Qeveria dhe Shtypi Serb në Fushatë Kundër BIRN-it

Fushata njëvjeçare në media kundër BIRN kulmoi të enjten, më 9 janar, kur një informator proqeveritar shpifi kundër BIRN-it dhe Delegacionit të BE-së në Serbi, duke i cilësuar si mafia të përfshirë në shantazhe reketi.

E përditshmja tabloide botoi një artikull ku theksohej që BIRN, në emër të BE-së, ka “sulmuar qeverinë serbe për korrupsion dhe krim”, sepse – siç pretendonte tabloidi – qeveria ka kundërshtuar kërkesën e BIRN-it dhe të BE-së për t’ia dhënë kontratën për tharje në minierën Tamnava një kompanie të huaj.

Profesionistët e medias, aktivistët e OJQ-ve dhe ekspertët ligjorë e cilësuan këtë fushatë kundër BIRN-it, e cila arriti kulmin javën e kaluar, si shtypje e çdo kritike ndaj kryeministrit të qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiqit. Ata besojnë që fushata kundër BIRN-it është menduar që t’i paralajmërojë të gjitha mediat e tjera lidhur me stuhinë që i pret nëse guxojnë ta kritikojnë shtetin.

Ekspertët dhe analistët gjithashtu theksojnë që Vuçiq nuk mund ta trajtojë asnjë mbulim medial që tregon paligjshmëri në regjimin e tij, dhe se kjo do ta dëmtonte imazhin që Kryeministri e ka zhvilluar me mund – të një burrshtetasi të përsosur dhe të pakorruptuar. Ata besojnë që kryeministri serb, i cili e ndërtoi popullaritetin e tij në luftën kundër korrupsionit, nuk mund të lejojë askënd në asnjë rrethanë që ta cenojë këtë imazh.

Më 8 janar, BIRN publikoi një hetim në të cilin thuhej se kompania shtetërore serbe e energjisë, EPS, i kishte dhënë kontratën për tharjen e minierës Tamnava një konsorciumi të dy kompanive pa asnjë përvojë relevante, njëri prej drejtorëve të së cilit konsorcium është në gjykim për evazion fiskal.

Kjo nxiti një fushatë njëvjeçare kundër BIRN-it, e cila shpërtheu më 9 janar, kur kryeministri serb e quajti BIRN-in “gënjeshtar”.

“Thuaju atyre gënjeshtarëve se kanë gënjyer përsëri. Kjo është e tëra që kam për të thënë.” tha kryeministri.

“Është me rëndësi që njerëzit ta dinë [kush e ka publikuar hetimin],” shtoi ai. “Ata morën para nga [Michael] Davenport [kreu i delegacionit të BE në Beograd] dhe BE-ja për të folur kundër qeverisë serbe”, vazhdoi Vuçiq.

Ndërkohë BE-ja ka kundërshtuar pretendimin e kryeministrit se Brukseli financon BIRN-in për të përhapur pasaktësi në lidhje me administratën e tij, duke i përshkruar ato si “të pabaza”.

“BE-ja mbështetë gazetarinë e pavarur dhe të guximshme dhe lirinë e fjalës në tërë Evropën dhe më gjerë. Liria e shprehjes është parim bazik i demokracisë,” tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Politika Fqinjësore dhe Negociata të Zgjerimit.

Vuçiq pastaj u përgjigj duke e akuzuar Kocijançiq se ajo po përpiqet ta heshtë atë në emër të BE-së.

“Serbia e mbështetë gazetarinë e pavarur dhe të guximshme, dhe liria e shprehjes është parim themelor demokratik,” tha ai.

Vetëm një gazetë e përjavshme me tirazh të vogël në Serbi e botoi sërish hetimin e BIRN-it dhe disa të tjera vendosën vegëza të stories në faqet e tyre të internetit, por pothuajse të gjitha raportuan për pretendimet e Vuçiqit për gënjeshtra të BIRN-it.

