Punësimi i radhës në ndërrmarrje publike, familjarja e deputetes së AAK-së

Punësimet partiake në kompaninë publike “Pastrimi” nuk kanë të ndalur.

Në mesin e të punësuarve është edhe e afërmja e deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj.

Altina Alaj, e afërme e deputetes Kadriaj, është e punësuar si faturiste më 25 janar të këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë deputetja Kadriaj, e cila ndonëse e ka konfirmuar punësimin, nuk ka treguar saktësisht se çfarë e ka atë.

“Po, e njofshme e imja është, edhe ka kontratë mbi vepër”, ka thënë deputetja që vjen nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj.

KALLXO.com ka raportuar gjatë tërë ditës për punësimet partiake që kanë ndodhur në këtë kompani publike.

Në listën prej rreth 60 të punësuarve në 3 muajt e fundit në këtë kompani figuron dhe emri i Sanije Gecit, që është bashkëshortja e Sabit Gecit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryeshefi i kësaj kompanie, Burim Kelmendi.

“Po, është punësuar me kontratë mbi vepër, është gruaja e Sabit Gecit. Shumicën i kam gjetur aty”, tha shkurtimisht Kelmendi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta ka provuar që të kontaktojë edhe me Sabit Gecin për kontakti me të ka qenë i pamundur.

Edhe aktorja Shota Baraliu është njëra nga rreth 60 të punësuarit në 3 muajt e fundit në kompaninë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Burim Kelmendi.

“Po, është e vërtetë, është e punësuar me kontratë mbi vepër”, tha kryeshefi Burim Kelmendi kur u pyet nëse është e punësuar Shota Baraliu në këtë ndërmarrje.

Shota Baraliu është punësuar në Departamentin e Marketingut në këtë kompani.

Gruaja e deputetit të AAK-së punësohet në ndërmarrje publike

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me aktoren Shota Baraliu, mirëpo ajo nuk ka dashur ta konfirmojë nëse është duke punuar ose jo.

“Ju kallxoj nesër. Flasim nesër edhe iu jap një përgjigje zyrtarisht”, tha Baraliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shota Baraliu ka nënshkruar kontratë me 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Në profilin e saj në Facebook, në shkurt të këtij viti, Shota Baraliu ka publikuar një fotografi me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe me ish deputetin e AAK-së, Lahi Brahimaj.

Edhe djali i dytë i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitajt është rehatuar në një ndërmarrje publike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur të konfirmojë që djali i deputetit Nitaj, Egzon Nitaj, është punësuar në kompaninë rajonale ‘Pastrimi’.

Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Burim Kelmendi në një prononcim të shkurtë përmes telefonit e ka konfirmuar se Egzon Nitaj është punësuar në kompaninë rajonale “Pastrimi”.

“Kur të kthehem në Kosovë, se jam në Shqipëri”, tha fillimisht Kelmendi për Gazetën JnK.

I pyetur nëse është punësuar si IT, djali i deputetit Muharrem Nitaj, Kelmendi ai e konfirmoi që Egzon Nitaj është punësuar si IT.

Edhe djali i dytë i Muharrem Nitajt punësohet në ndërmarrje publike

Ai është pyetur edhe për një të punësuar tjetër me mbiemrin Nitaj, por kryeshefi Kelmendi tha se i punësuari i dytë nuk është familjare e deputetit Muharrem Nitaj.

Gazeta JnK ka kontaktuar me deputetin Muharrem Nitaj, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës.