat e tij për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e kompanisë Lesna i ka bërë pasi në shkresat e lëndës ka gjetur shkelje të ligjit për procedurën kontestimore të bërë nga ana e gjykatave e të cilat sipas tij kanë shkuar në dëm të kompanisë Lesna.

“Lesna ka bërë disa kërkesa tek ne dhe pas shqyrtimit të tyre, ne i kemi kërkuar shkresat e lëndës nga gjykata dhe kemi vërejtur se në rastet e kompanisë Lesna në gjykatë janë bërë disa shkelje të ligjit për procedurën kontestimore për shkak se gjykata e ka dorëzuar aktgjykimin tek pala që nuk ka qenë e autorizuar”, ka thënë prokurori Kelmendi.

Por, siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, Gjykata Supreme përfundimisht ia ka refuzuar ankesat e Lesnës dhe rasti i është kthyer përmbaruesit privat Valdrin Beka. E ky i fundit nuk e ka përmbaruar lëndën. Arsyetimi i tij është se nuk mund të ekzekutohet urdhri përmbarimore, sepse kompania “N.Q.P. Lesna” nuk ekziston më dhe se është shuar”.

Ndaj vendimit të përmbaruesit zyrtarët e NPB-së kanë ushtruar ankesë në Odën e Përmbarueseve, e cila i ka aprovuar ankesën NPB-së dhe ka shqiptuar vërejtje përmbaruesit Valdrin Beka.

Ky i fundit nuk ka dashur të flasë, pasi sipas tij i është drejtuar gjykatës kompetente dhe se pret derisa të vendosë lidhur me ankesën e tij ndaj vendimit të Odës së Përmbaruesve.

Asnjëri nga pronarët e Lesnës nuk kanë dashur të flasin për “Drejtësia në Kosovë” rreth borxhit që ia kanë Ndërmarrjes Publike Banesore me aktgjykim të plotfuqishëm.

Në një përgjigje të shkurtë Bekim Deshishku e ka mohuar se janë borxhlinj të NPB-së duke thënë se ata janë të dëmtuar dhe se NPB u ka borxh atyre.

“Mos të  keqkuptohemi se Lesna nuk ka borxh sa për dijeni, përndryshe NPB ia ka borxh Lesnës, por që rasti është përfunduar në gjykatë… Ta dish që NPB është fituese, kurse unë jam i dëmtuar për mbi 500 mijë euro…ta dish që Lesnës ju kanë shkel të drejtat elementare, këtë e ka konstatuar Gjykata Supreme të bazuar në dokumente…” ka thënë Deshishku.

NPB i është drejtuar sërish Gjykatës Themelore të Prishtinës pas vendimit nr.09/2017 datë 14.11.2017 të Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privat i kryesuar nga gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Bajram Miftari, me të cilin Përmbaruesi Privat Valdrin Beka është konsideruar si përgjegjës për shkelje disiplinore me rastin e përfundimit të procedurës përmbarimore pa e zbatuar urdhrin përmbarimor, dhe ndaj të njëjtin ka shqiptuar masën disiplinore.

“Ndërmarrja më datë 26.12.2017  bazuar ne nenin 79 të Ligjit të Procedurës Përmbarimore ka ushtruar ankesë për parregullsitë e kryera nga Përmbaruesi Privat, duke kërkuar nga gjykata anulimin e konkluzionit të përfundimin e procedurës të nxjerrë nga përmbaruesi privat dhe me pas vazhdimin e procedurës përmbarimore deri në përmbushjen e kërkesave të kreditorit. Lidhur me ankesën e lartcekur gjykata sipas nenit 79 të Ligjit të Procedurës Përmbarimore do të duhet te vendoste brenda 3 ditëve, ndërsa deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje rreth ankesës në fjalë. Por sipas zyrtarëve të NPB-së ende nuk kanë pranuar asnjë vendim nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës”, ka thënë Genc Hundozi nga Ndërmarrja Publike Banesore në një përgjigje me shkrim.

Siç dëshmoi hulumtimi “Drejtësia në Kosovë”, në praktikën gjyqësore nuk është parë se ka raste që ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme është ndërprerë, për arsye se rasti ka shkuar në Gjykatën Supreme, por një gjë e tillë ka ndodhur në rastin ku Lesna sipas aktgjykimit të plotfuqishëm ka borxh mbi 368 mijë euro Ndërmarrjes Publike Banesore që nga viti 2001.

Borxhi i ‘Lesna’-s Ndaj NPB-së