Qentë Endacakë-Rreziku dhe Problemet me Strehimore, Ligj e Inspektorë

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, dy javë para festës së Vitit të Ri, një grumbull i qenve endacakë kafshoi për vdekje një gjashtëvjeçar nga Fushë Kosova.

Rasti i Driton Jasharajt të komunitetit rom që kishte dalë për të mbledhur kanaqe për të siguruar bukën e gojës për familjen e tij, ngriti alarmin në vend lidhur me rrezikun nga qentë endacakë.

Autoritetet nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e tyre.

Numri i qenve endacakë në Kosovë sillet deri në rreth 9 mijë, bazuar në një përmbledhje që Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve i bëri punëtorisë së mbajtur në Bukuresht prej datave 17 deri më 29 qershor 2014.

Përmbledhja citon ligjërimin që bëri në punëtori Nol Kabashi, shef i kujdesit ndaj kafshëve në AVUK.

Lamir Thaçi, zyrtar informimi në AVUK, tha se ky institucion nuk ka të dhëna të sakta, por ka rekomanduar që Gazeta Jeta në Kosovë t’u referohet të dhënave të përafërta që janë përmendur në përmbledhjen e punëtorisë së mbajtur në Bukuresht.

Raste të rrezikut nga qentë endacakë kanë ndodhur në vazhdimësi dhe një numër i madh i qytetarëve ka lajmëruar policinë për këtë rrezik.

Zyra për Media e Policisë së Kosovës deklaroi se rastet më të shpeshta raportohen në rajonin e Prishtinës.

Vetëm në Komunën e Prishtinës, sipas policisë, gjatë vitit 2014 janë regjistruar 10 raste të sulmeve nga qentë endacakë.

Po ashtu nga kjo komunë përveç lajmërimit të rasteve të sulmit, janë bërë 64 ankesa nga qytetarët për rrezik nga qentë endacakë.

Ankesa ka pasur edhe nga komunat tjera. Nëntëmbëdhjetë ankesa janë bërë nga qytetarë të Podujevës, 15 nga Drenasi dhe 10 ankesa nga Obiliqi.

Ndërkohë, sipas policisë, në rajonin e Mitrovicës për vitin 2014, është raportuar një rast i rrezikimit nga qentë endacakë.

Ndërsa Komuna e Vushtrrisë, sipas policisë, qëndron më keq sesa Mitrovica, por nuk përmend sesa ankesa janë bërë nga qytetarët e kësaj komune.

Asnjë nga rastet e lartpërmendura, sipas policisë, nuk kanë qenë me pasoja fatale.

Policia thotë se nuk ka raste të lajmëruara zyrtarisht edhe nga rajonet tjera të Kosovës.

Por, derisa njerëzit i drejtohen Policisë për raste të sulmeve nga qentë, AVUK-u ankohet se nuk po mund të ndërmarrë veprime për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore.

Strehimoret në gjendje të mjerueshme

Ende nuk janë krijuar kushte nëpër strehimoret ku mbahen qentë endacakë dhe si pasojë një numër i madh i qenve mbesin jashtë tyre.

Në një rast në Pejë është gjetur se nuk ka trajtim të mirë të qenve endacakë.
Gazeta Jeta në Kosovë më 4 dhjetor 2014 ka raportuar për gjendjen e mjerueshme në strehimoren e Pejës.

Rreth 120 qenë të mbledhur në qytetin e Pejës ishin vendosur në strehimoren duke ju nënshtruar kushteve të rënda dhe vrasjes së pamëshirshme.

Përderisa një gjendje e tillë përcjellë edhe strehimore në qytete tjera të vendit,
AVUK-u arsyetohet se nuk po mund të ndërmarrë asgjë për shkak se po pret miratimin nga Qeveria e Kosovës të udhëzimit administrativ për licencimin e strehimoreve.

“Qysh mundesh të dërgosh vërejtje dikujt kur nuk e di saktë se çfarë vërejtje duhet dhënë”, ka thënë ai Thaçi.

Për Sazan Ibrahimin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kjo është mosgatishmëri e AVUK-ut për të marrë situatën nën kontroll.

“Ata e kanë miratuar ligjin që merret me trajtimin e qeneve i cili është hartuar nga ta, e aty thuhet se këto strehimore duhet të licencohen prej tyre, e pse nuk po i licencojnë ata?”, thotë Ibrahimi.
AVUK-u, sipas tij, nuk ka nevojë të presë miratimin e udhëzimit administrativ, por duhet të respektojë ligjin e miratuar.

Ibrahimi thotë se Ligji për Përkujdesje ndaj Kafshëve e përcakton qartë se kush e ka obligim të merret me një gjë të tillë siç është kontrolli dhe licencimi i strehimoreve.

Ligji për Përkujdesje ndaj Kafshëve, i miratuar në vitin 2005, në nenin 14, pika 14.1 e specifikon qartë se “Rezervatet, vendstrehimet e kafshëve pa pronar dhe vendstrehimet e kafshëve me pronar mund të mbahen vetëm pas marrjes së licencës nga ShVUK-u”.

