Pushteti për Vullnet

Në kohën kur ishte redaktor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, Arbën Xhaferi kishte shkuar në Beograd për ta marrë një film të ri. Pasi kishte kuptuar se Televizioni i Beogradit do ta transmetonte filmin pas dy ditësh, ai ishte kthyer menjëherë në Prishtinë. Gjatë rrugës i kishte përkthyer titrat, e me të mbërritur kishte kërkuar përpunimin elektronik. Në mbrëmje, filmi ishte shfaqur. Kosova po e shihte para Serbisë.

Kjo natyrë e angazhimit dhe satisfaksionit intelektual është vështirë e shpjegueshme dhe e kuptueshme në ditët e sotme. Kanë ndryshuar kohët, kanë ndryshuar njerëzit, kanë ndryshuar vlerat.

Patriotizmi është relativ. Për dikë, barazohet vetëm me kapjen e pushkës; për tjetrin, paraqet angazhimin konkret, material ose financiar; për të tretin, simbolika e flamurit është fillimi dhe mbarimi; për të katërtin, patriotizëm është ofrimi i një libri, një filmi. Etj.

Te ne, tash, suksesi dhe e arritura nuk e kanë as më të voglën ndërlidhje me intelektualen. Edhe më keq: suksesi personal shpesh është në proporcion të zhdrejtë me ndikimin intelektual. Të suksesshëm janë ata që nuk dinë/nuk mund të ndikojnë intelektualisht në përshpejtimin e zhvillimit shoqëror. Dhe anasjelltas.

Kultura, arti, shkenca – pra mendimi dhe e bukura, janë të pagjasa përballë yryshit të mediokritetit.

Që prej udhëtimeve të tij të lodhshme me “Fiat 126” në relacionin Prishtinë-Tetovë, në fillimin e viteve ’90, pastaj me betejat institucionale, angazhimin politik në luftën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë, etj., Arbën Xhaferi ishte shndërruar në udhëheqës të transformimit të realitetit shoqëror dhe politik të shqiptarëve të Maqedonisë.

Çfarë do të ndodhte sikur Arbën Xhaferi të ishte marrë vetëm me shkrime gjatë 20 vjetëve të fundit?

Do të kishim vepra të nivelit ndërkombëtar në shkenca sociale. Dhe një pozitë shumë më të pafavorshme politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Njeriu i përgjegjshëm Arbën Xhaferi e sakrifikoi karrierën intelektuale për atë të intelektualit publik shqiptar.

Se sa do të vlerësohet kjo në të ardhmen, nuk ka asnjë lidhje me të, por me vetëdijen dhe moralin e atyre për të cilën e bëri sakrificën.

Në shoqëritë ku sundon rregulli, intelektuali publik është nxitës i debatit shoqëror dhe ka ndikim në analizimin ideor të proceseve të rëndësishme.

Në shoqëritë me probleme të mëdha, intelektuali publik është një udhëheqës universal shpirtëror dhe politik, me ndikim praktik dhe ekzekutiv, përveç atij ideor.

Të bëhesh intelektual publik i një populli të vogël dhe të pazhvilluar gjithmonë është vendim me peshë historike. Në raste të tilla, kërkesa “e jashtme” (grupe të caktuara shoqërore, “momenti historik”) përputhet me potencialin dhe ndjenjën e përgjegjësisë “së brendshme” të individit. Është udhëkryqi më fundamental i një intelektuali kur ai shndërrohet në intelektual publik.

Fatkeqësia e vendeve si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia është se vlerësimi i rolit të intelektualëve publikë është i lidhur ngushtë me ndryshimet politike. Ka ndodhur me intelektualët publikë në Kosovë, në Shqipëri, do të ndodhë edhe me Arbën Xhaferin.

Origjinaliteti dhe thellësia do të kujtohen si karakteristikë e mendimit xhaferian. Efektshmëria e aparatit të tij argumentues për çështjet më delikate shoqërore mbështetej në kombinimin e qasjes filozofike me shfrytëzimin e informatave të përditësuara. Me Platonin, Aristotelin, Niçen, Frojdin… i shpjegonte shqiptarët dhe raportet me maqedonasit, serbët, Ballkanin, Europën. 

Lexuesit e eseve të  tij filozofike për kulturën, religjionin, pushtetin, kombet, globalizimin, identitetin, ndryshimet gjeostrategjike, e të tjera, do ta kenë krijuar ndjenjën e krenarisë për pasjen e një intelektuali publik shqiptar i cili mund të kontribuonte lokalisht në debatet e zhvilluara globalisht.

Është mëkat që ato nuk janë përmbledhur dhe përkthyer në gjuhë të huaja, por kanë mbetur vetëm brenda realit shqiptar.

Në rrethana normale, çdo periudhë kohore e krijon gjeneratën e vet të intelektualëve të rëndësishëm publikë. Pastaj, me gradualitet bëhet ndryshimi i saj me gjeneratën pasuese.
Te shqiptarët, deformitetet strukturale në zhvillimet shoqërore e kanë pamundësuar këtë. Kemi individë që e kanë mbajtur peshën për të gjithë.

Prandaj, dhemb shumë vdekja e Arbën Xhaferit.