QKMF në Ferizaj - Foto: Facebook/KomunaeFerizajt

Qytetarët i ‘paguajnë’ dështimet e tenderit për mirëmbajtje dhe servisim të rëntgenit

Qytetarët e komunës së Ferizajt i kanë dy zgjidhje në rast se u rekomandohet nga mjeku një rëntgen i eshtrave: të shkojnë në ndonjë ordinancë private apo t’ia mësyjnë Prishtinës.

Kjo pasi, në këtë qytet dy rëntgen nuk janë funksionalë.

I pari ka dalë jashtë funksionit në muajin tetor të vitit të kaluar, kurse tjetri kishte probleme që nga muaji janar i vitit 2018, e është bërë tërësisht jofunksional që nga muaji mars.

Tërë këtë çmim qytetarët e kësaj komune po e paguajnë për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të kësaj Komune për të përmbyllur një proces të prokurimit që ka nisur verën e kaluar. Përkundër që gjatë tri dështimeve ka dhënë arsye të ndryshme për anulimin e tenderëve, kjo Komunë i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se tenderi është anuluar disa herë për shkak të ‘gabimeve në paramasë’.

Komuna e Ferizajt kishte shpallur njoftimin për tender për servisimin dhe mirëmbajtjen e rëntgenëve, aparaturën e mamografit dhe pajisjet laboratorike në korrik të vitit 2017. Ky tender ishte ndarë në tre lote, ndërsa vlera e parashikuar ishte 47 mijë euro.

Sipas njoftimeve të bëra publike në platformën elektronike të prokurimit, për herë të parë ky tender është anuluar me 14 gusht të vitit 2017. Në arsyetimin zyrtar në ‘njoftim për anulim’ thuhet se “për Lot I dhe II nuk është dorëzuar asnjë ofertë, ndërsa për Lot III është dorëzuar vetëm një ofertë e cila nuk ka qenë e përgjegjshme”.

Si pasojë e anulimit, QKMF-ja kishte mbetur pa kompani e cila do të rregullonte prishjet eventuale të këtyre aparaturave. Pak javë para se rëntgeni manual të dilte jashtë funksionit, pra me 18 shtator të vitit 2017, Komuna e Ferizajt kishte rishpallur tenderin.

Edhe kësaj radhe, ky proces i tenderimit ishte përballur me probleme. Me 9 tetor, Komuna e Ferizajt kishte anuluar për herë të dytë këtë tender. Kësaj radhe, me arsyetimin se ishin evidentuar probleme në hapje të ofertave.

“Në bazë të vërejtjeve të marra në hapje të ofertave nga komisioni i hapjes së ofertave konstaton se OE (Operatoret ekonomik) të cilat kanë ofertuar nuk u janë përmbajt rregullave të parapara në Dosjen e tenderit dhe rekomandon anulimin e kësaj procedure”, thuhet në njoftimin për anulim.

Dy ditë pas anulimit të dytë të këtij tenderi, QKMF-ja e Ferizajt mbetet pa rëntgenin manual, i cili del jashtë funksionit.

Këtë e konfirmon për Gazetën Jeta në Kosovë edhe drejtori i QKMF-së në Ferizaj, Asllan Bajrami.

“Aparati manual ‘Apelem’ është me defekt që nga 11 tetori 2017”, tha Bajrami.

Komuna e Ferizajt më 17 tetor e rishpall edhe njëherë ‘njoftimin për kontratë’ në lidhje me mirëmbajtjen dhe servisimin e aparaturave në QKMF. Fatin e njëjtë e përcolli edhe kësaj here këtë procedurë të tenderimit, e cila anulohet nga komuna më 4 dhjetor.

Në njoftimin për anulim thuhet se “specifikacioni (paramasa) për Lot I ishte jo e përpiluar si duhet, dhe për Lot II nuk kishte asnjë ofertues”.

Por me këtë anulim nuk ishte pajtuar kompania “Leomed”, e cila kishte ofertuar në këtë tender.

“Leomed” është ankuar pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili e ka gjetur të bazuar ankesën e këtij operatori ekonomik.

“Aprovohet, si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “Leomed” – Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Servisimi dhe Mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore në QKMF – Lot. 1 – Ri-tender III”, thuhet në vendimin e OShP-së.

OShP kishte kërkuar nga Komuna e Ferizajt që të kthejë lëndën në rivlerësim.

Pas këtij vendimi të OShP-së, Komuna e Ferizajt kishte anuluar ‘anulimin e tenderit’ me datë 15 shkurt 2018, mbi bazën e vendimit të OShP-së. Një muaj më pas, komuna kishte anuluar tërësisht aktivitetin e prokurimit mbi të njëjtën bazë, e cila ishte kontestuar nga vendimi i OShP-së.

“Anulimin e këtij tenderi me arsyetimin se paramasa me të cilën është tenderuar është gabim, sepse në pozicione nuk janë detajuar shërbimet të cilat duhet të kryhen në të gjitha pozicionet tek servisimet janë të njëjtat gabime dhe si tillë është e pa mundur realizimi i kësaj kontrate më këto pozicione”, thuhet në njoftimin për anulim të datës 28 mars të këtij viti.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga Komuna e Ferizajt për arsyet e anulimeve të shpeshta të këtij tenderi.

Sipas përgjigjes së pranuar nga Zyra e Prokurimit në këtë Komunë, në të gjitha rastet tenderi është anuluar për shkak të gabimeve në paramasë, ndonëse në njoftimet e anulimit në platformën e prokurimit elektronik janë shënuar arsye të ndryshme.

“Të gjitha herat arsyeja e vetme e anulimit është gabimi në paramasë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit në Ferizaj.

Drejtori i QKMF-së në Ferizaj, Asllan Bajrami, në përgjigjen e dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë, ka konfirmuar se aparati i dixhitalizuar i rëntgenit është jofunksional prej marsit të këtij viti.

“Aparati tjetër, i digjitalizuar, deri më 05.01.2018 ka funksionuar, fillimisht prej kësaj date ka mbetur pa filma të RTG – së, ne e kemi bërë kërkesën në Zyrën e Prokurimit dhe tenderi është shpallur, por nuk kemi njohuri se çfarë ka ndodhur. Ka vazhduar përdorimi i aparatit duke interpretuar imazhet vetëm nga monitori, deri më 14.03.2018 kur është bllokuar dhe nuk funksionon derisa të bëhet servisimi që ka qenë i planifikuar deri në atë kohë”, tha Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Komuna e Ferizajt, me 26 shkurt të këtij viti kishte shpallur tender për furnizimin me material për nevojat e rëntgenit digjital të QKMF-së. Kompania fituese e këtij tenderi ishte shpallur “Leomed”, e cila kishte ofertuar me vlerë prej 12,930.00 Euro. Njoftimi për dhënien e kontratës është bërë me 30 prill.