Ilustrim

Raporti i prokurorisë serbe tregon dështimet në rastet e krimeve të luftës

Një raport nga Prokuroria e Krimeve të Luftës e Serbisë tregon se gjatë dy viteve të fundit, ajo është fokusuar kryesisht te krimet në shkallë të vogël që nuk janë kryer nga zyrtarë të rangut të lartë, ndryshe nga ajo që autoritetet e Beogradit i premtuan BE-së.

 

Fatima Strkonjiç ishte në shtëpi në Rejzovici, një vendbanim në komunën Kljuc të Bosnjës dhe Hercegovinës veriperëndimore, me burrin e saj Ale dhe nënën e saj Fata Koliç, më 21 nëntor 1992, kur rreth orës 23:00 tre burra të armatosur hynë në shtëpi . Ata donin para.

Dy prej tyre mbanin uniforma ushtarake ndërsa i treti ishte me rroba civile. Pasi burri i Strkonjiç u dha atyre 5,800 marka gjermane dhe u arratis, njëri prej tyre iu afrua asaj, nxori armën dhe e qëlloi në kokë. Pastaj vrau nënën e saj me një thikë.

Burrat me uniforma ishin Predrag Bajiç, i njohur me nofkën Gagi, dhe Mladenko Vrtuniç, të dy anëtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Ata u dënuan për krimin nga gjykata kantonale në Bihac në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2014.

Sulmuesi i tretë pretendohet se ka qenë Zeljko Budimir, i cili u padit për krimin në Serbi.

Rasti kundër Budimirit është tipik i 14 padive të ngritura nga Prokuroria Serbe për Krimet e Luftës gjatë dy viteve të fundit – ata zakonisht akuzojnë një ose dy persona që nuk janë ushtarakë të lartë apo oficerë të policisë dhe akuzohen për krime kundër një numri të vogël viktimash.

Kjo bie ndesh me kriterin për përpunimin e krimeve të përshkruar nga Strategjia për Prokurorinë e Krimeve të Luftës, të cilën qeveria e Serbisë miratoi në shkurt 2016 dhe mbulon periudhën deri në vitin 2020. Strategjia thotë se të dyshuarit e rangut të lartë duhet të jenë prioritet.

“Unë mendoj se strategjia kombëtare tashmë nuk po përmbush qëllimet për të cilat është miratuar,” tha Ivana Zaniç, një studiuese nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd.

“Nuk e di vërtet se çfarë duhet të ndodhë në këtë kohë të shkurtër që ka mbetur (deri në vitin 2020) që ato të përmbushen, nëse e dimë mirë që zyra e prokurorisë ka ngritur katër aktakuza si rezultat i punës së saj në dy vitet e fundit dhe se ato raste janë kundër një personi dhe në shumicën e tyre ka vetëm një viktimë për rast,” shtoi Zaniç.

Përveç kësaj, 10 nga 14 paditë nuk e kanë origjinën në Beograd, por i janë përcjellë Serbisë nga prokuroria shtetërore e Bosnjës, sipas raportit të fundit të Prokurorisë Serbe të Krimeve të Luftës, publikuar në dhjetor 2018.

Raporti ishte një detyrim sipas planit të veprimit për negociatat në Kapitullin 23 në “acquis” e BE-së, organi i legjislacionit europian që Serbia duhet të miratojë për t’iu bashkuar bllokut. Afati i fundit për raportin ishte tremujori i dytë i vitit 2016, por ai u botua vetëm në dhjetor 2018.

Kapitulli 23 në organin e legjislacionit europian që Serbia duhet të miratojë për t’u bashkuar me BE-në ka të bëjë me sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore.

Jovana Spremo, një këshilltare nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, YUCOM, një nga OJQ-të që monitoron procesin e integrimit të Serbisë në BE, tha se “ka progres” në përmbushjen e kushteve të nevojshme, por shtoi se vullneti për ndjekjen penale të krimeve të luftës ka rënë me kalimin e kohës. Kjo mund të ketë ndikim negativ në pranimin e Serbisë në BE, paralajmëroi Spremo.

“Ministria e Drejtësisë po largohet nga tema e krimeve të luftës dhe duket sikur nuk ka vetëdije se ky qëndrim mund ta pengojë Serbinë në procesin e integrimit në BE,” tha ajo.

