Alketa Xhafa- Mripa në instalacionin e saj 'Refugees Welcome' në Londër. Foto: Dardan Hoti

‘Refugees Welcome’ Copë Arti si Shpresë për Refugjatët

“Unë besoj në njerëzit dhe ndryshimin”, është komenti i një refugjati.

Përkundër vështirësive që ka kaluar Farhoodi nga Irani, komenti i tij lë të kuptohet se ai ka gjetur shpresë për jetën. Këtë mesazh e ka shkruar në një libër jo fort të zakonshëm. Bëhet fjalë për një lloj memoari që artistja kosovare e cila jeton në Angli, Alketa Xhafa-Mripa, e ka bërë pjesë të instalacionit “Refugees Welcome”.

E komenti i Farhood është vetëm një prej 800 mesazheve të mbledhura prej shtatorit të vitit të kaluar deri më tani.

Iraniani i cili migroi në Britani të Madhe vite  më parë, i është rrëfyer artistes kosovare rreth të këqijave që kishte përjetuar si një i ardhur. Për 5 vjet, ai u detyrua të kthehet në një lypsar rruge dhe e kishte të vështirë të ndihej i mirëseardhur. Po më në fund ai gjeti rrugën për t’u kthyer në një banor rezident i këtij shteti dhe po ashtu gjeti edhe personat që i dhanë mbështetje.

Këtij shteti ia kishte mësyrë dikur edhe artistja Xhafa-Mripa, me arsyen për të studiuar. Ajo, në vitin 1997 u vendos në Londër dhe u bë studente e “Central Saint Martins”. Mbaroi studimet por, fillimi i luftës në Kosovë në vitin 1999 ia pamundësoi asaj kthimin në vendlindje. Nga një studente ajo kaloi në një refugjate dhe filloi punën në Kryqin e Kuq Britanik, dhe pa nga afër pritjen që britanikët u bënë shokëve të saj kosovarë në vitin 1999.

Ajo u prek nga kjo mënyrë e pritjes që iu bë bashkëvendasve të saj ku njerëz të zakonshëm në qytete të ndryshme të Anglisë, i ndihmuan ata të ndiheshin si në shtëpi. Siç e shpjegon edhe Xhafa-Mripa në një intervistë për gazetwn “Jeta nw Kosovw”, ata donin vetëm sigurinë dhe një jetë normale.

Ajo vazhdon të jetojë dhe punojë në këtë shtet por, tani thotë se ndihet ndryshe. Peizazhi politik ka ndryshuar, por kështu edhe mënyra se si mendojnë dhe ndihen për refugjatët. Megjithëse Britania e Madhe strehon vetëm një pjesë të vogël të miliona njerëzve të zhvendosur në botë, artistja Xhafa – Mripa ka dëgjuar njerëzit të thonë se nuk ka “hapësirë”.

“Ne kemi harruar se mirëpritja e atyre në nevojë është një akt themelor i njerëzimit”, shprehet artistja.

E ajo po tenton ta rikthejë këtë akt themelor përmes artit. Edhe pse thotë se arti nuk mund të jetë një zgjidhje për miliona njerëz në botë që kanë humbur shtëpitë e tyre, beson se arti mund ta bëjë çështjen e refugjatëve të dukshme, në një mënyrë që kuptohet nga të gjithë, pavarësisht nga besimi, kombësia ose gjuha.

‘Kur gjuha dështon, arti mund të shpërthejë’.

Përmes artit ajo dëshiron ta kthejë kujtesën e anglezëve për zemërgjerësinë që ata kishin treguar kur kosovarët ishin në nevojë dhe të vë në pah ndryshimet që kanë ndodhur prej vendimit që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Europian vitin e kaluar përmes një referendumi. Aty përthekohen eksperiencat e hidhura të refugjatëve dhe i fton që të imagjinojnë një të ardhme më të ndritur. Krejt këto i bën brenda një kamioni të cilin e shfrytëzon si instalacion.

Dy karrige dhe një tavolinë e vogël, flamuri britanik dhe fjalët “Refugees Welcome” (Refugjatët të mirëseardhur) e bëjnë edhe më të rehatshëm kamionin. Artistja me vizitorët e saj e zgjeron ritin duke pirë dhe nga një çaj, duke e shndërruar kështu në një ‘dhomë të gjallë shtëpiake’. Kjo dhomë në fakt dikur ishte realitet i një familje të viteve 70-ta. “Konservative si simbolikë”, shprehet Alketa.

