Raporti i Progresit Vlerëson, Kritikon dhe Kërkon më Shumë

Shkrimi fillimisht është botuar 16.10.2013

Kosova ka bërë hapa të mëdhenjë në drejtim të përmirësimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm  në marrëdhënie me Serbinë, vlerëson Raporti i Progresit, i përpiluar nga Komisioni Europian e i publikuar të mërkurën. 

Ky raport ka përmendur edhe incidentet në veriun e Kosovës duke vënë theksin në vrasjen e doganierit të EULEX-it më 19 shtator, por edhe eskalimet tjera sidomos pas marrëveshjes së 19 prillit në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qasja e kujdesshme dhe përfshirëse e Prishtinës së bashku me rolin pozitiv të Beogradit ka parandaluar eskalimin e mundshëm”, thuhet në raport.

Komisioni Europian në këtë raport vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka bërë hapa në përmirësimin e mbikëqyrjes së qeverisë dhe transparencës ndaj shoqërisë civile.

Aty përmenden iniciativat e kuvendit në shoshitjen e punës së qeverisë, sidomos në çështjen e bisedimeve me Serbinë.

“Kuvendi është treguar i aftë të demonstrojë unitet politik dhe institucional në çështjet kyçe”, thotë raporti.

Po ashtu është vlerësuar edhe rritja e numrit të debateve parlamentare dhe interpelancave ministrore.

“Konsultimet publike dhe dëgjimet me shoqërinë civile dhe ekspertët e pavarur në përgatitjen e ligjeve të reja, janë duke u bërë ndodhi e shpeshtë”, thuhet në raport.

Por debatimi i rastit Kiqina dhe tentativa e miratimit të një komisioni hetues për këtë rast, është parë si ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe një hap prapa i Kuvendit, si dhe është cilësuar si një çështje për brengë serioze.

Përmes këtij raporti Komisioni Europian ka bërë thirrje që të finalizohet procesi i reformës elektorale si dhe të përmirësohet më tutje mbikëqyrja e qeverisë.

Raporti i bën vërejtje kuvendit që të kuptojë më mirë rolin e vet në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura dhe autoriteteve rregullative.

Është kritikuar koordinimi i dobët i kuvendit  me qeverinë në zgjedhjen e anëtarëve të bordeve organizatave publike dhe dështimi në përcaktimin e mekanizmave për llogaridhënien nga këto borde.
 
Poashtu raporti rekomandon që deputetët duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të siguruar kontroll mbi buxhetin dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje raporteve të Auditorit Gjeneral.

“Stafi mbështetës i komisioneve parlamentare është rritur, ndërsa efektiviteti i komisioneve ka mbetur i limituar”, theksohet në raport.

Në përgjithësi Raporti i Progresit vlerëson se pavarësia e Kuvendit është përmirësuar, ndërkohë që kërkohen përparime të mëtutjeshme në këtë aspekt duke rritur pavarësinë financiare dhe administrative, fillimisht duke përmirësuar rregullat procedurale dhe duke ndarë infrastrukturën e teknologjisë informative nga ajo e qeverisë.

Nga ministrat kërkohet ta respektojnë kuvendin

Raporti 56 faqësh vëren se Qeveria e Kosovës ka rritur kapacitetet e veta në adresimin e prioriteteve të procesit të integrimit europian.

“Një rreshtim i qartë institucional dhe përshkrimi i përgjegjësive ka kontribuar në një koordinim më të mirë në agjendën e BE-së”, vlerëson raporti.

Por qeveria në bashkëpunim me kuvendin duhet të përmirësojë kapacitetet për të verifikuar dhe konfirmuar përshtatshmërinë ligjore kosovare me tërësinë ligjore europiane.

“Fakti se anëtarë të qeverisë ende dështojnë të marrin pjesë në interpelancat e kuvendit,  apo në takimet relevante të komisioneve parlamentare vazhdon të jetë një brengë e madhe”, thuhet në raport.

