Reforma Shëndetësore me Ligje dhe Etikë

Përpjekjet për të filluar mëkëmbjen e ambientit shëndetësor në vend me ligjin për shëndetësi dhe atë për sigurime shëndetësore, të cilat mendohet se do ta rrisin shërbimin e mjekëve për pacientët, duket se do të sfidohen nga vonesat në krijimin e odave të mjekëve. 

Ministri Ferid Agani, i cili e ka koncentruar punën e tij jo në intervenimin e menjëhershëm në gjendjet e spitaleve të vendit por më shumë në një reformë afatgjatë, thotë se të dy ligjet pritet të fillojnë së zbatuari në korrik 2012. 

Por zyrtarët sado që arsyetojnë qasjen e tyre ‘reformuese’ kanë lënë anash ligjin për odat e mjekëve pa të cilin dy të tjerat nuk do të mund të zbatohen. 

Odat e mjekëve duhet të hartojnë kodin etik. Ato pritet të decentralizojnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë që e mban Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtat do të merren me lëshimin e licencave të mjekëve dhe kontrollin e cilësisë së shërbimeve që mjekët ofrojnë. Ato po ashtu do të mbikëqyrin zhvillimin e vazhdueshëm profesional, përfshirë këtu edhe specializimet mjekësore. Më e rëndësishmja e gjithë kësaj është monitorimi i respektimit të etikës mjekësore. 

Një iniciativë ka filluar të zë vend për krijimin e komisioneve që hartojnë dhe monitorojnë draft-ligjin për odat e punonjësve shëndetësorë. 

Ekspertët shëndetësorë e shohin si problematik aprovimin e draftligjeve për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore, pa e futur në këtë pako edhe draft ligjin për odat. 

Dr. Gani Zeka, analist i politikave shëndetësore në Poloni, thotë se nëse këto ligje nuk futen si pako, atëherë ligji për shëndetësinë dhe ai për sigurimet nuk ka shans që të gjejnë zbatim. 

Ai thotë se edhe draftligji aktual për shëndetësi, ka shumë mangësi dhe nuk guxon të aprovohet si i tillë. “Ai është vetëm përkthim i ligjeve të ndonjë shteti që ka pasur të formuara odat para se të bëj ligjin. Andaj, duke ditur përgjegjësinë e odave, atëherë ligji si i tillë nuk ka mundësi të implementimit”. 

Paradoksale, sipas Zekës, është krijimi ndaras i odës së stomatologëve dhe mjekëve. “Administrativisht kjo kushton. Sepse secila odë duhet të ketë stafin e vet administrativ. Nuk ia vlen që këto oda të jenë ndaras, kur dihet se stomatologët janë profesionistë shëndetësorë sikurse mjekët”, thotë Zeka. 

Sipas tij, Oda do të duhej të ishte e përbashkët për të gjithë punonjësit shëndetësorë. 

Ministri i shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani, thotë për gazetën “Jeta në Kosovë” se sikur edhe draftligji për odat të futej me pakon e këtyre ligjeve, në aspektin teknik do të ishte më shumë ngarkesë për komisionin parlamentar të shëndetësisë. 

Agani thotë se do të jetë shumë më lehtë për ta shkruar ligjin në momentin kur do të jenë të gatshme ligjet e miratuara të shëndetësisë dhe sigurimeve shëndetësore. 

Ministri thotë se miratimi i këtij ligji do të bëhet menjëherë, në tre mujorin e parë pas miratimit të ligjit të shëndetësisë dhe atij për sigurime. 

Hysni Bajrami, është njëri prej anëtarëve kryesorë në këshillin për konstituimin e odave. Ai thotë se Kosova ka pasur një ambient shumë jo-etik shëndetësor. Këtë e dokumenton me faktin se ka shumë shkelje etike mjekësore. 

“Në realitet kemi afër 25 mijë punëtorë shëndetësorë e asnjë rast i tërheqjes së licencës karshi shumë shkeljeve etike mjekësore”, thotë Bajrami. 

Sipas tij, oda do të ketë një dhomë të veçantë që do të merret vetëm me çështjet etike. Por, Bajrami shprehet se është humbur shumë kohë dhe se janë shumë sfida përpara. 

barna
Foto: Korab Basha

 

Ai është skeptik se për një afat të shkurtë mund të bëhen të gjitha këto ndryshime. 

Kadri Bytyqi, kryetar i shoqatës së farmacistëve, beson se krijimi i odave mjekësore do të zvogëloj ndikimin politik dhe burokracinë e panevojshme të Ministrisë së Shëndetësisë. 

Oda e mjekëve, sipas Bytyqit, duhet të jetë e ndarë nga ajo e farmacistëve. “Kjo është diçka që ne nuk e kemi shpikur. E kemi gjetur të gatshme”.

Dhe derisa qasjet dhe pritjet për ligje e formate organizimi ndryshojnë e debatohen, gjendja në spitale nuk ndryshon. Ai është sektori me problemet më të mëdha në vend dhe vazhdon të jetë subjekt i investimit të vogël të Qeverisë.