“Mund ta kuptosh veprën në bazë të karriges dhe orienteve që kam vendosur me tepihun e këto përreth, edhe çaji. I pres mysafirët dhe me ta ndaj eksperiencat e mia e po ashtu dëgjoj edhe eksperiencat e tyre. Kështu në fund lënë edhe mendimet e tyre në këtë librin këtu që kam afër meje. Me këtë po tentoj ta shqyrtoj solidaritetin ndaj refugjatëve në Angli në vitet 90-të, diçka që vetë unë e kam përjetuar, duke ngritur paralele me realitetin”, rrëfehet artistja.

Ajo nuk është e lumtur me britanikët që jetojnë në këtë kohë e përmes artit dëshiron të ngrisë disa pyetje. Beson se nuk është vetëm politikisht por edhe emocionalisht, madje edhe prej njerëzve të rëndomtë që ajo sheh.

Ka edhe prej atyre që i kanë thënë “Çka po lyp ti në këtë vend? Go back”. Por ka edhe prej atyre komenteve që artisten e shtynë të besojë te njerëzit dhe ndryshimi.

“Ka prej atyre që thonë ‘më vjen turp që jam një britanik’, ‘çka po ndodh me shtetin tonë’. Vetë fakti që BREXIT ka ndodh, po thonë ‘ky BREXIT nuk është në emrin tim’. E tash në anën tjetër po thonë që ‘po ndodh shumë racizëm’ …tash ju ka dalë në pah ajo e keqja. Është në rritje. E në bazë të veprës, sidomos prej kësaj që jam duke e bërë, kam parë shumë njerëz që janë pro”, tregon Xhafa – Mripa.

Frika nga refugjatët

Artistja thotë se në Londër është bërë e vështirë të flitet për këtë fenomen, sidomos pas kohës së BREXIT. Ajo po synon që t’ua ofrojë një dhomë të sigurt refugjatëve ku ata mund të shpalosin historitë e tyre por në anën tjetër edhe britanikëve të cilët tashmë kane krijuar një lloj frike nga refugjatët.

Frika ekziston thotë artistja, për shkak të propagandës dhe shpëlarjes së trurit që kanë bërë, sidomos personat që kanë votuar pro – BREXIT. Madje këta persona kanë protestuar dhe kanë shfaqur slogane kundër refugjatëve, duke aluduar në atë se këta të fundit po ua marrin punën vendorëve (anglezëve). Madje artistja Xhafa – Mripa thotë se edhe konservativët morën më shumë vota si pasojë e kësaj.

Por, artistes ende si ka humbur shpresa dhe mendon se arti do ta bëjë ndikimin e tij.

Ajo, bazohet në projektin e saj “Mendoj për ty” – projekt ky që artistja thotë se ka arritur të luajë rol në shoqëri. Ky projekt i cili zuri vend në vitin 2015 kishte për qëllim që të ngiste zërin për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës së fundit. Xhafa-Mripa udhëtoi nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe si fillim mblodhi fustane të viktimave për tu bërë më pas thirrje edhe njerëzve të tjerë që përmes kontributit me fustane e rroba të tjera të solidarizohen me ato që për më shumë se 15 vjet mbetën pa u përmendur.

Si rezultat i kësaj ajo mblodhi mbi 5 mijë fustane. Më pas ajo i vendosi këto rroba në tela të teshave. Lokacion kishte zgjedhur stadiumin e kryeqytetit më 12 të muajit qershor, e cila njëherësh shënon edhe çlirimin e Prishtinës. Ky instalacion mori përmasa të mëdha, saqë edhe mediet prestigjioze ndërkombëtare raportuan për të. Asokohe, Xhafa-Mripa, kishte thënë për medien e njohur britanike “The Guardian” se ideja për instalacionin i ka ardhur teksa ka dëgjuar intervistat e dhëna nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, zërat e të cilave janë dëgjuar shumë rrallë. Krejt kjo vjen edhe tek qasja që artistët krijojnë dhe faktit se si e bëjnë përfshirjen e shoqërisë.

