Reagim në shkrimin e ish-gjyqtarit Dean Pineles

Valon Hasani, avokat i të akuzuarit kryesor në rastin ‘Medicus’, Lutfi Dervishi, ka reaguar ndaj një komenti të botuar në Gazetën jeta në Kosovë nga Dean B. Pineles, i cili ka qenë anëtar i trupit të parë gjykues në këtë rast.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin të plotë:

Ish gjyqtari i EULEX-it, Dean Pineles, i cili ishte pjesë e trupit gjykues që kishte shpallur aktgjykimin dënues në rastin Medicus në Prill të vitit 2013 tani së fundi publikoi një shkrim në të cilin shprehte pikëllimin e tij të madh se pse rasti Medicus ishte kthyer në rigjykim nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës me vendimin e saj të lëshuar gjatë vitit 2016.

Në kohën kur është lëshuar ky aktgjykim nuk kishte asnjë reagim nga ish-gjyqtari, por reagimi i tij për këtë vendim të marrë gati para dy vitesh vjen vetëm disa ditë para se të shpallet aktgjykimi në rastin Medicus që është në procedurë të rigjykimit. Edhe pse gjyqtari deklaron qysh në fillim të shkrimit të tij se këtë reagim e bën pas publikimit të raportit të progresit (ku nuk përmendet fare rasti Medicus), ky shkrim që vjen vetëm disa ditë para shpalljes së aktgjykimit në këtë rast ka shqetësuar jo pak familjen Dervishi e cila po torturohet nga sistemi i drejtësisë për 10 vite radhazi.

Në rastin konkret Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që rastin Medicus ta kthejë në rigjykim për shkak të shkeljeve ligjore që kanë ndodhur nga instancat më të ulëta, më konkretisht për shkak të shkeljeve ligjore të trupit gjykues në të cilin ka marrë pjesë vet gjyqtari. Gjatë asaj procedure mbrojtja zyrtarisht ka kërkuar nga EULEX-i që kryetari i trupit gjykues nuk mund të gjykonte këtë rast për shkak se kishte pengesa ligjore që parashiheshin me Nenin 40, paragrafi 1.4 i Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale të Kosovës. Në momentin kur ishte paraqitur kërkesa ishte e qartë se pasoja e vetme ligjore kur e gjykon një rast një gjyqtar i cili ka pengesa ligjore për ta gjykuar rastin është rigjykimi. Përkundër kësaj me një “interpretim kreativ” të ligjit, u vendos që gjykimi të vazhdonte në atë përbërje edhe pse ligji e ndalonte një gjë të tillë e poashtu edhe praktika gjyqësore e vendosur për dekada me radhe ishte se një gjyqtar me pengesa ligjore nuk mund të gjykonte një rast të caktuar dhe se kurdo që kjo ndodhte pasoja e vetme ishte rigjykimi.  Pasojat ligjore ishin të qartë ngase ishin të shkruara me të zezë në të bardhë në rregullat e procedurës.

Sundimi i ligjit do të thotë zbatim i ligjit nga organet shtetërore pa marrë parasysh nëse dikujt i pëlqejnë rezultatet e zbatimit të atij ligjit apo jo. Nëse dikujt nuk i pëlqen paragrafi 1.4 i Nenit 40 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës, apo çfarëdo dispozite tjetër ligjore e ka mundësinë që të lobojë që kjo dispozitë ligjore të ndryshohet përmes një procesi demokratik duke bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës ta ndryshojnë at dispozitë. Poashtu ekziston edhe mundësia e angazhimit në politikë duke fituar shumicën në Kuvend e pastaj përmes shumicës parlamentare t’i ndryshojë ato ligje. Krejt në fund nëse mllefi i dikujt është aq i madh me këto dispozita ligjore mund të provojë të bëjë edhe revolucion duke ndryshuar rendin kushtetues dhe pastaj duke miratuar dispozita ligjore që rregullojnë procedurën penale sipas qejfit të tij. Të gjitha këto janë metoda legjitime në rastet kur nuk i pëlqejmë dispozitat ligjore në fuqi. Mirëpo, tentativa për ti ri-shkruar ligjet përmes “interpretimeve kreative” është plotësisht e papranueshme një shoqëri ku sundon ligji.

