Aeroporti i Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Qeveria e fsheh dëmin financiar që do t`ia paguajë kompanisë Limak

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë kërkesën nga kompania turke “Limak” që t’i paguajë dëmin financiar për shkak të grevës së kontrollorëve ajror.

Kompania turke “Limak” që e ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” i ka dërguar Ministrisë së Financave, përkatësisht Departamentit për Partneritet Publiko Privat kërkesën për kompensim të dëmit financiar.

Ky dëm financiar ka ardhur për shkak të grevës së kontrollorëve ajror. Këta të fundit kishin hyrë në grevë në mes të muajit shkurt.

Limak pretendon se janë anuluar në total 24 fluturime për shkak të kësaj greve. E këto anulime do të kenë kosto për Qeverinë e Kosovës – taksapaguesit kosovarë.

Kontrata që Qeveria e Kosovës e ka me kompaninë Limak në mes tjerash parasheh që palët që shkaktojnë dëme financiare për shkak të ndërprerjes së punës janë të obliguar që të kompensojnë dëmin e shkaktuar.

Se një kërkesë e tillë nga Limak i ka arritur Qeverisë, e kanë konfirmuar nga Ministria e Financave në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Po kemi pranuar një kërkesë të tillë. Siç ju kemi cekur edhe më herët  Njësia e PPP-së do t`i shqyrtojë të gjitha pretendimet e palës, ashtu siç edhe parashihet me kontratën për të drejtat dhe përgjegjësitë e palëve nënshkruese të kontratës. Dhe po ashtu njësia e PPP-së do ta informoj për çdo gjë edhe Ministrinë e Infrastrukturës, si institucion përgjegjës për menaxhimin e ASHNA-së”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Financave për Gazetën Jeta në Kosovë.

Madje, në lidhje më kërkesën e Limak janë njoftuar dhe anëtarët e Komitetit të PPP-së. Anëtarë të këtij komiteti janë përfaqësuesit e ministrive tjera të linjës.

Gazeta JnK ka tentuar që të marrë përgjigje nga Ministria e Financave për të kuptuar se sa është shuma që Limak e kërkon si kompensim.

Mirëpo, në komunikimin e fundit me Gazetën JnK, Ministra e ndërron përgjigjen.

Në përgjigjen e fundit, Ministria deklaron ndryshe në krahasim me përgjigjen parë. Tani thonë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për kompensim por vetëm njoftim për këtë rast.

“Në adresën tonë, me datë 20.02.2019, kemi pranuar njoftimin nga Partneri Privat duke u thirrur në nenin përkatës të Kontratës, për këtë ngjarje, duke theksuar se “Ky njoftim nuk paragjykon të drejtat dhe mjetet juridike të LKIA-s sipas Marrëveshjes PPP lidhur me ngjarjen e sipërpërmendur”. Pra nuk kemi pranuar “kërkesë për kompensim të dëmit financiar”, por një komunikim dhe njoftim për këto raste, siç është paraparë me kontratë”, thuhet në përgjigjen e fundit të Ministrisë së Financave.

Gazeta JnK, ka kërkuar sqarime për këto përgjigje krejtësisht të kundërta nga i njëjti institucion, mirëpo zyra për media e ministrisë përsëri deklaron se nuk kanë marrë kërkesë, por vetëm njoftim.

Në lidhje më kërkesën për shumën e kompensimit të dëmit, nuk janë përgjigjur as nga kompania Limak.

Ata nuk u janë përgjigjur pyetjes së Gazetës se sa është dëmi financiar që ata pretendojnë se ju është shkaktuar nga kjo grevë dhe që ia kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës, ndonëse ka rreth 1 javë më parë i kanë pranuar pyetjet.

Edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit thonë se Limak nuk ka kërkuar dëmshpërblim, por vetëm ka njoftuar për gjendjen e krijuar gjatë grevës.

“Kompania Limak nuk ka kërkuar dëmshpërblim por vetëm ka njoftuar për vështirësitë në funksionim gjatë periudhës së grevës e cila tashmë ka përfunduar dhe çdo gjë i është kthyer normalitetit”, ka thënë Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë javën e kaluar publikoi hulumtimin ku tregohej që kontrata ndërmjet Qeverisë dhe Limak që e ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e parasheh kompensimin financiar për këto raste.

Madje këtë e kishte konfirmuar edhe kompania Limak në një përgjigje për Gazetën JnK.

“Dëmet ekonomike në raste të tilla janë çështje të definuara me marrëveshjen e Partneritetit Publiko-Privat që ne kemi me Qeverinë e Kosovës dhe si të tilla janë të garantuara. Në bazë të kontratës, dëmet financiare nga ndërprerja e punës e shkaktuar nga njëra palë duhet të kompensohen dhe kjo është e obligueshme për të gjitha palët”, kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, zyra për media e kompanisë “Limak”.

Limak do t’i kërkojë dëmshpërblim Qeverisë për grevën e kontrollorëve ajrorë

 

Se dëmet financiare që i janë shkaktuar kompanisë Limak do t’i faturohen Qeverisë së Kosovës për shkak të grevës së kontrollorëve ajror e ka konfirmuar edhe kryesindikalisti i grevistëve, Artan Hasani.

 

https://kallxo.com/kryesindikalisti-i-kontrolloreve-ajror-qeveria-e-di-se-duhet-ti-paguaje-demet-financiare-ndaj-limak-ut/

Ministria e Financave nuk është përgjigjur as në pyetjen se nëse Departamenti për Partnerit Publiko Privat që funksionon në kuadër të kësaj ministrie e ka lajmëruar Qeverinë se do të duhet të paguajnë dëmin financiarë ndaj “Limak” për shkak të grevës.