Alketa Xhafa- Mripa në instalacionin e saj ‘Refugees Welcome’ në Londër. Foto: Dardan Hoti

“Njerëzve duhet t’i ofrojmë mirëseardhje dhe nuk duhet t’i klasifikojmë dhe t’i fusim në një kuti. Nëse ti ua jep mundësinë edhe nuk i kategorizon, atëherë nuk të lë të depërtosh pa të futur në atë kuti. Kështu që edhe unë me projektin tim, për këtë një vit çfarë kam mundur të bëjë po shpresoj që ka pasur efekt. Ata po e ndiejnë veten mirë kur po ulen dhe po rrëfehen. Si një lloj terapie sociale, dhe po më falënderojnë për këtë platformë”, rrëfehet artistja.

Tashmë ajo ka mbledhur më shumë se 800 rrëfime të njerëzve dhe për dy muaj do t’i japë fund edhe udhëtimit të saj me kamion.

Ajo përmes kësaj interviste që u zhvillua në ‘Southbank Centre’, që konsiderohet si lokacioni më i madh i artit në Britani, aty ku edhe qëndronte kamioni i saj, paralajmëroi se përmes një performance do të interpretojë librin e  mysafirëve të saj dhe do ta kthejë atë në një dokument social. Tregimet do të interpretohen përmes performancës që do të jetë si vallëzim konceptual apo gjuhë e trupit. Performancën do ta konkretizojë vitin e ardhëm, por ideja qe shtruar vitin e kaluar kur ajo nisi t’i mbledh mesazhet në kuadër të këtij instalacioni lëvizës.

“Do të marrë frymë komplet ndryshe. Ka me qenë një performancë, vallëzim. Aty s’ka simbolizëm po ka  me qenë vetëm trupi, se refugjatët kur shkojnë apo kur ikin nuk kanë asgjë me vete, përveç lëkurës së tyre. Në bazë të atij vallëzimi dua t’i rrëfej tregimet që i kam mbledhur për këtë vit. Do të bëhet koreografia dhe do të vijë për publikun në verën e vitit 2018”, tregon Alketa.

Kësaj perfomance do t’i japin jetë edhe artistë nga Kosova, pasi që Xhafa – Mripa beson se ka talentë të mëdhenj në Kosovë dhe do gjejë mënyrën që të bashkëpunojë me ta.  Ajo dëshiron që talentin e bashkëvendësve të saj ta shfaqë edhe jashtë Kosovës.

Por para se ta shpalosë këtë para publikut ajo dha një performancë tjetër në Kosovë në kuadër të festivalit Autostrada Biennale në Prizren. Kishte përdorur një tabelë bilardoje duke përdorur performancën dhe instalimin si punë specifike për vendin, video dokumentimin, nga veprimi në skenë. Ajo, sfidoi kufijtë dhe paraqiti një koncept se si ajo sheh kufijtë.

Çështja e kufijve për Alketën, nuk janë vetëm fizikë, por ka edhe kufij tjerë; kufij në mes të zonave urbane dhe rurale, në mes të rinjve dhe të moshuarve, në mes të huajve dhe vendasve. Ka forma të ndryshme të limitit dhe kufijve që manifestohen në jetën tonë. Ka kufij edhe me bazë gjinore, kufij psikologjikë, e edhe kufij në mes të njerëzve dhe gjallesave tjera.

Ndërsa në lojën e Alketës rregullat dhe kufijtë e arenës dakordohen nga lojtarët. Kur fillon performanca, artistja del rreth publikut, ecën drejt tavolinës së bilardos, ngjitet, shtrihet në bark, e nxjerr kokën jashtë tavolinës. Pastaj ajo pështyn. Pështyma e saj natyrore shkon përtej kufijve. Përtej shprehjes së komunikimit dhe pajtimit. Veprimi ishte planifikuar të përsëritet disa herë gjatë Bienales, dhe ashtu ndodhi. Performancës së saj iu bashkuan edhe studentë të artit.

Kjo performancë u dha në Stacionin e Autobusëve, një vend ku sipas Alketës politikat e mëdha dhe të vogla bashkohen përmes pasagjerëve dhe automjeteve, një vend që përfaqëson të dyja, rrugët e ndryshme të kontrollit politik dhe njëkohësisht prodhon linjat e fluturimit që vijnë e shkojnë përmes kufijve.

Është e qartë se Xhafa-Mripa tashmë ka krijuar një epitet prej artisteje e cila punën e saj e fokuson në çështjet e gjinisë, migracionit, nacionalizmit dhe medies, për të krijuar një kritikë akute mbi status quo-në dhe strukturën e thellë psikologjike të shoqërisë moderne.