Mësim për të tjerët: nuk ka hapësirë për kritikë

“Mesazhi është i qartë – nëse e kritikoni regjimin, qeverinë dhe Vuçiqin, atëherë jeni tradhtarë, gënjeshtarë dhe mercenarë të huaj,” tha për BIRN-in Vukashin  Obradoviq, udhëheqës i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur në Serbi, NUNS.

Duke komentuar për akuzat e fundit të kryeministrit Vuçiq, Obradoviq gjithashtu tha se kjo retorikë është e papranueshme në një shoqëri demokratike, pavarësisht nëse hetimi i BIRN-it përfshin gabime apo jo.

“Sulmet ndaj BIRN-it janë veprime të sinkronizuara nga disa qendra me një porosi shumë të qartë për të gjithë – jo vetëm për BIRN-in – të cilët angazhohen për gazetari hulumtuese dhe qasje kritike në shoqëri,” shtoi ai.

Pasojat e reagimeve të Vuçiqit dhe mediave të etabluara, të cilat përgjithësisht injoruan gjetjet e hetimit, por nxituan që t’i hedhin poshtë gjetjet e BIRN-it, janë më të gjera për shoqërinë në përgjithësi, tërheqë vëmendjen z. Obradoviq, duke shtuar se ato do të kenë ndikim edhe mbi opinionin publik edhe mediat në Serbi.

Tamara Skroza, anëtare e Këshillit për Media të Serbisë dhe gazetare e së përjavshmes Vreme, i sheh sulmet mbi BIRN-in si “thirrje për linç”.

“Qëllimi është që gazetarëve të mos u lejohet që të angazhohen sa duhet në gazetari, sepse nëse e bëjnë këtë do duhet të shkelin mbi interesat e disa personave të caktuar. Kam frikë për atë se çfarë do tu ndodhë të gjithë gazetarëve në Serbi,” shton ajo.

Vesna Rakiq-Vodinelliq, profesoreshë e drejtësisë nga Universiteti Union në Beograd, tha se sulmi mbi BIRN-in është thjeshtë “një akt tjetër i qeverisë në kuptim të frikësimit të mediave dhe privimit të lirisë së mediave.”

“Ai i percepton si mediat armiq të natyrshëm,” tha Rakiq-Vodineliq duke iu referuar Kryeministrit të Serbisë.

Ola Kovaçeviq, udhëheqëse televizive në transmetuesin publik të Serbisë – RTS, tha se nëse ka informata të pavërteta lidhur me hetimet e BIRN-it, ata që janë prekur nga to mund t’i mohojnë ato.

“BIRN është i obliguar që t’i publikojë ato. Deri tani nuk është parashtruar ndonjë përgënjeshtrim, por [hetimi] është duke u interpretuar nga deklaratat dhe fushatat e Kryeministrit dhe disa mediave kundrejt gazetarëve të BIRN-it, që është edhe e pavend dhe e padenjë” tha Kovaçeviq.

Ajo tha se disa pyetje kyçe të cilat janë parashtruar gjatë hetimit të BIRN-it kanë mbetur të pazgjidhura.

“Ende nuk është e qartë se çka është e vërtetë e çka jo në atë tekst… si është dukur tenderi, përse përfaqësuesit e kompanive [që e kanë fituar atë tender] nuk i kanë komentuar këto zhvillime, e mbi të gjitha deri kur do të mbetet miniera nën valë.

“Nuk është pyetja kryesore këtu se kush e financon BIRN-in, veçanërisht marrë parasysh faktin se financat janë transparente. Paratë e BE-së nuk mund të shihen si të mirëseardhura kur financojnë projektet shtetërore, dhe armiqësore kur financojnë projekte mediale,” tha Kovaçeviq.

Ilir Gashi, nga Fondacioni Sllavko Quruvija, tha se sulmet e fundit mbi BIRN-in nuk përbëjnë befasi, por vazhdimësi të fushatave të ngjashme të mëhershme.

