Mbledhja e Qeverisë (Arkiv)

Qeveria i largon në mënyrë të dyshimtë, Përparim Kabashin e Fadil Ismajlin nga gara për ZRrE

Pëparim Kabashi dhe Fadil Ismajli janë dy emrat e miratuar nga Qeveria për propozim Kuvendit për Kryesues të Bordit të ZRRE-së, të cilët në mënyrë të dyshimtë janë hequr nga lista pasi vendimi është publikuar.

Edhe pse në mbledhjen e Qeverisë ishin përmendur katër emra për t’iu dërguar Kuvendit për të zgjedhur Kryesuesin e Bordit të ZRRE-së, në vendimin e ekzekutivit të publikuar në ëeb faqe janë hequr nga lista dy emëra në mënyrë të pashpjegueshme.

Ne mbledhjen e Qeverise me date 24 korrik 2018, Kryeministri ka proceduar ne Kuvend 4 emra per kryesuesin e bordit te ZRRE-se.

Në komunikatën e Qeverisë të po të njëjtës datë, shkruan se me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, janë propozuar 4 kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, janë propozuar kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Në listën e të propozuarve janë: Fadil Ismaili, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi, dhe Bekim Jakupi. Lista e kandidatëve do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, i cili do të bëjë përzgjedhjen e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Përmbajtja e komunikatës ishte në përputhje me atë që ishte votuar në mbledhjen e qeverisë, në të cilin janë cekur se janë katër emra për kryesues të ZRRE-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se dy nga emrat që ministrat i kishin votuar për të hyrë në garë për kryesues të ZRRE-së janë hequr nga lista dhe vendimi. Në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës mungojnë emrat e Përparim Kabashit dhe Fadil Ismajlit. Aty janë vetëm Bekim Jakupi dhe Petrit Pepaj, të cilët duhet të marrin shumicën e votave të deputetëve për t’u bërë kryesues i Bordit të ZRRE-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur Zyrën për Media në ZKM se pse vendimi i publikuar është i ndryshëm me vendimin për të cilin kanë votuar ministrat e kabinetit të kryeministrit.

Ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës, por kanë dërguar një fjali për procedurat që sipas tyre funksinojnë në të gjitha rastet.

“Ne te gjitha raste, Qeveria e Republikës se Kosovës ndjek procedurat e përcjelljes se një vendimi, konform rregulloreve ekzistuese. Janë procedura që funksionojnë për të gjitha rastet”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Gazeta JnK ka kërkuar sqarime shtesë nga kjo zyrë, por edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-se, Fitim Krasniqi, por nuk ka marr përgjigje.

Gazeta ka kërkuar të dijë se cila është rregullorja në të cilën ZKM thirret dhe se kush ia mundëson yrës së Kryeministrit që të ndryshojë një vendim që e marrin të gjithë ministrat, pra kabineti qeveritar.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë është bërë me ndihmën teknike të ofruar nga Ambasada Britanike përmes partnerit të tyre.

Siç është procedura e vendosur bazuar në memorandumin në mes të Ambasadës Britanike dhe qeverisë së Kosovës, Komisioni britanik i propozon emrat që kanë hyrë në listën e ngushtë ndaras nga komisioni vendor.

Në procesin e rekrutimit për Kryesuesin e ZRRE-së, Ambasada Britanike ka rekomanduar këta emra të listuar sipas pikëve maksimale: Fadil Ismajli, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi dhe Bekim Jakupi.

Ndërsa Komisioni Qeveritar ka rekomanduar këta kandidat, të listuar sipas pikëve maksimale: Bekim Jakupi, Fadil Ismajli, Petrit Pepaj dhe Naim Sahiti.

Për Kryesuesin e Bordit të ZRRE-së do të votojnë deputetët. Vetëm njëri nga dy kandidatët që janë në vendimin e qeverisë, Petrit Pepaj dhe Bekim Jakupi mund të bëhen kryesues të Bordi të ZRRE-së.

Gjatë këtij viti, Kuvendi kishte përzgjedhur dy anëtarë të bordi të ZRRE-së, që sipas vlerësimit të partnerëve të Ambasadës Britanike nuk i plotësonin kushtet për të qenë pjesë e këtij bordi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se një nga vendimet e para të bordi të ZRRE-së ka qenë rritja e humbjeve të energjisë elektrike që do t’i faturohet qytetarëve të Kosovës.