“Një nga qëllimet strategjike të Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor (e publikuar në mars 2018) është pajtimi rajonal, me procesin e drejtësisë tranzicionale që përfshin përpunimin adekuat të krimeve të luftës. Sigurisht që mund të ketë një ngadalësim të madh në bisedimet e pranimit, nëse nuk tregohet një qasje proaktive,” shtoi ajo.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch tha në një raport në janar se ndjekjet penale të krimeve të luftës po përballen me pengesa serioze në Serbi.

“Gjykimet e krimeve të luftës mbetën të penguara për shkak të mungesës së vullnetit politik, burimeve adekuate dhe mekanizmave të dobëta për mbrojtjen e dëshmitarëve. Disa zyrtarë të lartë të përfshirë në abuzime serioze gjatë kohës së luftës duhet të ishin mbajtur përgjegjës në gjykatat serbe,” tha raporti.

Por Ministria serbe e Drejtësisë këmbënguli se ka pasur progres të vërtetë në rastet e krimeve të luftës.

Në përgjigjet dhëna për BIRN me shkrim, ministria tha se rezultatet e zbatimit të strategjisë kombëtare janë inkurajuese dhe “tregojnë plotësisht mbështetjen e Serbisë për të gjitha organet gjyqësore dhe ekzekutive vendase të përfshira në hetimet dhe ngritjen e aktakuzave”.

“Duke marrë parasysh aktivitetet që janë kryer dhe ato që janë në progres e sipër me sukses, mund të pritet që një sasi më e madhe e aktivitetesh të zhvillohen deri në vitin 2020. Megjithatë, duhet pasur parasysh se kjo është një çështje komplekse dhe prandaj i gjithë procesi nuk mund të kryhet vërtet në një periudhë katër vjeçare,” shtoi ministria.

Prokuroria e Krimeve të Luftës nuk pranoi të jepte një intervistë për këtë artikull dhe nuk iu përgjigj pyetjeve me email.

Shpërfillje e strategjisë kombëtare

Në vitin 2017, 56 persona u raportuan në Prokurorinë e Krimeve të Luftës, por një hetim u nis vetëm për një prej tyre, tregon raporti – numri më i vogël mesatarisht që nga themelimi i zyrës në vitin 2003.

Nuk ka të dhëna në raport për të dyshuarit e akuzuar në vitin 2018, por thuhet se prokurorët kanë filluar hetimet për nëntë persona. Por deri më 24 dhjetor, hetimet për dy prej tyre u rrëzuan dhe hetimet për tre të tjerë u lanë në pritje. Hetimet për katër persona janë ende në vazhdim.

Kreu aktual i kësaj zyre është Snezana Stanojkoviç, e cila u emërua në maj 2017. Para kësaj, pati një periudhë në të cilën vendi nuk kishte prokuror të krimeve të luftës, pasi ish-kreu i kësaj zyre, Vladimir Vukceviç, u tërhoq në ditën e fundit të vitit 2015.

Dhjetë muaj pasi Stanojkoviç u bë prokurore, zyra publikoi strategjinë e saj prokuroriale për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës për periudhën 2018-2023. Si strategjia prokuroriale ashtu edhe ajo kombëtare ishin detyrimet nga plani i veprimit për Kapitullin 23 i negociatave të pranimit të Serbisë në BE.

Por Spremo argumentoi se prokuroria nuk identifikon treguesit, afatet ose aktivitetet që duhet të zbatohen.

Strategjia kombëtare propozon që përparësi duhet t’u jepet rasteve të krimeve me shumë viktima, të kryera nga zyrtarë të lartë ose krime që kanë pasur një ndikim të madh në një komunitet lokal.

Por strategjia prokuroriale merr një ton disi ndryshe, duke argumentuar se “të gjitha viktimat dhe pjesëtarët e familjeve të tyre meritojnë drejtësi” dhe duke vënë në pikëpyetje nëse ia vlen të investohen burime të mëdha në raste të shkallës së lartë “ose të punohet në raste të shumëfishta dhe më pak të ndërlikuara”.

Ivana Zaniç nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se me këto fjalë, prokuroria “po i jepte amnisti vetes” për mos gjykimin e rasteve të mëdha.

“Të gjitha viktimat janë të barabarta dhe të gjithë meritojnë drejtësi,” u pajtua Zaniç. “Megjithatë, nëse marrim në konsideratë se sa krime ka që janë masive, ku qindra njerëz u vranë dhe që ende janë të papërpunuara, mendoj se është logjike që këto raste të kenë përparësi.”

