Foto: Atdhe Mulla

Qëndrimet e ndryshme mbi taksën dëmtojnë Kosovën

Mosmarrëveshjet publike midisi presidentit dhe kryeministrit të Kosovës në lidhje me tarifat e vendosura për mallrat nga Serbia dhe Bosnja po dëmtojnë pozicionin negociues të vendit, paralajmëroi një ekspert.

Mosmarrëveshjet midis liderëve të Kosovës mbi tarifat 100 për qind të importeve nga Serbia dhe Bosnja po dëmtojnë qëndrimin negociues të vendit me Serbinë, thonë disa ekspertë.

“Debatet midis kryeministrit dhe presidentit krijojnë nevojën për një marrëveshje të brendshme për çështjen e tarifave,” tha për BIRN një gazetar nga Prishtina, Agron Halitaj.

Presioni mbi Kosovën nga komuniteti ndërkombëtar për të tërhequr taksën e importit ka nxjerrë në pah qëndrimet e ndryshme të zyrtarëve të saj të lartë.

Presidenti Hashim Thaçi i ka bërë thirrje qeverisë së Ramush Haradinajt që të respektojë këshillat e SHBA-së dhe të tërheqë taksën, duke vënë në dukje se “SHBA-ja është e shqetësuar për zhvillimet aktuale dhe disa veprime të ndërmarra nga institucionet shtetërore”.

“Kjo situatë është për keqardhje.  Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit,” shkroi Thaçi në Facebook të shtunën.

Ai shtoi se asnjë dëshirë personale e ndonjë udhëheqësi shtetëror nuk duhet të guxojë të dëmtojë interesin shtetëror të vendit dhe interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe më gjerë.

“Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në,  i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë,” shkroi Thaçi.

Presidenti Thaçi më herët tha për Washington Post se Kosova duhet “të marrë parasysh heqjen e tarifave, nëse hapet një rrugë e qartë për arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare Paqeje me Serbinë”.

Kryeministri Haradinaj ka deklaruar vazhdimisht se kjo nuk do të ndodhë derisa Serbia të njohë pavarësinë e ish-krahinës së saj.

“Ne mund ta heqim që sot taksën, por kurrë nëse Serbia nuk është e gatshme të njohë Kosovën,” tha Haradinaj të mërkurën e kaluar.

Agron Halitaj tha se ishte e gabuar që presidenti të merrte përgjegjësi për çështje jashtë kompetencave të tij.

“Bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, Thaçi duhet të angazhohet për unitetin dhe jo për ndarjet brenda partnerëve të koalicionit qeverisës,” tha Halitaj. “Kjo sjellje thjesht dëmton qëndrimin e shtetit përballë Serbisë,” shtoi ai.

“Si një autoritet që përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë, Thaçi e ka për detyrim të mbështesë politikat shtetërore, në vend që të përhapë mosmarrëveshjet e tij me ta,” vazhdoi Halitaj.

Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Kosovës, javën e kaluar i bënë thirrje vendit të “pezullojë menjëherë” vendimin mbi taksat.

“Siç e kemi thënë edhe më herët, ne nuk mendojmë se Kosova përfiton ndonjë gjë nga kjo masë,” citohet të ketë thënë ambasada e SHBA-së për të përditshmen e Kosovës Koha Ditore javën e kaluar.

Zv/kryeministri dhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli tha për RTK të mërkurën e kaluar se Kosova nuk mund të kundërshtojë një kërkesë të qartë të Shteteve të Bashkuara.

“Nuk mendoj se kryeministri Haradinaj do të vepronte kundër interesave të Amerikës,” tha Pacolli, duke shtuar se ai do ta këshillojë atë që të marrë në konsideratë kërkesën e SHBA-së.

Qëndrimi i Haradinajt për këtë çështje u duk se u zbut më 14 janar, kur ai kërkoi thjesht një “garanci” për njohjen e ardhshme nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës do të heqë përkohësisht rritjen e tarifave vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar garanton se ne do të ulemi dhe do të nënshkruajmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë në njohjen reciproke,” shkroi ai në Facebook.

Duke folur për diplomacinë, Pacolli pranoi se qëndrimet e ndryshme të presidentit dhe kryeministrit kishin krijuar një lloj konfuzioni në lidhje me dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi një tarifë prej 10 për qind mbi mallrat serbe më 6 nëntor, duke cituar “sjelljen negative” të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe fushatës së saj ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës.

Vendimi për t’i rritur tarifat në 100 për qind u mor më 21 nëntor. Vendimi erdhi një ditë pasi Kosova nuk arriti të siguronte mbështetjen e dy të tretave të 192 shteteve anëtare të Interpolit për t’iu bashkuar organizatës ndërkombëtare të policisë, gjë për të cilën ajo fajësoi lobimin e Serbisë.

Kosova është akuzuar për shkelje të anëtarësimit të saj në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Por qeveria deri më tani i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të anuluar masën e ndërmarrë nga ana e saj.