Ilustrimi: Trembelat

Pse Nuk Jemi më të Mllefosura?

Para dy muajsh u bëra nënë. Partneri im dhe unë e mirëpritëm vashën tonë Lunën dhe kështu e nisëm rrugëtimin e këndshëm por jo të lehtë të prindërimit. Unë pata një shtatzëni të qetë e të patrazuar, dhe pavarësisht sfidave të përgjithshme që e shoqërojnë çdo shtatzëni, lirisht mund të them që e shijova shtatzëninë dhe faktin që po e rris një qenie njerëzore brenda meje, si dhe ndjesinë se si trupi im ndryshohej dhe adaptohej përgjatë këtij procesi kaq të rëndësishëm biologjik.

Por, ideja e të lindurit më shqetësonte shumë. Lindja normale gjithnjë më është dukur një proces ekstrem të cilin nuk do të mund ta përballoja. Por kjo frikë e imja nuk ishte e paarsyeshme. Ajo vjen nga fakti se jetoj në një vend ku të drejtat riprodhuese të grave shkelen tmerrësisht.

Keqtrajtimi i grave në QKUK nuk është diçka e re. Gratë kanë vdekur gjatë lindjes si pasojë e papërgjegjshmërisë së stafit mjekësor, kanë nisur procesin e lindjes në korridor të spitalit përderisa abuzoheshin verbalisht nga një motër medicinale, janë gjykuar ‘moralisht’ nga motrat, dhe janë detyruar të ndajnë shtratin me gratë e tjera pas lindjes. Gratë vazhdojnë të durojnë edhe shumë shkelje të tjera të cilat as nuk jemi të vetëdijshëm që ndodhin në baza ditore dhe askush nuk jep përgjegjësi për këto.

Megjithatë, të gjitha gratë shtatzëna që i njoh dhe që kanë lindur dukeshin tejet të lumtura dhe faktin që janë bërë nëna e përshkruanin si gjëja më e rëndësishme dhe më e mahnitshme që e kanë bërë në jetë. Rrëfimet e grave që kanë lindur edhe në rrethanat më të vështira përgjithësisht tregohen në mënyrë romantike, duke e cilësuar amësinë si aspektin më të rëndësishëm e të qenit grua.

Duket se edhe përvojat më të tmerrshme të lindjes dhe ato të paslindjes (post-partum) konsiderohen si normale në Kosovë; sa më e tmerrshme përvoja, aq më heroike nëna. Na kanë mësuar të besojmë që të lindësh fëmijë është heroizëm – një ceremoni e rritjes që i formëson rrëfimet që gratë i tregojnë.

Për shembull, as që e kam imagjinuar që gjidhënia do të jetë aq sfiduese. “E di që po dhemb, por për atë je nanë,” – më thoshte nëna im përderisa unë ankohesha për dhimbjen e madhe kur po e ushqeja me gji vajzën time javët e para pas lindjes. Dhe këtë e thoshte me fytyrë aq të butë dhe me zë aq të dashur. Ajo që vet ka hequr shumë më shumë kur unë kam qenë foshnje, majat e gjoksit i ka pas të çara dhe i rridhnin gjak kur më ushqente mua. Dhe pavarësisht që gratë e familjes kembëngulnin që të më ndante prej gjirit, ajo kurrë s’u dorëzua.

Sa herë që dëgjoja apo lexoja për fushata që inkurajojnë nënat të zgjedhin gjidhënien, nuk e dija se çka të mendoja; a duhet të jetë përgjegjësi prindërore apo zgjedhje personale e grave?! Por tani fushatat e tilla më duken asgjë pos hipokrite kur e rikujtoj faktin se në Kosovë inkurajohet gjidhënia, madje edhe i bëjnë gratë të ndjehen fajtore nëse nuk ushqejnë me gji, pavarësisht se nuk u ofrohet asnjë lloj ndihme profesionale në këtë aspekt. Në të njëjtën kohë, pak e pranojnë faktin që arsyeja pse shumë nëna i kthehen qumështit formulë është shpesh për shkak të mungesës së kujdesit profesional se si ta ushqejnë foshnjën me gji dhe si ta përballojnë dhimbjen dhe komplikimet e tjera të cilat personalisht as që e kam imagjinuar se vijnë bashkë me gjidhënien.