“Sulmet e tilla flasin vetë sa i përket lirisë së mediave në Serbi sot,” tha Gashi.

Ai beson se mediat në Serbi janë tepër të ndikuara, gjë që u shpërfaq rishtas me mbulimin e hetimit të BIRN-it.

Ai tha se pothuajse asnjë shtëpi mediale nuk e publikoi artikullin dhe askush nuk bëri bujë kur KM e akuzonte BIRN-in për gënjeshtra dhe askush nuk debatoi mbi gjetjet e BIRN-it.

“Në aspekt afatgjatë,  kjo është çështje më serioze. Një ditë kjo qeveri e ky Kryeministër nuk do të jetë më në pushtet, por atëherë mund të mos ketë më fare media për t’i parashtruar këto pyetje,” tha Gashi.

Imazhi i luftuesit të korrupsionit vihet në rrezik

Alleksandar Vuçiq, Kryeministër i Serbisë dhe udhëheqës i Partisë Progresiste në pushtet, popullaritetin e vet e kishte fituar me luftën kundër korrupsionit që qeveria e tij e ka proklamuar pas ardhjes në pushtet në vitin 2012.

Që nga zgjedhjet e përgjithshme të majit të vitit 2012, kur ata fituan përkrahjen e rreth 24 për qind të votuesve, ata e kanë dyfishuar popullaritetin dhe tani gëzojnë përkrahjen e rreth 50 për qind të popullatës.

Arsyeja e reagimit të ashpër të Vuçiqit është se me hetimin e BIRN-it mund të jetë “ngacmuar zgjoin i grerëzës, duke prekur Progresistët pikërisht në temën që i solli në pushtet,” tha për BIRN Jellena Milliq, Drejtoreshë e Qendrës për Studime Euroatlantike, CEAS, me seli në Beograd.

“Ai [Vuçiqi] ka zhvilluar një imazh të një [lideri] të përkryer e të pastër. Ka mundësi që BIRN t’i ketë hapur rrugë rivlerësimit të imazhit të tij publik,” tha Milliq.

Duke komentuar takimin e Vuçiqit me kreun e Delegacionit të BE-së në Beograd, Michael Davenport, më 13 janar, Milliq thotë se është “e rrezikshme dhe e papërgjegjshme mënyra se si mediat i kanë etiketuar këto [sulme mbi BIRN-in] si konflikt mes BE-së dhe Vuçiqit”.

“Ky nuk është konflikt mes BE-së dhe Vuçiqi. Ai [Vuçiqi] ishte ai që shkaktoi konflikt edhe me BE-në edhe me lirinë e shprehjes në Serbi,” tha Milliq.

Nedim Sejdinovic nga Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës tha për BIRN se situata aktuale i ngjan shumë situatës së viteve të 90-ta, kur diktatori Sllobodan Millosheviq mbante nën grusht të fortë të gjitha mediat në vend.

Megjithatë, ai beson se ka dallim mes Millosheviqit dhe Vuçiqit, pasi që Millosheviqi i toleronte disa media të pavarura, gjë që nuk ndodh tani.

“Ai [Vuçiqi] dëshiron t’i mbajë nën kontroll të gjitha,” thotë Sejdinoviq.

Arsye tjetër për Kryeministrin për të ushtruar presion mund të jetë fakti se për momentin qeveria e Serbisë përballet me probleme serioze dhe duhet të nxisë situata të cilat kërkojnë vëmendje të publikut.

“Ky reagim i ashpër dhe i pabesueshëm përkrah tezën që [qeveria] është duke humbur durimin sepse ky regjim nuk ka zgjidhje për probleme kyçe sociale dhe politike,” tërheq vëmendjen Sejdinoviq.

Gjatë vitit 2015, Qeveria e Vuçiqit do të jetë e detyruar që të ndërmerr disa masa jopopullore, nga bërja e kompromiseve në lidhje me Kosovën e deri tek largimi nga puna e mijëra punëtorëve të sektorit publik.

Deklarata për BIRN e Sasha Jankoviq, Avokat i Popullit i Serbisë

“Shteti, përfshirë edhe funksionarët më të lartë të tij, jo vetëm që kanë për obligim që të mos kufizojnë dhe ndërhyjnë me lirinë e mediave, por edhe duhet të krijojnë kushte dhe të inkurajojnë ushtrimin e kësaj të drejte.

“Zyrtarët qeveritarë këtu një gjë të tillë e garantojnë shpesh deklarativisht, por në raste specifike, siç ishte ky rasti i BIRN-it, po shohim sjellje që prodhojnë efekt tërësisht të kundërt.

“Për fat të keq, kjo nuk është sporadike dhe pretendimet se po punohet për interesa të huaj nuk janë të reja, andaj mes tjerash edhe liria e mediave në Serbi është në krizë serioze, ndërsa gazetarët me të drejtë brengosen për këtë fakt, në veçanti duke marrë parasysh se ata kanë qenë edhe rishtas pre e sulmeve mbi ta.

“Pretendimet faktike duhet luftuar vetëm me fakte, ndërsa vlerësimet e ndryshme do duhej të jenë të mirëseardhura si fenomen, edhe kur nuk pajtohemi me to tërësisht. Është detyrim, e jo vetëm çështje e vullnetit të mirë, i të gjithë personave që mbajnë poste publike dhe i të gjithë neve që të adaptojmë këto vlera mirëfilli, jo vetëm deklarativisht.”

Një vit plot sulme nga Qeveria dhe mediat në Serbi Ndaj BIRN-it

• Në artikullin e saj të publikuar më 17 shkurt, ueb faqja E-novine deklaroi se “Belgrade Insight”, gazeta e publikuar në gjuhën e angleze e BIRN-it, është një shembull i manipulimit të medias dhe ideologji e ligë, duke deklaruar se ajo punon ngusht për Partinë Demokratike, dhe për liderin e atëhershëm të saj Dragan Djilas.

Artikulli pohon se BIRN në mënyrë të rreme paraqet veten si  organizatë mediale “hulumtuese”,  përderisa është “qeliza e saj politike financiare” që “thithë” fonde evropiane.

Gordana Igric, drejtoreshë rajonale e BIRN,  është akuzuar si një person që ka provuar t’i mbrojë vrasësit e kryeministrit të ndjerë serb, Zoran Djindjic dhe ta minojë operacionin policor të quajtur Sablja, gjatë së cilit u arrestuan disa nga vrasësit e Djindjic.

• Më 7 gusht, BIRN publikoi draft marrëveshjet në mes të qeverisë së Serbisë dhe linjës ajrore Etihad të Emirateve të Bashkuara Arabe.

BIRN zbuloi se, për 51 për qind të aksioneve në kompaninë e sapoformuar “Air Serbia”, shteti pagoi disa herë më shtrenjtë se anëtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe.

• Më 14 gusht, kryeministri Aleksandar Vucic i publikoi disa nga kontratat në një konferencë për shtyp,  duke fajësuar gazetarët për version të gabuar të marrëveshjeve, duke vënë në pikëpyetje qëllimet e tyre.

Kryeministri hodhi poshtë disa pjesë të draft kontratës të publikuar nga BIRN dhe insistoi se ato nuk i përfshinë në kontratën finale.

“Ata me gjasë kanë pranuar disa drafte paraprake”, tha ai. Vucic tha t’i ketë lexuar mohimet në artikullin e BIRN-it, për pretendimet se është pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, por komentoi: “Unë me të vërtetë nuk dua të besoj se përfaqësues nga Bashkimi Evropian mund të jenë të përfshirë në këtë gjë”.

Kryeministri tha se e përjavshmja Vreme,  e cila ripublikoi hulumtimin e BIRN-it, i takonte manjatit Miroslav Miskovic i cili është në pritje të gjykimit për korrupsion dhe është shndërruar në një simbol i politikës anti-kurrupsion të Vucicit.

