Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Publikohen shtëpitë botuese dhe autorët që do të merren me tekstet e reja shkollore

Nxënësit e klasave 0-1-6-10 dhe 2-7 dhe 11 vitin e ri shkollor 2019/2020 do ta fillojnë me tekste të reja shkollore.

E kjo pasi që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka publikuar listën preliminare të shtëpive botuese dhe autorëve, që do të merren me këto tekste.

Shumica e këtyre teksteve do të përgatiten nga shtëpia botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Kështu, parashkollorët do të pajisen me librin “Përgatitore”, ku shtëpi botuese për këtë është “Dukagjini”.

Edhe librat e klasës së parë do të përgatiten nga shtëpia e njëjtë botuese, ku përfshihen librat: Gjuhë Shqipe, Matematikë, Edukatë Figurative , Edukatë Muzikore, Shoqëria dhe Mjedisi, Edukatë Fizike, Sportet dhe Shëndeti.

Kurse librin Shkathtësi për jetë nxënësit e klasës së parë do ta kenë të përgatitur nga shtëpia botuese “Albas”.

Librat e klasës së dytë do të jenë të shtypura nga shtëpia botuese “Dukagjini”, ku në to përfshihen: Gjuha Shqipe, Edukatë Muzikore, Matematikë, Njeriu dhe Natyra, Shoqëria dhe Mjedisi dhe Shkathtësi për jetë.

Shtëpia botuese “Dukagjini” po ashtu do t’i përgatisë edhe librat e klasës së gjashtë për vitin e ri shkollor.

E ato do të jenë: Gjuhë Shqipe, Edukatë Figurative, Matematikë, Biologji, Histori, Gjeografi, Edukatë fizike, Sportet dhe Shëndeti e Teknologji dhe TIK. Ndërsa vetëm një libër të këtij niveli do ta bëjë shtëpia botuese “Albas”, e që është Edukatë Qytetare, kurse shtëpia botues “Pegi” do të merret me librin e Edukatës Muzikore.

Edhe klasat e 7-ta me tekste të reja shkollore

Përsëri edhe në këtë nivel shtëpia botuese “Dukagjini” do të merret me librat: Matematikë, Biologji, Edukatë Qytetare, Edukatë fizike, Sportet dhe Shëndeti si dhe Teknologji dhe TIK.

Kurse librat e lëndës së Historisë dhe Gjeografisë do t’i përgatisë shtëpia botuese “Albas”.

Shkollat e mesme pajisen me tekste të reja

Nxënësit e klasës së dhjetë do të pajisen me libra të reja edhe në lëndën e Gjuhës Shqipe, ku përgjegjës për do të jenë dy shtëpi botuese, “Dukagjini” dhe “Albas”.

Librat e Artit Figurativ dhe Artit Muzikor do t’i përgatisë për këta nxënës shtëpia botuese “Pegi”.

Ndërsa librin e Matematikës do ta ketë përgjegjsi Dukagjini.

Shtëpia botuese “Albas” do të merret edhe me librat e Historisë, Gjeografisë dhe Edukatës Qytetarë të nxënësve të këtij niveli.

As nxënësit e klasës së 11-të nuk do të mbesin pa tekste të reja shkollor në vitin shkollor 2019/2020.

Gjuha Shqipe, Biologjia, Kimia dhe Historia do të përgatiten nga shtëpia botues “Albas”.

Ndërsa “Dukagjini” do të kujdeset për librin e Matematikës.

Libri i lëndës së Teknologjisë dhe TIK i takon shtëpisë botuese “Pegi” dhe Arti Figurativ “Berati”.

Tekste të reja edhe në gjuhë boshnjake dhe turke

Në rezultatet e publikuara nga ana e MAShT tekstet e gjuhës boshnjake për klasat 1 dhe 6 do të përgatiten nga autori Uzeir Ajradini kurse të klasës së 10 nga Sadik Idrizi.

Ndërsa për klasat 2, 7 dhe 11 nuk janë publikuar emrat e autorëve por janë ende me kode.

Ministria e Arsimit po ashtu ka paraparë edhe tekste të gjuhës turke të klasës së 11 të përfshihen në vitin e ri shkollor, por se nuk e kanë publikuar autorin dhe është me kod.

Tutje në rezultate të publikuara është bërë e ditur se dorëshkrimet e dyta fituese sipas standardeve shkollore do të pilotohen gjithashtu.

Kosto e teksteve mbi 74 mijë euro

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Ndërsa sipas zëdhënësit të MAShT-it, Valmir Gashi, secili recensent do të paguhet me shumën prej 500 eurosh.

“Çështja e pagesave të recensentëve është në proces, ku secili nga ta do të paguhet nga 500 euro, konform Udhëzimit Administrativ për Recensentët”, tha Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 25 prill të këtij viti kishte thënë se asnjë libër i ri shkollor s’mund të kalojë nëse nuk i plotëson standardet.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Historiku

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë, në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të lëndëve Biologji, Edukatë Qytetare, Histori, Psikologji dhe Sociologji të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri Njeriu dhe Natyra të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.