Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Pse ndarja e rrezikon paqen në Kosovë dhe rajon?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq së voni kanë bërë një propozim për ndërrim territoresh. Më saktësisht, ndarje të Kosovës.

Edhe pse asnjëri nga presidentët nuk ka qenë i qartë për rrjedhojat e kësaj marrëveshjeje, Thaçi ka përsëritur se do të ishte mundësi që Lugina e Preshevës, e banuar kryesisht me shqiptarë, t’i bashkohet Kosovës.

Gjoja se, marrëveshja do ta zgjidhte një herë e përgjithmonë grindjen mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të pranohej dhe do të ishte pjesë e Kombeve të Bashkuara, dhe të dyja shtetet do të mund të ecnin së bashku drejt një të ardhmeje në Bashkimin Europian.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton, ka thënë se ShBA-ja do ta mbështesë çdo zgjidhje që pranohet nga të dyja anët. Bashkimi Europian duket se pajtohet që diskutimet duhet të fillojnë përgjatë këtyre vijave. Vetëm Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, vazhdon të jetë kundër çdo lloj ndryshimi të kufijve, një vazhdim i politikave që dikur janë parë si të shenjta nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërkohë, kjo ide ka marrë kritika të rënda nga palë tjera të interesuara, ekspertë të rajonit dhe tre ish-emisarë të Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, të cilët po ashtu kanë dhënë një qëndrim kundër çdo marrëveshjeje të propozuar.

Historikisht, ndarja kurrë nuk ka funksionuar mirë. Prej Indisë e Pakstanit, Etiopisë e Eritresë, Irlandës e Irlandës Veriore, Palestinës e Izraelit, Qipros Veriore e Qipros, deri të Bosnjë-Hercegovina e Republika Srpska. Gjithmonë ka qenë ushtrim i dhunshëm që në mënyrë të pashmangshme bëhet punë hegjemonie etnike dhe e njerëzve të shpërngulur. “Ndarja mbetet diçka që shtetet e fuqishme mund ta zbatojnë në anatomitë e entiteteve më të dobëta politike—siç është munduar të bëjë Serbia në Bosnjë-Hercegovinë,” ka thënë akademiku Brendan O’Leary.

Sidoqoftë, nuk është ilegale. Kur Komisioni Badinter jepte këshilla ligjore rreth shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1992, thoshte: “në çfarëdo rrethanash, e drejta për vetëvendosje nuk duhet të përfshijë ndryshime të kufijve ekzistues në kohë pavarësie, përveç nëse Shtetet në fjalë pajtohen ndryshe”.

Forumin Europian Alpbach në gusht, Thaçi ka thënë për veten dhe Vuçiqin, “Nuk jemi burra problematikë – ne po mundohemi ta bëjmë një marrëveshje”. Por, vetë marrëveshja mund të jetë një nga më problematiket me pasoje për Kosovën dhe tërë rajonin.

Disa nga pasojat e mënjëhershme duken kështu:

Republika Srpska, rajoni me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë, do të ndahej menjëherë – gjë që presidenti i këtij rajoni, Millorad Dodik, e ka paralajmëruar qëmoti. Nuk kam dyshim se kjo po ashtu do të ndiqej nga ndarja e Hercegovinës, pjesës kroate të Bosnjës, dhe do ia jepte goditjen e fundit Marrëveshjes së Dejtonit. Të dyja do të tentonin t’i bashkoheshin Serbisë dhe Kroacisë respektivisht, gjë që mund të shkaktojë një luftë tjetër civile teksa boshnjakët e mbetur do të mundoheshin ta mbanin territorin e tyre. Republika Srpska mund të tentojë të rrëmbejë më shumë territor, sidomos nëse ka mbështetje nga ushtria serbe.

Përkundër qëndrimeve të lumtura se Maqedonia e ka tejkaluar të shkuarën e saj nacionaliste me një qeveri shumetnike që është pro-Atlantike nga pikëpamja, kjo situatë është vetëm njëvjeçare. Maqedonia tash përballet me një referendum kritik rreth emrit të shtetit, që nëse votohet po, mund ta çojë shtetin drejt anëtarësisë në NATO dhe Bashkim Europian. Nëse nacionalistët shqiptarë në Maqedoni vendosin të bëjnë përpjekje për një ‘Shqipëri të Madhe’ menjëherë mbas një ‘ndërrimi territoresh’ në formë të bashkimit me Kosovën apo Shqipërinë, ky vit i fundit i proceseve të pajtimit pozitiv në Maqedoni do të kryhej, dhe lufta civile prapë mund të jetë mundësi.