AVUK-u, në kohën kur ishte miratuar ligji njihej si Shërbimi i Veterinës dhe i Ushqimit i Kosovës, ShVUK.

Kritikat ndaj ligjit

Sazan Ibrahimi i AKK-së jep kritika edhe lidhur me hartimin e ligjit. Thotë se autoritetet komunale nuk u konsultuan lidhur me përmbajtjen e tij.

Ligji po i duket i mangët. Një organizate joqeveritare, asaj “Kosovo Dog Project 2014” e cila në korrik të vitit 2014 ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Përkujdesje nga Kafshëve, nëpërmjet 10. 933 nënshkrimeve të qytetarëve që e kanë përkrahur këtë nismë.

Kjo organizatë kërkoi plotësimin e këtij ligji.

Ligji, sipas kësaj OJQ-je, duhet t’i shtohen nene që kërkojnë më shumë përgjegjësi nga pronarët në përkujdesjen për qentë dhe macet e tyre.

Po ashtu, sipas tyre, Qeveria duhet të kërkojë ndërtimin e më shumë strehimoreve në vend.

Numër i pamjaftueshëm i inspektorëve

Lamir Thaçi nga AVUK-u thotë se inspektorë veterinarë kanë AVUK-u dhe komunat.

Ai thotë se nuk ka inspektorë vetëm për qentë dhe se ata janë për të gjitha kafshët.

Sipas tij, AVUK-u ka përafërsisht 13 inspektorë veterinarë të brendshëm, ndërsa secila komunë e ka nga një inspektorë veterinar.

Thaçi thotë se ka komuna që nuk kanë as edhe një inspektor të vetëm.

Kurse Sazan Ibrahimi,, sa i përket inspektorëve, fajin i lë AVUK-ut duke thënë se këta të fundit kanë bërë një lloj dekoncentrimi të pushtetit në komuna.

Ai thotë se komunat e mëdha kanë inspektorë veterinarë, ndërkaq komunat e vogla nuk kanë fare.

Nismat komunale për trajtim te qenve

Kosova ka një ligj që rregullon përkujdesjen ndaj kafshëve. Është miratuar në vitin 2005.

Autoritetet komunale kanë ndërmarrë disa veprime në drejtim të trajtimit të qenve endacakë, vrasja e të cilëve është e ndaluar me këtë ligj.

Problemi me qentë endacakë ka bërë që Komuna e Prishtinës të krijojë Komitetin e Krizës.
Kryetari Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se për vitin 2015, komuna ka ndarë 150 mijë euro për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacakë.

Komuna hartoi edhe një draft-rregullore të cilën e propozoi para asamblistëve komunalë më 19 dhjetor të vitit të kaluar por që u kundërshtua nga ta me arsyetimin se kishte mangësi.
Ndërsa edhe komunat tjera kanë bërë përpjekje për trajtim të qenve duke kontraktuar kompani private.

Komuna e Prizrenit ka tenderuar shumën më të madhe për trajtimin e qeneve endacakë, prej 56 mijë e 700 euro për vitin e kaluar.

Ylber Batusha, person përgjegjës në Kompaninë “Ylber Batusha BI”, tregoi se kjo shumë e marrë nga komuna shfrytëzohet për ushqim, barna dhe kapjen e qenve si dhe për rrogat e punonjësve në strehimore.

Çmimi për trajtimin e një qeni është rreth 80 euro.

Kompani private ka kontraktuar edhe Komuna e Fushë Kosovës e cila në masë të madhe po përballet me problemin e qeneve endacakë.

Kjo komunë i ka ndarë dy tenderë për trajtimin e tyre për kompaninë e njëjtë, “NShT “KIDA FARM&VET”, njëri në mars të vitit 2014, kurse tjetri në dhjetor të po këtij viti.

Bedri Obërtinca, zyrtar në Komunën e Fushë Kosovës, thotë se nuk dihet numri i qenve endacakë në këtë komunë.

Ai tregon se pse janë ndarë dy tenderë në këtë komunë.

“Kemi pasur kërkesa nga qytetarët dhe Policia e Kosovës”, thotë Bedri Obertinca, zyrtar i kësaj komune.

Deri më tani, ai thotë të jenë trajtuar gjithsejtë 437 qen endacakë.

Prej gjithsej 38 komunave, njoftim për dhënie të kontratës për trajtim të qenve endacakë kanë publikuar vetëm 8 komuna: Drenasi, Ferizaj, Fushë-Kosova, Klina, Podujeva, Prishtina, Prizreni dhe Shtimja, përderisa 30 komuna nuk kanë publikime të tilla.

Fushë-Kosova ka ndarë dy tenderë që në total kapin shumën në vlerë prej 17 mijë e 217 euro. Drenasi ka po ashtu dy tenderë, në total 9 mijë e 914 euro.

Podujeva po ashtu ka dy tenderë, në vlerë prej 9 mijë e 50 eurove.