Ish gjyqtari Dean Pineles ka qenë anëtar i trupit gjykues që në Prill të vitit 2013 ka nxjerrë vendim që të dënojë Prof..Lutfi Dervishin për Trafikim me qenie njerëzore dhe Krim të Organizuar duke konstatuar se ka bërë trafikimin e 24 personave edhe përkundër faktit se 17 prej personave që prokuroria pretendonte se janë trafikuar kur nuk kishin dhënë asnjë deklaratë as në polici, as në prokurori as në gjykatë – ishin anonimë për prokurorinë, mbrojtjen dhe gjykatën. Se me çfarë standarde të të provuarit ishte vërtetuar se këta persona ishin trafikuar nga Prof. Dr. Lutfi Dervishi do të mund të na tregojnë vetëm anëtarët e trupit gjykues. Trafikimi për ata që nuk e kuptojnë është vepër penale që kryhet me anë të mashtrimit, dhunës, rrëmbimit e metoda të ngjashme të kundërligjshme.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtarë edhe ish gjyqtari Pineles ka sjellë aktvendim me të cilin i ka shpallur si prova të pranueshme provat e marra ne klinikë nga bastisja e kundërligjshme duke u bazuar në një Ligj të Inspektoratit Shëndetësor – edhe pse i pandehuri akuzohej për vepër penale – e që është veprim i paprecedent në tërë historikun e gjyqësorit kosovar, e me gjasë edhe më gjerë.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Pineles ka pranuar kërkesa nga prokuroria për t’i shpallur si dëshmitarë të mbrojtur, e në të cilat kërkesa përshkruhej tërësisht dëshmia e këtyre dëshmitarëve ende pa u dëgjuar nga ana e policisë, prokurorisë apo gjykatës dhe nuk kishte shprehur asnjë shqetësim për këtë çështje.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Pineles, ka pasur njohuri se raporti i Dik Martit në mënyrë të rrejshme deklaronte se ka prova se klinika Medicus kishte ndërlidhje me trafikimin me organe që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Raportit të Dik Martit, për nga perspektiva e publikut, i jepte kredibilitet të rrejshëm vetëm rasti i klinikës Medicus dhe për këtë ish-gjyqtari është jashtëzakonisht mirë i informuar, ndërsa Raporti Martit i jepte pastaj arsye krijimit të Tribunalit Special, i cili tribunal është i përmasave të tilla që nuk e njeh historia njerëzore (përveç të atyre tribunaleve të krijuara për të trajtuar tmerret e përjetuara gjatë Luftës së Dytë Botërore).

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Pineles ishte në dijeni në përfaqësuesi i Federatës Ruse në kërkesën për rezolutë drejtuar Këshillit të Evropës kishte deklaruar se ka indikacione që qytetarë nga shtete e ish-Bashkimit Sovjetik trafikoheshin në Kosovë dhe këto deklarata i kishte bërë në fillim të vitit 2008, pra para kohës kur prokuroria pretendon se ka filluar transplantimi në klinikën Medicus dhe nuk kishte shprehur asnjë shqetësim.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Pineles është në dijeni se prokurori i rastit u kishte sugjeruar viktimave të pretenduara që të paraqesin kërkesa për kompensim dhe këtë e kishte bërë në mënyrë të vazhdueshme para se ata t’i jepnin deklaratat e tyre para organeve policore të shteteve të jashtme – dhe për këto ekzistojnë procesverbalet – duke bërë kështu që shumica e viktimave të pretenduara të ishin të predispozuara dhe të kishin interes të drejtpërdrejt për tu dënuar Prof.Dr. Lutfi Dervishi dhe për këtë çështje nuk kishte shprehur asnjë shqetësim.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Pineles, mund të ketë qenë në dijeni se ka pasur një propagandë të tmerrshme në Russia Today, Sputnik, Mediat serbe, por edhe në vetë Këshillin e Sigurimit për rastin Medicus duke tentuar që të ndërlidhin me rastet e pretenduara të trafikimit me organe gjatë luftës.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Pineles, nuk ka parë asnjë provë të vetme se Prof.Dr. Lutfi Dervishi e ka mashtruar, e ka detyruar, e ka lajthitur ndonjë person për t’i dhënë një personi tjetër veshkën, dhe edhe përkundër kësaj e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 8 vite burg. Krejt çka prokuroria ka vërtetuar si gjatë procedurës së parë si gjatë rigjykimit është se tranplantet kanë ndodhur në klinikën Medicus gjatë vitit 2008. Mirëpo, nuk ka sjellë asnjë provë të vetme jo vetëm për të vërtetuar, por edhe për të vënë në dyshim se Prof.Dr.Lutfi Dervishi ka trafikuar njerëz e aq më pak që ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal.

Trupi gjykues në të cilin ishte anëtar edhe ish gjyqtari Puneles, e ka pasur shumë të qartë se Dr Lutfi Dervishi nuk e ka ditur saktësisht dhe konkretisht se për çka akuzohet deri disa ditë para se është lëshuar aktgjykimi kur është bërë edhe ndryshimi i aktakuzës. Edhe për këtë çështje nuk është shprehur asnjë shqetësim se i gjithë shqyrtimi gjyqësor ishte shndërruar në një lojë peshkimi ku prokuroria dhe gjyqtarët po prisnin padurim provat fajësuese të vinin nga vendet e jashtme.

Për të gjitha këto shkelje ligjore nuk ka shprehur shqetësim as mllef askush, dhe kjo për faktin e thjeshtë se të gjitha gjërat po shkonin në dëm të Prof.Dr.Lutfi Dervishit dhe imazhit të Republikës së Kosovës si shtet i ri dhe në konsolidim e sipër.

Prandaj, në përfundim mund të themi se asnjë vendim gjyqësor i sjellë në përputhje me ligjin nuk është i turpshëm. Të turpshme janë ato vendime gjyqësore të sjella me presion apo duke shtrembëruar ligjin për të arritur qëllime që nuk parashihen me ligj dhe kushtetutë.

Në Prishtinë,

Me 03.05.2018                                                                        Valon Hasani, Avokat

 

 

 

 

04 Maj 2018 - 16:15

Valon Hasani, avokat 04/05/2018 - 16:15
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend