Pse njerëzit bëhen komunistë?

‘Utopia e Kuqe’, siç titullohet edhe albumi artistik që përmban të dokumentuara partitë komuniste dhe ikonografinë e tyre, publikuar nga Nazraeli Press dhe Ipso Facto, vazhdon të jetë një grimcë ideologjie ngazëlluese për shumëkënd.

Në një botë të përsosur, njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin të mirat material me anë të punës së përbashkët për ndërtimin dhe përjetësimin e sistemit, i cili u krijon bindjen se është ndërtuar dhe po funksionon në sajë të tyre. Nën këtë sistem utopist, bota është e zhveshur nga probleme si seksizmi, racizmi dhe forma të tjera të shtypjes e diskriminimit. Në teori, komunizmi është barazi dhe përbashkësi, gjë që qëndron mirë dhe sigurt në bindjet e çdokujt, pavarësisht mënyrës së zbatimit të tij në praktikë.

Gazetarja amerikane në New York Times, Vivian Gornick përshkruan ndjesitë në lidhje me përvojën e saj të fëmijërisë nën ndikimin komunist.

“Kur njerëzit uleshin për të biseduar, edhe politika ulej me ta, idetë uleshin me ta; mbi të gjitha, historia ulej me ta. Ata flisnin dhe mendonin brenda një konteksti që i ngrinte lart nga terri i panjohur dhe i pavlerë nga ku kishin lindur dhe bindeshin që kishin të drejta dhe detyrime. Nuk ishin thjesht të përjashtuarit e botës, por proletarë e revolucionarë të një bote të re”.

“Në ato vite, shumë njerëz iu bashkuan komunizmit, ndër ta fshatarët, klasa punëtore, por edhe klasa e mesme si mësuesit, shkrimtarët etj. Sidomos për ta, komunizmi ishte autoritet moral që ofronte model dhe substancë përmes pasionit për strukturën, retorikën, elokuencën kundrejt padrejtësisë shoqërore”.

“Vizioni marksist mbi solidaritetin e përbotshëm, i përcjellë nga Partia Komuniste, nxiti te njerëzit më të zakonshëm një ndjesi të thellë të rëndësisë së tyre në mbarë njerëzimin, që e bënte jetën vetë madhështore dhe me kuptim. Ky kuptim i qenies, që ishte kaq i pastër, bëri që njerëzit jo vetëm të lidheshin me këtë vizion, por edhe të vareshin prej tij”.

Është pikërisht ndjesia e rëndësisë dhe madhështisë, ajo për të cilën çdokush lufton në çdolloj forme. Natyra e njeriut është komplekse dhe kontrolli/manipulimi i saj ndodh kryesisht nga ideologjitë/normat shoqërore. Që në lashtësi është e dëshmuar që përplasja mes klasave shoqërore (e ulëta dhe ajo në pushtet) më së shumti ka rezultuar në anarki/luftë dhe nga këto të dytat, në ngritjen e një klase tjetër në pushtet, për të sunduar mbi të tjerat, ndërsa i njëjti proces është përsëritur përgjatë historisë. Ky proces njihet edhe me termin e përdorur nga Karl Marks ‘materializmi dialektik’, teori që përshkruan që çdo ngjarje historike apo politike është pasojë e përplasjes së forcave shoqërore dhe kontradiktave të tyre si shkak i nevojave materiale.

Ajo çka e bëri ‘’utopinë e kuqe’’ të suksesshme për disa dekada, natyrisht që nuk është vetëm ana praktike e saj. Është frymëzimi i njeriut si individ, si pjesë e një tërësie, si pjesë e një pranie të gjithëpushtetshme e të kudogjendur, që kur e mendon për të dytën herë ngjan me fenë. Jo më kot është frymëzuese dhe jo më kot ende ngazëllen njerëzit.

Në Shqipëri më 5 maj, Ditën e Dëshmorëve, e cila përkon me datëlindjen e Marks-it, një grup personash nostalgjikë të ish-diktatorit Enver Hoxha u përplasën me një grup mbështetësish të demokratëve gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve. Nuk është e para herë që ndodh një ngjarje e tillë dhe nuk është e para herë që propozohet ndalimi i simboleve të komunizmit.

Ekziston një ndjenjë kolektive e fajit, e imponuar nga ideologjitë post-komuniste. Ekziston frika e përcjelljes së frymëzimit. A ka njerëz që janë të zhgënjyer? Sa të duash. A mund të shfrytëzohen zhgënjimi, padrejtësia, pabarazia shoqërore, ngecja ekonomike, diskriminimi, urrejtja, dhuna, lufta, etj.? Në çfarëdolloj forme të mundshme. Demokracia ka frymëzuar po ashtu, por për një kohë shumë të shkurtër.

Slavoj Zhizhek bën krahasimin e të besuarit në fe dhe ideologji, ku, çdokush që beson thellësisht, në të dyja këto, konsiderohet si ‘’primitiv’’, ‘’barbar’’ dhe kërcënim për kulturën – sepse guxojnë t’i marrin tepër seriozisht bindjet e tyre. ‘Kultura’ është ajo çka ne e besojmë, pa e marrë shumë seriozisht. Kjo është mënyra si funksionon ideologjia në epokën tonë cinike. Askush nuk e merr seriozisht demokracinë edhe pse të gjithë i dimë problemet e saj, por supozojmë që funksionon edhe pa besuar në të.

’Revolucioni Kulturor’ i Kinës nga 1966-1976 ndërmend romanet distopike si ‘Brave New World’, ‘Fahrenheit 451’, ‘1984’, etj. ku çdo element i kaluar i normave shoqërore, historisë dhe trashëgimisë kulturore e shpirtërore synohet të fshihet, asgjësohet, për të ndërtuar shoqërinë e re, njeriun e ri, individin e së tashmes dhe së ardhmes. Kjo shoqërohet me njëfarë ekzaltimi kolektiv, anarki (gjendje e natyrshme e brendshme njerëzore), nga ku më pas kulmon me gjendjen e delirit të përgjithshëm. Nga kaosi në rregull dhe anasjelltas.

Sipas Jeffrey Tucker në Foundation for Economic Education njerëzit kanë tendencën të besojnë lehtësisht në ideale dhe ëndrra, në qëllime madhore dhe pasionin për paqen dhe barazinë në botë, mirëpo ëndrrat dhe sloganet nuk zgjasin përgjithmonë. Përse atëherë njerëzit bëhen komunistë? Pasi qeniet njerëzore janë aq të afta të besojnë në çfarëdolloj iluzioni, jemi të aftë të punojmë gjatë dhe shumë fort për t’i kthyer ato në makthe. Kur i përkushtohemi me kohë dhe energji një ëndrre, sado shkatërrimtare që të jetë, duhet shumë kohë për të na zgjuar.