Edhe qeverisja lokale ka rritur kapacitetet, duke përfshirë çështjet e kthimit dhe riintegrimit si dhe ato të transparencës, por megjithatë Komisioni Europian shpreh nevojën e rritjes së transparencës në punën dhe vendimmarrjen e komunave.

Në përgjithësi, raporti thotë se struktura fundamentale e qeverisjes është e kënaqshme në të dy nivelet.

Por raporti nuk harron të cekë se megjithatë më shumë përpjekje nevojiten për implementimin e legjislacionit, llogaridhënies dhe transparencës nga qeveria qendrore dhe ato lokale.

Reforma e Administratës lokale në gjysmë të rrugës

Raporti i Progresit vlerëson se Kosova ka plotësuar prioritetet afatshkurtra që kanë dalur nga studimi i fizibilitetit në fushën e administratës publike.

Por implementimi i strategjisë dhe planit të veprimit në reformën e administratës publike vazhdon të mbetet një sfide madhore për institucionet e Kosovës, sipas këtij raporti.

“Implementimi i ligjit për pagat e shërbyesve civil është stopuar, duke pritur finalizimin e klasifikimit të vendpunimeve”, kujton raporti, ndërsa bën thirrje që të fillojë vlerësimi në bazë të performancës për shërbyesit civil.

Raporti rekomandon përpilimin e një ligji të ri për të rregulluar pagat e zyrtarëve të lartë dhe për të reformuar sistemin e pagave në sektorët e rëndësishëme siç janë arsimi dhe shëndetësia.

Në përgjithësi, sipas raportit të progresit reforma e administratës publike vazhdon të karakterizohet nga mungesa e profesionalizmit dhe motivimit te një pjesë e stafit.

Po ashtu raporti ka cekur se ka edhe ndërhyrje politike në shërbimin civil.

Sistemi i Drejtësisë me ndërhyrje politike

Në fillim të trajtimit të sistemit të drejtësisë kosovare, Raporti i Progresit e ka vlerësuar si arritje vazhdimin e ofrimit të trajnimeve në edukimin ligjor nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, duke u fokusuar në ngritjen e kapaciteteve.

Organizimin e suksesshëm të një provimi pranues për prokurorët dhe gjyqtarët e ka vlerësuar raporti i Komisionit Europian, duke u ndalur edhe te Kodi i ri Penal, i cili ka hyrë në fuqi në janar 2013.

“Janë raportuar disa ndërhyrje politike në drejtësi. Kjo përfshin deklaratat e bëra nga Qeveria dhe Kuvendi në vendimet në lidhje me krimet e luftës (Kleçka dhe Grupi i Drenicës)”, thuhet në raport.

Sipas raportit kjo është vërejtur edhe në Gjykatën Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese.

Edhe këtu është përmendur ndërhyrja e kuvendit në rastin Kiqinia.

Në përgjithësi Komisioni Europian i vlerëson ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit si një problem serioz i sistemit të drejtësisë.

“Këshilli Gjyqësor dhe ai prokurorial duhet të përgjigjen me vendosshmëri ndaj sulmeve kundër individit dhe institucioneve gjyqësore”, rekomandon raporti, duke cekur se nevojitet siguri për personelin gjyqësor, dëshmitarët dhe paditësit.

Kërkohen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit

Te trajtimi i luftës anti-korrupsion Raporti i Progresit vlerëson miratimin e strategjisë anti- korrupsion dhe hetimin e 6 rasteve nga departamenti anti-korrupsion i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in.

“Agjencia Kundër Korrupsion ka vazhduar të koordinojë zbatimin e strategjisë dhe ligjeve për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë dhe për parandalimin e konfliktit të interesit”, thuhet në raport duke cekur pastaj se kjo agjenci ka vënë në dukje se më shumë se 800 zyrtarë publikë kanë më shumë se dy punë, e disa deri në pesë.

Komisioni Europian ka vënë në dukje se megjithëse Agjencia Kundër Korrupsion ka rekomanduar që zyrtarët nuk lejohen të mbajnë dy puna në të njëjtën kohë kjo gjendje nuk ka ndryshuar.

“Kosova për t’i përmbushur obligimet që dalin nga marrëveshja e stabilizim-asocimit, duhet të implementojë kornizën legjislative të politikave anti-korrupsion dhe të jap prova konkrete në arritjen e rezultateve në luftimin e korrupsionit”, rekomandon Komisioni Europian përmes Raportit të Progresit.

“Kosova ka nevojë t’i jep prioritet të lartë luftimit të korrupsionit në të gjitha nivelet e shoqërisë”.

Edhe te luftimi i krimit të organizuar Raporti i Progresit ka vlerësuar bashkëpunimin e autoriteteve vendëse me EULEX-in dhe miratimin e strategjisë për luftimin e korrupsionit, drogës dhe terrorizmit.
 
Por edhe këtu Kosova duhet të ofroj dëshmi konkrete dhe rezultate në luftim e krimit të organizuar.

“Sidomos në parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, drogës dhe trafikimit të armëve”, rekomandon raporti.

Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve

Sfidë kryesore për Kosovën mbetet që të përmirësojë zbatimin e kuadrit ligjor ekzistues për të drejtat e njeriut.

“Sistemi i burgjeve, e në veçanti ai në Dubravë vazhdon të përballohet me sfida të mëdha. Trajtimi mjekësor është i pamjaftueshëm. Disa të burgosur gëzojnë privilegje të zgjeruara”, thuhet në Raportin e Progresit.

Sipas këtij raporti një numër i objekteve të trashëgimisë fetare kanë qenë objekt i vjedhjeve të vogla dhe  vandalizmit, duke përfshirë kishat ortodokse serbe dhe varrezat ortodokse.

Raporti ka vlerësuar faktin se autoritetet e Kosovës (Kryetari, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria për Integrime Europiane) dënuan menjëherë dhe kërkuan që të fillohet një hetim për sulmet mbi zyrat e revistës Kosova 2.0.

“Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë vazhdon të ushtrohet në Kosovë”, vlerëson raporti.

Kishat Ortodokse kryejnë funksionet mirë në ambientet e tyre historike në Kosovë.

Sa i përket të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, raporti përmend miratimin e ligjit mbi mbrojtjen kundër dhunës në familje, ndërsa vlerëson mbajtjen e një tryeze të rrumbullakët nga Zyra për Qeverisje të Mirë mbi të drejtat e lezbikeve, biseksualëve, homoseksualëve, dhe transseksualëve.

Korrupsioni më i shprehur në prokurim

Raporti i Progresit ka vërejtur se rreth 380 ankesa janë pranuar rreth prokurimit publik, ndërsa 330 prej tyre janë trajtuar.

Një ulje e lehtë kjo në krahasim me periudhën e mëparshme raportuese.

Raporti thekson se prej 600 zyrtarëve të prokurimit, 530 janë të certifikuar për punën e prokurimit.

“Në përgjithësi, kuadri ligjor (i prokurimit) përgjithësisht është në përputhje me standardet e BE-së dhe është jo-diskriminues”, thuhet në raport, i cili thekson se në gjykimet e nivelit të lartë, nëntë njerëz janë gjetur fajtor për akuza të lidhura me korrupsionin në prokurorim.

“Korrupsioni në prokurimet publike është një çështje e përsëritur dhe perceptimi publik i transparencës dhe drejtësisë në prokurim është përkeqësuar”, vlerëson raporti, duke rekomanduar që kapaciteti i të gjitha organeve të përfshira në prokurim  duhet të përmirësohet më tej.

Kapacitete të kufizuara në mbrojtjen e të drejtës autoriale

Sa i përket ligjit për mbrojtjen e pronës intelektuale në Kosovë, Komisioni Europian vlerëson se është në përputhje të plotë më legjislacionin e BE-së.

“Qeveria ka miratuar një strategji kundër piraterisë në tetor 2012,  dhe ka ngritur një task-forcë për ta zbatuar atë”, thotë raporti, i cili vlerëson se Këshilli Kombëtar për Pronësi Intelektuale është krijuar, por nuk mban takime të rregullta.

Raporti i Progresit vlerëson që pavarësisht ligjeve të miratuara, kapaciteti administrativ në fushën e mbrojtjes së pronës intelektuale mbetet i dobët dhe se numri i stafit në Zyrën për të  Drejtat e Autorit dhe Zyrën e Pronësisë Industriale është shumë i vogël.

Mbi Azilin dhe Migrimin

Komision Europian shfaq shqetësimin e tij lidhur me sfidat e sistemit të ri të regjistrimit civil, i cili bën regjistrimin e statusit civil nëpërmjet një PIN-i individual të shtetasit. Mangësia kryesore në fushën e azilit është mungesa e një databaze të sigurt për kërkuesit e azilit, e kjo hap mundësinë për kërkuesit e azilit që kanë lëshuar Kosovën për t’u kthyer rishtas me një identitet tjetër për të kërkuar azil.

Edhe çështja e azilit ka zënë vend në Raportin e Progresit te kapitulli i Drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, ku përmendet se në gjysmën e parë të vitit 2013 ka pasur gjithsej 41 kërkesa për azil.

Mangësia kryesore në këtë fushë është mungesa e një databaze të sigurtë për kërkuesit e azilit, sepse nuk ka bashkëpunim ndërmjet Departamentit të Nënshtetësisë, Azilit e Migrimit dhe policisë.

“Kjo hap mundësinë për kërkuesit e azilit që kanë lëshuar Kosovën, që  të kthehen rishtas me një identitet tjetër për të kërkuar azil”, thuhet në raport.

Mangësia e informatave lidhur me origjinën e azil-kërkuesve të refuzuar, si dhe mungesa e dokumenteve të identifikimit paraqesin një pengesë kryesore në shmangien e azilkërkuesve të rrejshëm.

Raporti i Komisionit Europian thekson se Kosova nuk i ka siguruar statusin e refugjatit askujt deri më tani, ndërsa në prill, Komisioni Nacional për Refugjatë për herë të parë siguroi mbrojtje subsidiare për një azilkërkues, kërkesa e të cilit në instancë të parë fillimisht ishte refuzuar.

Sa i përket migrimit, Kosova ka ndryshuar ligjin për të huajt, megjithatë një strategji për migrimin ende pritet të përvetësohet.

“Rregullimi lidhur me riintegrimin dhe riatdhesimin e personave është përvetësuar në gusht, dhe tani 21 shtete janë përfshirë në marrëveshjen bilaterale të ripranimit”, thuhet në raport.

Përgjatë 2012 Kosova ka ripranuar 4200 shtetas (2500 nga Europa Perëndimore). Deri në korrik të 2013, 2000 persona janë riatdhesuar (prej të cilëve 1400 me dhunë dhe 600 vullnetarisht)

Megjithatë, Raporti i Progresit vlerëson se ekziston mungesë koordinimi dhe komunikimi midis zyrtarëve të aeroportit dhe divizionit për ripranim, meqë jo të gjitha ardhjet janë lajmëruar me kohë duke rezultuar kështu me mosregjistrimin e disa personave të riatdhesuar.

Raporti i Progresit ka trajtuar edhe akuzat për korrupsion që kanë rrjedhë si rezultat i zhdukjes së 1.4 milionë eurove nga Ministria e Punëve të Brendshme në tetor të viti 2012

Ky raport për Kosovën mbulon periudhën nga tetori i vitit 2012 e deri në shtator të këtij viti.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është një nga dokumentet më të rëndësishme që matë progresin ekonomik, politik dhe shoqëror të një vendi, i cili aspiron integrimin në BE.

Raporti i Progresit ka filluar të hartohet nga Komisioni Evropian prej viti 2002.