• Gazeta e afërt me qeverinë “Informer”  publikoi një artikull në gusht nëpërmjet të cilit pretendonte se BE-ja në mënyrë sekrete po e financonte BIRN-in dhe CINS, marrëveshjet e të cilave me Komisionin Evropian kapnin shuma prej miliona euro.

• Sërish në gusht, “Informer”  shkroi se gazetarët e BIRN-it  dhe Qendra Për Gazetari Hulumtuese e Serbisë, CINS,  e cila gjithashtu punoi në hulumtim, po e gjurmonin kryeministrin serb, Aleksandar Vucic, duke bërë që ai t’i anulonte edhe pushimet verore.

• Duke cituar një burim anonim brenda Qeverisë,  gazeta pohonte se Vucic anuloi pushimet e tij në lumin Bor të Serbisë para dy jave pasi mësoi se “persona të dyshimtë” nga BIRN dhe CINS po qëndronin në të njëjtin hotel.

“Vucic anuloi pushimet për shkak të ‘spiunëve në hotel,”  thuhej në titujt kryesorë.

• Me artikullin e titulluar “Para të mëdha në sektorin jo qeveritar”  publikuar më 4 shtator në platformën online ”E Novine”, etiketohet drejtori rajonal i Rrjetit Ballkanin për Gazetari Hulumtuese si përfaqësues tinëzar i shoqërisë civile.

• Duke pohuar se Igric punoi për shërbimin sekret edhe gjatë viteve 90-ta, portali pretendon për një gjë të tillë nëpërmjet lidhjeve që ajo po i menaxhon në mënyrë që të sigurojë rrjetin e saj.

Më tutje thuhet se të gjitha paratë e donatorëve i janë shpërblyer Igric mbi tavolinën e kafesë.

Sipas “E-Novine” çdo grant i BE-së që jepet për organizatat mediale, paraprakisht është i përcaktuar për BIRN-in.

• Gjatë vjeshtës, gazetarët e “Informer”  kontaktuan BIRN-in disa herë duke i pyetur se në çfarë forma dhe sa paguhen gazetarët e BIRN-it, se a paguan BIRN taksa dhe se a punon BIRN për shërbimin e zbulimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA.

• Pasi BIRN tentoi t’i hulumtojë pohimet e deputetëve të opozitës të cilët akuzonin vëllain e Aleksandar Vucic se udhëhiqte një kompani që ishte e përfshirë në praktika të biznesit të paligjshëm, BIRN u vu përpara një tjetër valë sulmesh. [http://www.balkaninsight.com/en/article/confusion-lingers-over-serbian-pm-s-brother-alleged-business-deals]

Gazetarët e BIRN, përkrah edhe disa të tjerëve, shkuan për të hetuar pohimet e Zivkovic dhe Vucic dhe për të kërkuar dokumente për kompaninë, nga Regjistrimi i Bizneseve në Serbi, APR.

Vetëm disa ditë pasi afera e Andrej Vucic erdhi në qendër të vëmendjes , APR ndërroi procedurat duke kërkuar nga të gjitha ata që dëshirojnë të kenë qasje në dokumente, të mbushin një kërkesë më shkrim dhe ta nënshkruajnë.

Vetëm disa ditë pasi gazetarja e BIRN vizitoi APR dhe la emrin e saj, “Informer” publikoi një artikull më 31 dhjetor,  duke raportuar se cilat organizata kanë kërkuar të shohin dokumente rreth kompanisë që përdori emrin e Andrej Vucic.

“Informer” deklaroi se BIRN dhe CINS po shikonin dokumentet, sepse ato ishin të “orkestruara ” në mënyrë direkte nga Michael Davenport,  kreu i delegacionit të BE-së në Serbi.

“Davenport  dhe redaktorët e Rrjetit Ballkanin Hulumtues dhe CINS – dy organizata të financuara nga BE-ja– diskutojnë se si të “zbulojnë” Vucic-in,” shkroi “Informer”.

