Ilustrim

Pushues Po, Mallra Jo

Hapja e autostradës së parë të Shqipërisë, në qershor të vitit 2009, nga porti i Durrësit deri në kufirin e Kosovës, nuk ka arritur që të stimulojë afarizmin mes dy vendeve në ndonjë nivel të theksuar, ka treguar një analizë e Gazetës Jeta në Kosovë.

Pas shpenzimit të një shume prej 1 miliard euro për gjysmën e “Autostradës Patriotike’ nga ana e Shqipërisë, vlera e tregtisë mes dy vendeve ka shënuar një ngritje modeste, nga 26 milionë në vitin 2009 në 30 milionë në vitin 2010.

Faktikisht, në përqindje, niveli i eksporteve të Kosovës në Shqipëri ka shënuar rënie; Shqipëria në vitin 2009 ka pranuar 16 për qind të eksporteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2010 vetëm 10 për qind.

Shifrat për nëntë muajt e parë të vitit 2011 tregojnë se kërkesa për mallra të Kosovës nuk ka shënuar ndonjë rritje të theksuar që nga ajo kohë.

Në anën tjetër të kufirit, hapja e autostradës së ndërtuar nga konsorciumi turko-amerikan “Bechtel Enka” ka rezultuar në një ngritje të lehtë të importeve nga Shqipëria.

Produktet shqiptare përbëjnë 3.2 për qind të importeve të Kosovës në vitin 2010, që paraqet një rritje nga 2.8 për qind vitin e kaluar.

Importet e Kosovës nga Shqipëria kanë shënuar rritje të fuqishme këtë vit, megjithatë, kjo ka qenë rezultat e vënies së embargos mbi produktet e Serbisë në muajin korrik.

Ato kanë shënuar ngritje prej 25 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2011.

Marrë parasysh faktin se aktualisht është duke u ndërtuar autostrada nga ana e Kosovës, pjesa e parë e së cilës është hapur gjatë këtij muaji, dhe planet e Shqipërisë që t’ia japë në shfrytëzim Kosovës portin e Shëngjinit, udhëheqësit afaristë janë optimistë se në aspektin afatgjatë lidhjet do të forcohen edhe më tej.

Ngadalë tregtia po shtohet

Vlera e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria përmes vendkalimit të Vërmicës, që gjendet në autostradën e re, është ngritur gjatë viteve 2009 dhe 2010, nga 114 milionë euro në 192 milionë euro. Këto shifra përfshijnë importet e mallrave të Shqipërisë, si dhe të mallrave nga shtetet tjera që kalojnë në Kosovë përmes Shqipërisë.

Por, roli i autostradës në këtë rritje mbetet i paqartë, pasi që edhe vlera e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia është ngritur në mënyrë të theksuar gjatë kësaj periudhe nga 219 në 278 milionë euro.
Ky nivel i tregtisë është bindshëm më i ulët se sa niveli që shënohet në Han të Elezit në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, ku vlera e importit të mallrave gjatë vitit 2010 ka qenë 696 milionë euro, me një ngritje modeste prej 11 milionësh nga viti i kaluar.

Mallra me vlerë prej rreth 173 milionë euro janë eksportuar nga Kosova përmes Hanit të Elezit në vitin 2010, që shënon ngritje prej 95 milionë euro, kundrejt 37 milionë euro mallra të eksportuara përmes Vërmicës gjatë vitit 2010 dhe 21 milionë euro gjatë vitit 2009.

Andrea Capussela, ish-drejtor i departamentit për ekonomi në Zyrën Ndërkombëtare Civile, tha se ndërtimi i një autostrade të re ka pasur pak justifikim ekonomik, marrë parasysh rëndësinë e portit të Selanikut, të cilit mund t’i qaset përmes Maqedonisë.

“Autostrada drejt portit të Durrësit kishte për qëllim që të sigurohet një alternativë për Selanikun, por porti i Durrësit është shumë më i vogël, më joefikas dhe vuan më shumë nga baltëzimi”, tha ai.

“Integrimi ekonomik mes dy shteteve shqiptare do të shtohet pa dyshim, dhe nuk ka rrezik gjeopolitik për rrugën përmes Shqipërisë, gjë që nuk është e vërtetë për rrugët nëpër Serbi dhe Maqedoni”, shtoi ai.