Por mungesa e kujdesit të duhur njerëzor dhe mjekësor nuk janë të vetmet çështje serioze me të cilat përballen nënat. Festa e paslindjes është e domosdoshme. Shtëpia mbushet me njerëz, të afërt e të largët, madje edhe me fqinj që vijnë për vizitë me bakllavë e ëmbëlsira të tjera. Nuk ka sens privatësie dhe si nuse, bashkëshorte dhe nënë pritet që të jesh e buzëqeshur dhe të sillesh me hijeshi mu tani kur krejt çka ke nevojë është të hash, të pushosh, të të ndihmojnë me punë të shtëpisë, dhe të lidhesh emocionalisht me foshnjën. Oh, dhe mos ta harroj që lista me këshilla e pakërkuara rreth kujdesit për foshnjën është e pafund.

Depresioni i paslindjes dhe ‘baby blues’ (dëshpërimet e lehonave), janë nocione pothuajse të panjohura në Kosovë. Grave që thonë se po përballen me vështirësi emocionale pas lindjes, u thonë ‘të lazdruara’ apo ‘të dobëta’. Atyre u thonë ‘depresive’ me përbuzje sepse tu hedhësh fajin hormoneve për gjithçka duket mënyra më e lehtë për t’u marrë me gjendjes e paslindjes të grave.

Ilustrimi: Trembelat

Pasi u bëra vet nënë dhe përjetova vet dhimbjet e vështirësitë, nuk e kuptoj pse nuk jemi të gjitha më të mllefosura? Si ka mundësi që nuk i dëgjojmë gratë që kanë kaluar nëpër përvoja të tmerrshme të lindjes dhe të paslindjes të ankohen e të kërkojnë trajtim më të mirë? Edhe pse shumë prej tyre nuk kanë mundësi apo hapësirë të sigurt ta ngrisin zërin apo edhe të ulërisin, të tjerat munden dhe duhet ta bëjmë në emër të të gjithave.

E kam ditur që të bëhesh nënë nuk është e lehtë dhe dhimbja është e pashmangshme, dhe po, ia vlen. Por përvojë e tmerrshme nuk është, e megjithatë  nuk duhet të zgjedhim ta normalizojmë dhe ta sentimentalizojmë. Vajza ime e vogël është e mrekullueshme dhe mezi po pres që ta udhëzoj e të kontribuoj në zhvillimin e saj. Për mua, amësia para së gjithash, nënkupton përgjegjësi prindërore dhe kujdes maksimal për vajzën time. Por, plotësisht e refuzoj nocionin e ‘heroizmit amënor’. Nuk jam aspak e interesuar t’ua dëshmoj të tjerëve se sa e fortë jam dhe as ta përjetësoj mitin e nënës që i duron të gjitha, dhe atë me buzëqeshje në fytyrë.

Në vend që ta sentimentalizojmë amësinë dhe t’i normalizojmë edhe përvojat e dhunshme të lindjes, unë sugjeroj që të fillojmë t’i ndajmë rrëfimet tona ashtu siç në të vërtetë janë. Një diskutim i hapur rreth vështirësive të shtatzënisë, lindjes, gjidhënies dhe depresionit të paslindjes ndoshta edhe do të na ndihmonte që ta revolucionalizojmë çështjen e të drejtave riprodhuese të grave. Dhe kjo do të thotë që në të kërkojmë qasje të plotë në kujdes dhe shërbime riprodhuese, si dhe trajtim të dinjitetshëm mjekësor. Të kërkojmë kurse për lindje që të përgatitemi fizikisht dhe emocionalisht për lindje, opsione për lindje ashtu si u përshtaten më së miri grave individualisht, mjekë të duhur dhe mami, ekspertë/e të certifikuar për laktacion, si dhe politika konkrete për përfshirjen atërore. Llafet për madhështinë e amësisë janë të mirëseardhura por vetëm pasi që të na ofrohet ndihma praktike.

Disa nga ne kemi paguar për të marrë kujdes esencial në spitale private. Por shumica e grave në Kosovë nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të shkelin në hapësirën e tmerrshme të QKUK-së dhe të keqtrajtohen si kurrë më parë. Si gra mendoj që duhet ta kemi prioritet që të mos pranojmë më që kjo temë të trajtohet si “muhabet grash”. Kjo është çështje politike dhe nëse adresohet si duhet, mund t’i ndryshojë radikalisht gjërat për të mirë.

Të mllefosemi çdo herë e më shumë derisa bota mjekësore dhe shoqëria e gjerë ta ndërrojë mendësinë se si i percepton dhe trajton gratë dhe trupat e tyre. Deri atëherë, të edukojmë edhe vajza të mllefosura po ashtu.