Në artikullin e njëjtë, “Informer” citoi një burim nga kabineti i Vucic-it i cili gjoja se kishte thënë se “është diskutabile se pse gazetarët kërkuan informata vetëm pas një takimi me Davenport-in” kur rasti është mbyllur kohë më parë.

Zoran Babic, deputet i opozitës së pushtetit të udhëhequr nga Partia Progresiste e Vucicit,  i tha “Informer” se qëllimi i atyre që po “fabrikojnë afera po e bëjnë në mënyrë që të destabilizojnë shtetin”.

• Pas këtij hulumtimi, Aleksandar Vucic u ftua në emisionin televiziv “Cirilica” më 3 nëntor 2014, që transmetohet në televizionin privat “Happy TV” me frekuenca kombëtare.

Vucic nuk përmendi BIRN-in dhe vëllain e tij, por sërish kritikoi BIRN-in për publikimin e kontratës së Air Serbia.

“Çfarë gazetar hulumtues? Kjo u bë nga Bashkimi Evropian, nga ata mercenarë të Bashkimit Evropian, të cilët nënshkruan se ata marrin para… Ata vlerësuan, ata të cilët morën 200,000 euro nga BE-ja, u mburrën dhe shkruajtën rrenë pas rrene”, tha Vucic.

• Më 7 janar,  vetëm një ditë pasi BIRN publikoi një hulumtim për minierën Tamnava të Serbisë,  e përjavshmja “Afera” publikoi një artikull ku thuhej se shtetet perëndimore kanë themeluar organizatat e tyre mediale duke synuar ta kontrollojnë Serbinë.

Gazeta pretendoi se BIRN, me një tjetër organizatë të panjohur,  po kontrollohen nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, teksa fondet po vijnë nga Komisioni Evropian.

Sipas të njëjtës gazetë, njëri nga ndikuesit direkt të politikës redaktoriale të BIRN-it ishte Michael Davenport,  kreu i delegacionit të BE-së në Serbi.

“Afera” më pas pretendon se BIRN po përgatit fushatë në pranverë për ta destabilizuar shtetin me një kërkesë të mjeshtërve të saj perëndimorë.

Pohimi që ata e kanë mësuar nga një burim se roli kryesor i BIRN-it është që “nën ombrellën e raportimit hulumtues, t’i kontrollojë autoritetet shteteve të ish Jugosllavisë dhe në këtë mënyrë, direkt i ndihmojnë shtetet perëndimore të cilat duan të kenë ndikim në Serbi”.

• Më 8 janar, BIRN publikoi një hulumtim rreth asaj se si kompania shtetërore, “Elektroprivreda Srbije”, EPS, i dha një kontratë minierës “Tamnava” për një koncorsium prej dy kompanive pa asnjë përvojë relevante ku njëri nga drejtorët e saj është në gjyq për evazion fiskal.

• Më 9 janar, Vucic denoncoi gazetarët e BIRN-it se “gënjeshtarë”.

“Është e rëndësishme për njerëzit që të dinë se [kush e publikoi hulumtimin]… Ata morën paratë nga z. Davenport [kreu i delegacionit të BE-së në Beograd] dhe BE-ja flet kundër Qeverisë Serbe,” tha Vucic në një konferencë për shtyp.

“U thuani atyre gënjeshtarëve se ata gënjyen sërish. Kjo është e tëra që kam për të thënë”, tha  Vucic.

• Më 10 janar, Vucic sërish pretendoi se BIRN po lobonte për kompani të huaja të panjohura për të fituar një kontratë për të renovuar minierën më të rëndësishme në Serbi.

“Ata që fituan grantet e juaja [BE-së] duke ndjekur procedura strikte,  tentuan ta shtyjnë Qeverinë e Serbisë për të pranuar ofertën nga kompanitë Ballkanike, e që ishte 23 milionë më shtrenjtë se sa ofertat e kompanisë serbe”, tha ai.