Punësime familjare të LDK-së në QKMF-në e Vitisë

Vajza e një asamblisti të LDK-së në Asamblenë e Vitisë dhe reja e vëllait të drejtorit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale janë dy nga katër kandidatet e përzgjedhura për infermiere në QKMF-në e qytezës.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale më 5 prill të këtij viti kishte shpallur konkurs për katër infermierë.

Kandidatët testit i janë nënshtruar më 14 maj.

Pastaj, ata që kanë arritur më shumë se 50 për qind të pikëve janë ftuar për intervistë me gojë.

Në momentin e publikimit të rezultateve më 23 maj për kandidatët më të suksesshëm, KALLXO.com ka pranuar ankesa për punësime familjare në këtë konkurs.

Reja e vëllait të drejtorit të Shëndetësisë përzgjidhet infermiere në QKMF

Reja e vëllait të drejtorit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Basriu Aliut, Besarta Syla, është njëra nga kandidatët që është përzgjedhur për pozitën infermier në QKMF të Vitisë. Ajo është radhitur e para në listën e të pranuarve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar drejtorin Basri Aliu, i cili tha se nuk ka pasur ndonjë ndikim që Besarta Syla të punësohet si infermiere.

“Absolut nuk kam interventu, ajo edhe herëve të tjera ka konkurru, nuk është hera parë. Hera e pestë që konkurron dhe unë jam qe disa mandate, tash të drejtën kërkujt s’mund ia mohoj se është shkelje të të drejtave të njeriut me i thënë mos konkurro ”, tha Aliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Facebook-u i drejtorit Basri Aliu, ku ka ‘shoqe’ Besarta Sylën.
Reja e vëllait të Basri Aliut, Besarta dhe vëllai i Aliut

Ai shtoi se nuk ka pasur fare qasje në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Unë s’kam pasë qasje fare në atë drejtim, është vendim i komisionit, është ende në procedurë. Është afati i ankesave dhe pasi nuk përfundon mendoj se është në procedurë”, tha Aliu.

Drejtori i Shëndetësisë theksoi se konkursi është shpallur me kërkesë të QKMF-së dhe se gjithçka ka shkuar me rregull.

Në testin me shkrim Besarta Syla kishte marrë 88 pikë ndërsa në intervistën me gojë ishte shpallur si më e suksesshmja me 348  pikë.

Edhe vajza e asamblistit përzgjidhet infermiere në QKMF

Në konkursin e 4 prillit të vitit 2019 është pranuar edhe vajza e asamblistit të LDK-së në Asamblenë e Vitisë, Ramadan Deliut.

Adisa Deliu ishte shpallur si njëra nga katër kandidatët më të suksesshëm.

Asamblisti Ramadan Deliu mohoi të ketë ndikuar në përzgjedhjen dhe punësimin e vajzës së tij.

“Unë s’kam pasur kohë as me këqyr, as me u interesu. Vajza ka konkurruar vetë, ka hyrë në test vetë, i ka bë të gjitha vetë, bile as që i kam thënë ndokujt. Nuk kam intervenuar, as më ka interesuar bile për këtë punë. Atë ditë që ka hy në test me shkrim unë kam qenë në ambasadë të Zvicrës, s’kam qenë aty hiç”, tha Ramadan Deliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Asamblisti i LDK-së, Ramadan Deliu dhe vazja e tij Adisa Deliu

 

Ramadan Deliu me vajzën e tij dhe kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti

Kurse Adisa Deliu kishte marrë 88 pikë në testin me shkrim dhe 318 pikë në intervistën me gojë.

Kandidatët më përvojë pune, jashtë listës

Përzgjedhja e këtyre personave në këto pozita ka bërë që të mos pajtohen punëtorët shëndetësorë që kanë mbi 6 vite përvojë pune.

Njëri prej tyre që ka raportuar në KALLXO.com, që thotë se ka përvojë disavjeçare, tregon se kjo është hera e dytë që ka aplikuar dhe nuk është pranuar.

Ai deklaroi se mospërzgjedhja e tij në këtë konkurs është për shkak të punësimeve me baza partiake.

“Në këtë konkurs për infermier është pranuar vajza e Ramadan Deliut që po ndihmohet në komision me pikë. Edhe reja e vëllait të drejtorit të Shëndetësisë gjithashtu po ndihmohet me pikë. Kjo nuk është drejtësi dhe ky është turp i kryetarit të Komunës”, thotë ai.

Rezultatet e konkursit të QKMF-së në Viti. 23 maj 2019