Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Raporti i Progresit: Përmirësimi i procesit zgjedhor ‘avash-avash’

Procesi zgjedhor në Kosovë është cilësuar si një nga fushat që ka pasur pak përparim nga ana e Komisionit Evropian këtë vit.

Mungesa e mbikëqyrjes efektive të zgjedhjeve, financimi i partive politike e fushatave, përfaqësimi i ulët i grave në pozita vendimmarrëse si dhe pasaktësia në listat e votuesve, janë disa prej gjetjeve që janë theksuar në Raportin e Progresit për vitin 2019 për vendin.

“Problemet që e kanë përfshirë Kosovën në sistemin zgjedhor për një kohë të gjatë përfshijnë mungesën e mbikëqyrjes efektive dhe forcimit të financimit të partive politike dhe fushatave, mungesën përfaqësimin i grave në strukturat e partive politike dhe pozitat politike, mekanizma të mangët të të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore, pasaktësi në listën e votuesve dhe një skemë votimi kryesisht të dëmtuar për rezidentët jashtë vendit”, është thënë në raportin e KE-së.

Tutje formimi i komisionit Ad Hoc në Kuvendin e Kosovës për të përmirësuar dhe përforcuar procesin zgjedhor u mirëprit, por është bërë thirrje që rekomandimet e Komisionit të Venecias të reflektohen në çdo legjislacion të rishikuar.

“Reformat e financimit të partive dhe fushatës, bazuar në një opinion ligjor të Komisionit të Venecias, aktualisht janë duke u shqyrtuar në Kuvend. Rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të reflektohen në çdo legjislacion të rishikuar”, thuhet tutje.

Komisioni Evropian në këto gjetje të vendit për vitin 2019 ka përmendur edhe mos emërimin në kohë të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

Si dhe është përmendur edhe mos emërimi i anëtarëve të koalicionit PAN në KQZ, me ç’rast e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese Thaçin dhe janë në pritje të përgjigjes së saj.

“Në mars të vitit 2019, Presidenti përfundimisht emëroi tetë nga dhjetë anëtarët, duke i mundësuar KQZ-së të arrinte kuorumin, por mosmarrëveshjet përmes partive politike kryesisht koalicionit, vazhdojnë të mos kenë përfaqësues në KQZ. Kjo situatë duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në Raportin e Progresit për vitin 2019.

Tutje raporti thekson se KQZ-ja dhe në veçanti Zyra e Regjistrimit dhe Certifikimit të Partive Politike, duhet të forcojë kapacitetet e saj në mënyrë të konsiderueshme për të siguruar zbatimin efektiv të rregullave që qeverisin partitë politike dhe financat e fushatës.

Në fund të këtij raporti është përmendur edhe dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna.

“Në nëntor të vitit 2018, kryetarët e komunave veriore dhanë dorëheqje si reagim ndaj vendimit të qeverisë për taksën 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake. Më pas, zgjedhjet e jashtëzakonshme për këto komuna u mbajtën më 19 maj 2019, në një atmosferë të qetë. Në një kontekst të një konkurrence të kufizuar zgjedhore, Lista Srpska ishte e vetmja parti serbe e Kosovës që merrte pjesë. Kandidatët e tij në të katër komunat me fituan mbi 90%”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Analistët: Gjetjet e raportit për zgjedhjet, paraqesin gjendjen reale

Në lidhje me këto gjetje të Komisionit Evropian për vitin 2019, Valmir Ismaili nga ‘Demokracia plus’, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se paraqesin gjendjen reale në fushën e zgjedhjeve dhe partive politike në Kosovë.

Ismaili thotë se vonesa e emërimit të anëtarëve të KQZ-së ka sjelle probleme në funksionimin e këtij institucioni.

“Është e vërtetë që vonesat në emërimin e anëtarëve të KQZ-së kanë sjellë probleme të ndryshme edhe në funksionalizimin e vetë KQZ-së por edhe në mbarëvajtjen e punës së Kuvendeve Komunale (për shkak të mos-certifikimit nga KQZ një numër i anëtarëve komunal në Kuvende Komunale të ndryshme kanë mbetur për një kohë pa e dhënë betimin)”, tha Ismaili për gJnK.

Ndërsa sa i përket Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, Valmir Ismaili thotë se janë ndryshuar shumë drafte të këtij Ligj dhe sipas tij jo në mënyrë pozitive.

“Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton ligjin e ri ashtu siç është aktualisht, jo që nuk do të përmirësoj anën ligjore të financimit të subjekteve politike, por përkundrazi do të ketë zhvillime negative. Përderisa rekomandimet e Komisionit të Venecias flasin për një fuqizim të Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, projektligji aktual nuk e siguron një gjë të tillë por prapë të gjithë vendimmarrjen e përqendron të vetë KQZ që është organ i përbërë nga përfaqësues politik”, shton Ismaili për gJnK.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI thotë se reforma zgjedhore paraqet një nga proceset më të tej zgjatura politike, që ka mbetur pezull i mungesës së vullnetit politik të partive politike në Kosovë.

Cakolli po ashtu si Ismaili ngriti shqetësimet e tij në lidhje me Ligjin për Financimin e Partive Politike, i cili aktualisht është duke u shqyrtuar në komisionet e Kuvendit të Kosovës.

“Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike, është bërë në masë të madhe në shpërputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, meqenëse janë bërë ndryshime të shumta pas pranimit të këtij opinioni. Për më shumë, me këtë projektligj besoj që është shënuar regres i theksuar, pasi që partitë politike kanë vënë interesat e tyre të ngushte në rend të parë, duke anashkaluar kështu të gjitha standardet e transparencës dhe llogaridhënies”, tha Cakolli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Tutje ai tha se gjetja e Raportit të Progresit për fuqizimin e kompetencave të ZRPP-së në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me projektligjin aktual është vepruar në kundërshtim të plotë me këtë kërkesë, por edhe opinionin e Komisionit të Venedikut.

“Në rast të miratimit të këtij projektligji në versionin e tanishëm, besoj që raporti i ardhshëm do të paraqesë kritika dukshëm më të ashpra”, thotë tutje Cakolli.

Sipas tij themelimi i Komisionit ad-hoc për Përmirësimin dhe Forcimin e Sistemit Zgjedhor është iniciativë e duhur, por megjithatë paksa e vonuar.

“Rekomandimet në fjalë janë të grumbulluara dhe përsëritura për disa procese zgjedhore, andaj spektri politik është dashur që më herët të trajtojë me prioritet reformën zgjedhore, veçanërisht aspekteve teknike të saj”, shtoi Cakolli për gJnK.

Raporti i Progresit për vitin 2019 është publikuar me 29 maj dhe ka treguar për gjetjet e vendit për shumë fusha.

 

.