Pse Këta Fëmijë Nuk Janë në Shkollë?

Kjo është pyetje mjaft e shpeshtë e njerëzve që ndodhë të gjenden të ndalur para semaforëve në qendrën e kryeqytetit dhe ndërkohë u vije një grup fëmijësh për t’ua fshirë xhamat e veturës – deshën ngasësit ose jo. Shpesh kjo është një pyetje që shtrohet në mënyrë më të përgjithshme për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas në Kosovë dhe që aludon një përgjigje të qartë: se nëse “ata” do të kishin prindër më të përgjegjshëm, atëherë kjo varfëri nuk do të bënte paradë përpara xhamave të veturave tona. Nëse “ata” do të kishin vlerësuar shkollimin dhe do të donin që fëmijët e tyre të vijonin mësimin si qytetarë të denjë, anashkalimi i dukshëm dhe kushtet e mjerueshme të jetës që kanë këto komunitete do të qenë zgjidhur.

Natyrisht, është një pyetje që ia vlen të bëhet. Një studim i vitit 2009 nga KFOS-i ka konstatuar se 96% e popullatës rome, ashkali dhe egjiptase në Kosovë nuk e ka të përfunduar shkollimin obligativ. Megjithatë, përgjigjja për “pse-të” nuk është e lehtë dhe me siguri ka aq shumë përgjigje sa ka edhe fëmijë jashtë shkollës. Në të vërtetë, aludimi i mësipërm del thjeshtë lehtësisht i nxjerrë.

Desha t’u njoftoj me katër fëmijë me të cilët OJQ-ja jonë, The Ideas Partnership, punon në mahallën rome, ashkali dhe egjiptase në Fushë Kosovë. Emrat janë të ndryshuar për t’ua mbrojtur fëmiëjve identitetin. 

Së pari, Donjeta. Ajo është njëra prej 11 fëmijëve në një familje që jeton në varfëri të skajshme. Megjithatë, ajo u regjistrua në shkollë në mënyrë të rregullt e në moshën e duhur. Është vajzë e zgjuar, tash i ka 13 vjet, e do shkollën dhe e ka vijuar rregullisht që prej nisjes siç kanë bërë edhe qindra fëmijë tjerë prej komunitetit të saj. Unë e përmend si një kujtim frymëzues që, pavarësisht nga statistikat e frikshme dhe shanset e pakta, ende ka familje dhe fëmijë që arrijnë të lulëzojnë në sistemin arsimor të Kosovës.

Pastaj Egzoni. Ndoshta e keni parë te semaforat në Prishtinë. Lirisht mund ta kritikoni një familje dhe një shoqëri ku fëmijët dalin që të punojnë diçka kaq të rrezikshme për të fituar para për prindërit (dhe ju lutem mos i jepni para që stimulojnë këtë punë në rrugë e që krijon kushte kaq kërcënuese për Egzonin), por mos qani për shkollimin e tij të humbur. Faktikisht ai është njëri prej fëmijëve që e kemi regjistruar (edhe pse me vonesë) në shkollë në vitin e parë të projektit tonë, më 2011, dhe mbas asaj ai ka vijuar shkollën rregullisht si dhe tregon sukses në mësime. Mësimi në shkollë përfundon në orën 14 dhe atëherë ai vije në Prishtinë dhe fillon punën te xhami i veturës suaj.