Shumica e rasteve janë dërguar nga Bosnja

Që kur Stanojkoviç u bë prokurore, Prokuroria e Krimeve të Luftës ka ngritur nëntë aktakuza. E para ishte në dhjetor 2017, duke akuzuar Joja Plavanjaç dhe Zdravko Naranciç për një krim kundër civilëve boshnjakë në gusht të vitit 1992.

Sipas aktakuzës, Naranciç ishte roje në një burg ushtarak që ishte ngritur në shkollën fillore “Petar Kocic” në qytetin e Bosanka Krupës. Pretendohet se ai lejoi që Plavanjaç, një ushtar i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të hynte në burg i armatosur me mitraloz.

Plavanjaç vrau fillimisht dhjetë vetë në një dhomë, pastaj një burrë tjetër në një dhomë tjetër. Trupat u zhvarrosën 14 vjet më vonë nga një varr masiv. Gjyqi për dy burrat vazhdon ende në Gjykatën e Lartë të Beogradit.

Rasti i vetëm më i madh me të cilin po merret aktualisht Prokuroria e Krimeve të Luftës është ai kundër pesë personave të paditur për marrjen e 20 pasagjerëve jo serbë nga një tren në qytetin boshnjak të Strpcit në vitin 1993 dhe më pas vrasjen e tyre.

Gjykata e Lartë në Beograd refuzoi ta konfirmonte aktakuzën gjashtë herë për shkak të gabimeve procedurale dhe tri herë urdhëroi hetime shtesë.

Aktakuza më në fund u konfirmua në tetor 2018 dhe rasti gjyqësor duhet të fillonte më 29 janar, por kjo u vonua për shkak se një nga të pandehurit ishte i sëmurë.

Raporti i prokurorisë nuk jep të dhëna se çfarë rangu kishin personat e paditur gjatë dy viteve të fundit, edhe pse vetë aktakuzat e ofrojnë këtë informacion. Raporti zbulon megjithatë se shumica e rasteve janë dërguar në të vërtetë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Zaniç theksoi se prokurorët boshnjak po i përcjellin në Beograd edhe raste që janë kundër oficerëve të nivelit të ulët apo njerëzve që nuk kanë një rang zyrtar.

“Mesa duket, prokuroritë e Bosnjës nuk po dërgojnë raste kundër zyrtarëve të lartë sepse e dinë që zyra e prokurorisë serbe nuk përpunon zyrtarë të lartë, sidomos kur ata vijnë nga ushtria dhe policia,” pohoi ajo.

Gjyqe pa të pandehur në bankën e të akuzuarve?

Raporti i prokurorisë nuk përmban të dhëna për tre aktakuza të tjera që janë ngritur. Njëra është për krime lufte në Bogdanovci pranë Vukovarit në Kroaci në vitin 1991 dhe të tjerat janë për krime kundër civilëve – në Sarajevë në vitin 1992 dhe Ferizaj në Kosovë në vitin 1999.

I akuzuari në rastin e Sarajevës është shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ai në Ferizaj është një qytetar i Kosovës. Zyra e Prokurorisë për Krimet e Luftës nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it nëse të akuzuarit janë aktualisht në dispozicion të autoriteteve gjyqësore serbe.

Ligji serb lejon gjykimet në mungesë nëse të pandehurit janë në arrati ose nuk janë në dispozicion të autoriteteve, por kodi i procedurës penale thotë se kjo duhet të ndodhë vetëm me të dyshuar shumë të rëndësishëm.

Strategjia kombëtare e Serbisë për krimet e luftës thotë se disponueshmëria e të pandehurve, dëshmive, dëshmitarëve dhe viktimave janë të gjitha kritere për të zgjedhur nëse një rast do të gjykohet ose jo. Strategjia gjithashtu thotë se “qeveria mbështet plotësisht praktikën e shmangies së gjykimeve në mungesë”.

Ekspertët ranë dakord se gjykimi i të dyshuarve në mungesë është praktikë e dobët.

“Kjo nuk do të çojë në asnjë lloj pajtimi në rajon dhe nuk do të sjellë ndonjë kënaqësi për viktimat,” argumenton Zaniç.

“Viktimat janë prioriteti këtu, sepse ata duan të shohin përpara tyre personin përgjegjës për vuajtjet e tyre dhe vuajtjet e familjes së tyre,” shtoi ajo. “Nëse nuk ka njeri në bankën e të akuzuarve, kjo nuk do të ofrojë drejtësisë për viktimat.”