Florent Mehmeti, aktor. Foto: Facebook

Pyetje Kulturore për Politikën

Në një komunikim të pazakontë me politikën, aktori Florent Mehmeti ka dërguar në KALLXO.com një varg pyetjesh të cilat ai ka vërejtur se politika nuk është duke i adresuar në këto ditë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Këto janë pyetjet e Florent Mehmetit, i cili përveç drejtor i Teatrit ODA në Prishtinë është edhe kryetar i Forumit Kulturor:

– A do të krijoni strategji kombëtare për zhvillimin e kulturës? Nëse p, si e paramendoni procesin e hartimit të saj? Kush duhet të jetë i përfshirë? Pse duhet të kemi strategji në kulturë?

– Cila do të jetë ministrja apo ministri i kulturës nëse e fitoni mandatin? A do të pranonit një personalitet që nuk i përket partive tuaja e që propozohet nga komuniteti kulturor? Pse?

– Sa do të duhej të ishte investimi publik (fondet publike) në fushën e kulturës për kokë banori në Kosovë, sipas jush?

– Si duhet të jenë raportet mes MKRS dhe institucioneve vartëse të saj? Çfarë mekanizmash parashihni që të krijoni institucione kulturore të nivelit qendror që janë më të qëndrueshme, më dinamike dhe kualitative dhe më afër qytetarëve? Sipas jush, në çfarë mase (përqindje) do të duhej të financoheshin institucionet kulturore nga buxheti shtetëror?

– Si e paramendoni mbrojtjen e krijuesve dhe krijimtarisë vendorë në kulturë?

– Si e shihni raportin e investimit publik në institucionet dhe iniciativat e pavarura kulturore në Kosovë? A jeni në dijeni për akterët që do të mund të ishin partnerët tuaj në këtë aspekt? A ka mekanizma të kulturës së pavarur në Kosovë me të cilët do të mund të bashkëpunonit? Sa projekte do të mbështetni brenda vitit për kulturën e pavarur? Cilat janë shumat që mendoni se i meritojnë si financim publik disa nga akterët e kulturës së pavarur?

– Cilat do të jenë investimet tuaja kapitale (infrastrukturore) në kulturë? Si do të menaxhohen dhe sa do të kushtojë mirëmbajtja e këtyre objekteve (nëse parashihni) dhe si do të sigurohen mjetet financiare për funksionimin e tyre?

– Cilat janë programet evropiane në fushën e kulturës që Kosova mund të marr pjesë aktualisht apo potencialisht në të ardhmen? Cilat janë obligimet dhe përfitimet e pjesëmarrjes në këto programe?

– Cili është versioni aktual i Ligjit për sponsorime për fushën e kulturës? A do ta ndryshoni dhe si e mendoni se duhet të jenë stimulimet në raport me sportin? Cilat janë praktikat ndërkombëtare?