“Por, i domosdoshëm ka qenë përmirësimi i rrugës aktuale me dy korsi, gjë që ka mundur të bëhet me një kosto më të ulët.”

“Autostrada me katër korsi është dashur të pret deri në momentin kur ajo do të justifikohej me ngritje të nivelit të tregtisë dhe trafikut mes dy vendeve. Ky projekt nuk është ekonomikisht i arsyeshëm, dhe nuk është befasues fakti që kapitali privat ka qëndruar më larg prej tij.”

“Qeveria e zhvilloi atë pa e planifikuar si duhet, pa e studiuar qëndrueshmërinë e tij dhe pa i pasur të siguruara financat: e vetmja arsye për të ndërtuar këtë autostradë gjendet në vetë emrin e tij: kjo është një autostradë patriotike.”

Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza, nuk pajtohet me këtë dhe thotë se autostrada kishte rezultuar me një shtim të madh të tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Tregtia ndërkufitare që është zhvilluar përmes Vërmicës është shtuar gjatë tri viteve të fundit me më se 100 për qind,” tha ai.

“Të dhënat na bëjnë me dije se vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë është shtuar me rreth 50 për qind gjatë të njëjtës periudhë,” shtoi Hamza.

Çfarë ndodhi me portin?

Bizneset në Kosovë mendojnë se forcimi i lidhjeve me Shqipërinë është interes kombëtar, veçanërisht nëse Shqipëria e mban fjalën e vet dhe ia jep Kosovës kontrollin mbi portin e Shëngjinit.

Në vitin 2006, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u pajtua që t’ia japë me koncesion Kosovës këtë port, i cili gjendet shumë pranë “Rrugës së Kombit”.

Por bizneset thonë se është bërë pak progres për ta vënë në veprim këtë koncesion.
Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se tregtia me Shqipërinë duhet të shtohet marrë parasysh lidhjet mes këtyre dy shteteve dhe humbjen e importeve nga Serbia.

Ai vlerëson se ekzistojnë disa arsye përse këto dy shtete nuk janë edhe më ngushtë të lidhura mes veti.

“Arsyet përfshijnë çështje që nga konkurrenca nga jashtë deri tek fakti që të dyja shtetet ende varen në masë të gjerë nga importi, për shkak se produktet e tyre vendore mbeten të pakta dhe jocilësore,” tha Shahini.

“Infrastruktura rrugore [përmirësimet] do të kishin më shumë kuptim nëse Qeveria e Kosovës do ta kuptonte dhe shfrytëzonte në mënyrë të mirëfilltë potencialin e Portit të Shëngjinit, gjë për të cilën liderët e të dy vendeve janë zotuar para disa vitesh.

“Duke mos u bërë asgjë, bizneset vazhdojnë ta shfrytëzojnë Portin e Selanikut, më shumë,” tha Shahini.

“Buxheti i Kosovës për 2012 nuk përfshin fonde për investime në portin e Shëngjinit,” theksoi ai.

Ramiz Kelmendi, një nga afaristët më të mëdhenj të Kosovës, pronar kompanisë për shpërndarje të produkteve ushqimore Elkos Group, tha se bizneset e Kosovës do ta shfrytëzonin Shëngjinin nëse qeveria do ta bënte atë të realizueshëm.

“Mirëpo Qeveria e Kosovës duhet ta ndërmarrë iniciativën. Atë nuk mund ta ndërmarrin bizneset private,” tha Kelmendi.

Gjithashtu, Safet Gerxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, beson se qeveria duhet ta shfrytëzojë më mirë këtë mundësi.

“Shëngjini mund të ketë rëndësi shumë të madhe për ekonomitë e të dyja shteteve, posaçërisht pas ndërtimit të autostradës, por qeveria jonë nuk ka bërë asgjë në lidhje me këtë, dhe nuk ka dhënë shpjegime pse jo,” tha ai.

Zëvendëskryeministri dhe Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se pyetjet për portin duhet të adresohen te Ministria e Transportit.

Mirëpo as ministria që tani ka emër tjetër, Ministria e Infrastrukturës, as Ministria e Financave nuk u përgjigjën në pyetjet e gazetës, deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.