Përse të ndalemi këtu? Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të vinte pas. Më tej, pjesa shqiptare e Malit të Zi mund t’i bashkohet Shqipërisë dhe Kosovës. Në fund, Çamëria mund t’i bashkohet Shqipërisë nga Greqia. Në atë mënyrë mund ta rifillojmë Luftën e Dytë Botërore.

Komuniteti ndërkombëtar kishte arsye për përfshirjen e një pike në kushtetutën e Kosovës që është kundër ndërrimit të kufijve. Pas vitesh paqeje, sado të pakënaqshme që mund të kenë qenë, ndërrimi i kufijve do të krijojë një situatë kaotike që prapë do të përpijë energji dhe jetë njerëzish. Sidoqoftë, do t’i gëzonte shumë nacionalistët, luftënxitësit, dhe autoritarët që janë munduar qëmoti ta shkatërrojnë shumëkombësinë në Ballkan.

Mes opinioneve të ndryshme, bisedave në Twitter dhe analizave akademike, një pyetje nuk është konsideruar shumë: kush përfiton nga gjithë kjo?

Le të themi që Serbia e njeh Kosovën, dhe Kosova merr një ulëse në Kombet e Bashkuara dhe pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën e ndryshojnë mendjen. Deri tani duket se marrëveshja mes dy shteteve nuk do të garantojë liberalizim të vizave për Kosovën sikur vendet tjera të Ballkanit. As nuk i adreson çështjet sikur kapjen e shtetit dhe sundimin e ligjit – çështje që tani po i nxjerrin mijëra qytetarë në rrugë për të protestuar. Për më shumë, as nuk i adreson edukimin, shëndetësinë, dhe varfërinë.

Por, janë këto çështje të brendshme që kanë rëndësinë më të madhe për jetën e një kosovari të thjeshtë. Edhe pse pasja e një ulëseje në Kombet e Bashkuara dhe njohja nga pesë shtetet e BE-së janë çështje të mëdha që duhet të zgjidhen, fakti që rreth 57 për qind e rinisë së Kosovës është e papunë duket po aq urgjente. Një ulëse në Kombet e Bashkuara nuk do ta shlyente varfërinë në Kosovë.

Shumë kosovarë të thjeshtë po ashtu nuk do të pranonin ta jepnin një copë të territorit që mban një nga ujëmbledhësit më të mëdhenj të shtetit dhe së paku gjysmën e minierës më të madhe. Në thelb, Kosova po heq dorë prej aseteve ekonomike dhe strategjike për një copë toke pranë një infrastrukture të rëndësishme rrugore që lidh Serbinë jugore me të gjitha pikët e Mesdheut, duke e anashkaluar Kosovën tërësisht.

Në vitin 2003, gazetari Christopher Hitchens shkroi një artikull të quajtur ‘The Perils of Partition (Rreziqet e Ndarjes)’, ku thotë:

“Myslimanët kryesisht sekularë të Bosnjës dhe Kosovës ishin, sidoqoftë, viktimat kryesore ndarjes në ish-Jugosllavi, dhe tani janë përfituesit më të mëdhenj të zhbërjes të asaj politike. Ata po ashtu ishin të parët që testuan rregullin botëror të improvizuar por sistematik, në të cilën operacionet e shpëtimit bëhen nga bota e zhvilluar, të ndihmuara nga një sërë organizatash joqeveritare, dhe pastaj shndërrohen në administrata gjysmë të përhershme”.

Kosovarëve po u thuhet se kjo marrëveshje do ta ndalë izolimin dhe do ta lejojë Kosovën të zhvillohet në një shtet të fortë dhe të pavarur. Sidoqoftë, historia e vonë nga rajoni e kundërshton këtë qëndrim. Pyetja është: a po e bëjmë gabimin e njëjtë prapë?

 

Bronwyn Jones është eksperte e zhvillimit ndërkombëtar, autore dhe redaktore. Ajo ka jetuar, studiuar dhe punuar në Ballkan për gati 20 vjet. Aktualisht, ajo punon si konsulentë për organizatat ndërkombëtare në Prishtinë, është anëtare e klubit të parë të rugby-t për vajza në Kosovë dhe drejton blog-un SparkFest.