Punët e Kosovës në Vitin 2014

Kosova hyn në vitin 2014 me 38 qeveri të reja lokale, nëntë prej të cilave udhëhiqen nga kandidatët e Listës Serbe të përkrahur nga Beogradi.

Ata u zgjodhën kryetarë komunash në fund të vitit të kaluar në zgjedhjet lokale që vunë themelet e krijimit të një Asociacioni autonom të Komunave Serbe, që pritet të formohet këtë vit.

Ky asociacion që do të ketë kompetenca të zgjeruara, do të përfshijë edhe katër komunat serbe të veriut: Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Parakusht për formimin e asociacionit është shpërbërja e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi, të cilat kanë udhëhequr këtë pjesë të vendit që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Ende është e paqartë se nën çfarë statuti do të operojë ky asociacion. Zyrtarët e Beogradit kërkojnë që të jetë në vijë me ligjet e Serbisë, përderisa autoritet në Prishtinë thonë se asociacioni duhet të jetë një organizatë joqeveritare.

Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe ka qenë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në Bruksel më 19 prill 2013.

Alternativat dhe pengesat

Duke ndjekur konkluzionet e marrëveshjes “historike” të 19 prillit, Këshilli i Evropës ka autorizuar fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së, në qershor.

BE-ja planifikon që të kompletojë negociatat me Kosovën në pranverë të këtij viti dhe të nënshkruajë MSA-në në verë.

Deri atëherë, Kosova do të duhet të përmbushë kriteret kryesore të vendosura nga BE-ja në Dokumentin e Strategjisë së Zgjerimit.

“Vëmendje e posaçme do t’i jepet luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimit të reformave në administratën publike dhe në gjyqësor, sigurimit të të drejtave të minoriteteve, duke përfshirë romët dhe adresimit të çështjeve tregtare”, thuhet në këtë dokument.

“Kosova duhet që urgjentisht ta trajtojë papunësinë dhe dobësinë strukturore që ndikon në tregun e punës”, shtohet më tutje aty.

Ndonëse zyrtarët e Prishtinës thonë se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit nuk do të ndryshojë nga marrëveshjet tjera të nënshkruara nga shtetet e rajonit, mbetet e paqartë se si do të nënshkruhet kjo marrëveshje.

Këto dyshime vijnë meqë pesë shtete anëtare të BE-së: Sllovakia, Spanja, Rumania, Greqia dhe Qiproja nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë vitit 2014 Kosova po ashtu duhet të vazhdojë të punojë edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Kjo nënkupton riatdhesimin e azilkërkuesve të kthyer, riintegrimin e tyre, lëshimin e dokumenteve biometrike të udhëtimit, përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka mbetur jashtë sistemit të udhëtimit pa viza në vendet e Shengenit.

E ardhmja e EULEX-it

Viti 2014 pritet të jetë shumë i rëndësishëm edhe për të ardhmen e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit të njohur si EULEX.

Përkundër mosmarrëveshjeve brenda BE-së rreth statusit të Kosovës, ishte arritur pajtim për instalimin e këtij misioni në Kosovë gjatë viti 2008, të ngarkuar me mentorim, monitorim dhe këshillim të autoriteteve të Kosovës në çështjet policore, doganore dhe gjyqësore.

Misioni ka fuqi ekzekutive në fushën e krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar, por së fundi autoritet kosovare pretendojnë se janë të gatshëm të bartin të gjitha ose shumicën e këtyre përgjegjësive.

“Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të udhëheqë vetveten dhe të ushtrojë ligj dhe rregull sikurse vendet tjera në rajon”, ka thënë në shtator, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Me një buxhet prej 111 milionë eurosh, EULEX-i është misioni më i madh i BE-së.

Në vitin 2012, BE-ja njoftoi se do të zgjaste mandatin e EULEX-it për dy vjet, duke shtrirë mandatin deri në qershor të vitit 2014.

Misioni megjithatë ishte ngushtuar për rreth 25 për qind, duke mbetur në 2.250 anëtarë stafi.

Mbetet e paqartë se si do të operojë ky mision pas kalimit të këtij mandati.

Zgjedhjet parlamentare

Reforma elektorale është një kriter tjetër që do të ketë ndikim në gjasat e Kosovës për integrim në Evropë.

“Kosova duhet të finalizojë reformën zgjedhore të nisur në vitin 2011”, rekomandon Raporti i Progresit për Kosovën, publikuar në tetor të vitit 2013.

“Është e nevojshme të sigurohet që korniza ligjore për zgjedhjet reflekton praktikat më të mira në BE dhe se implementimi i saj është në linjë me standardet ndërkombëtare”, shtohet aty.

Politikanët kosovarë do të duhet të kompletojnë reformat në këtë fushë para se zgjedhjet parlamentare të mbahen më vonë gjatë këtij viti.

Zgjedhjet lokale të vjeshtës së vitit të kaluar treguan se PDK-ja e kryeministrit Thaçi ka humbur votues.

Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe balotazhit të 1 dhjetorit, PDK-ja humbi pushtetin në pesë komuna: në Mitrovicë, Lipjan, Ferizaj, Viti dhe Malishevë, që i kishte udhëhequr që nga viti 2009.

Në anën tjetër, LDK-ja fitojë dy komuna më shumë se në mandatin paraprak.

Edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt doli më e dobët nga këto zgjedhje, duke humbur dy bastionet e saj, Pejën, Gjakovën dhe dy komuna tjera.

Rritja ekonomike

Autoritet e Prishtinës dhe organizatat financiare ndërkombëtare presin që viti 2014 të jetë vit i rritjes ekonomike për Kosovën.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, që kishte parashikuar rritje prej 2.5 për qind në vitin 2013, ka parashikuar rritje prej 4 për qind për vitin 2014.

Po ashtu në një raport të publikuar në dhjetor 2013, edhe Banka Botërore ka parashikuar 4 përqindëshin, një rritje shumë më të madhe se e vendeve tjera të rajonit.

Serbia pritet të ketë një rritje prej vetëm 1 për qind, ndërsa Maqedonia për 3 për qind.