E treta, Kimetja. Ajo është një 9-vjeçare shumë e lezetshme. Motra e saj më e madhe vijon shkollën dhe është nxënëse e shkëlqyeshme. Gjithashtu ajo ka një vëlla 20-vjeçar. Nëna e saj thoshte: “I kam çu në shkollë ata të tjerët kur ishin gjashtë vjet e gjysmë, pra duhet ta bëjë të njejtën gjë me Kimeten”. Mirëpo kur e dërgoi Kimeten për regjistrim në shkollë, zëvendësdrejtoresha i tha që vajza ishte “tepër e vogël”. Qenë kthyer në shtëpi me Kimeten dhe kishin pritur një vit.  Mbas një viti, prindërit e kanë dërguar Kimeten sërish në shkollë. Ashiqare, ajo është rritur ndërkohë… Por sekretaresha e shkollës i tregoi prindërve që duhen me pritë, se tash është bërë vonë për vajzën që të fillojë në klasën e rregullt, dhe që duhet me pritë për “mësim intensiv” që pritej të fillojë. Sipas ligjit, është obligim i komunës të organizojë këto klasë intensive për 18 javë si një mënyrë që fëmijët që kanë qenë jashtë shkollës të marrin njohuritë që u kanë munguar. Kimetja ka pritur për fillimin e mësimit intensiv ndërsa ne kemi insistuar tek komuna e shorëcia civile i ka bërë shtytje Drejtoratit Komunal për Arsim. Më në fund në korrik sivjet (pas një viti e 10 muajsh), prindërit e Kimetes e kanë përcjellë për herën të parë atë në shkollë ku mësimin e filluan gjithsej 34 fëmijë. Mësimi ka zgjatur 23 ditë, mirëpo me të mbatuar, në fund të gushtit, Kimetja me shoqet e kasës janë dashur të presin se si mund të transferohen në shkollën e rregullt. Kimetja ende po pret, edhe pse Ministria e Arsimit ka thënë se që rreth dy javë më parë do ta kishin një zgjidhje (edhe nëse ministria lajmërohet gjatë ditëve që vijnë nuk do të mund të kompenzojë për dy vite të shkollës që i kanë munguar Kimetes).

Dhe për fund, Gëzimi. Kur jam takuar me Gëzimin për herë të parë ai i ka qenë 12 vjeçar dhe kalonte ditët nëpër bërllok duke kërkuar hekur, bashkë me vëllain e tij më të madh (gjithashtu kujdestari i tij, pasi prindërit e Gëzimit kanë vdekur disa vitë mbas lindjes së tij). Kurrë nuk ka qenë në shkollë. Ne e kemi regjistruar për klasën e tretë dhe Gëzimi tregoi veten si nxënës i aftë dhe i rregullt. Kur filloi klasën e katërt, vjet, sjellja e tij ishte e përkeqësuar dhe një ditë kur është lazdruar në klasë mësuesi i tij i sugjeroi që t’i merr dy ditë pushim “për t’u qetësuar”, siç shpjegon Gëzimi. Dy ditët u bënë tri javë. Kur, në tetor, vjet, ndërmjetësi ynë më në fund e ka bindur Gëzimin që të kthehet në klasë, shkolla ka thanë (siç është e drejta e saj sipas ligjit) se ai ka munguar shumë në mësime dhe nuk mund të rikyçet në klasë e duhet të presë fillimin e “mësimit intensiv”. Më në fund, pasi ka pritë nëntë muaj jashtë shkollës, Gëzimi bashkë me 33 nxënës tjerë (përfshirë Kimeten) ka filluar mësimin intensiv gjatë verës për t’u testuar. Kur ka mbaruar këtë periudhë ai ka pyetur nëse mund të rifillojë shkollën?

Gëzimi nuk ka marrë përgjigje për më shumë se pesë javë pas përfundimit të mësimit intensiv. Gjatë asaj kohe, shkolla e rregullt ka filluar, OJQ-ja jonë dhe të tjerë kanë shpërndarë çanta për shkollë, fletore dhe këpucë, për të siguruar që fëmijët që janë regjistruar të jenë gati. Gëzimi erdhi dhe na ka kërkoi çantë dhe fletore. Na ishte dasur t’i tregojmë që nuk kishim asnjë garancion se ai do të rifillojë shkollën.

Më në fund, më 11 tetor, shkolla e ftoi Gëzimin së bashku me 33 fëmijë të tjerë që kanë vijuar mësimin intensiv për vlerësim. Gëzimi pyeti nëse kjo do të thotë që ai mund të rifillojë në shkollë; si duket, përgjigjja ishte negative. Prej fëmijëve që ishin vlerësuar prej shkollës më 11 tetor, dy janë treguar që mund të fillojnë shkollën javën vijuese dhe të tjerët janë lajmëruar që duhet të kthehen në shtëpi dhe të presin testimin tjetër në janar. Në janar, Gëzimi kishte qenë, me njohurinë dhe pëlqimin e plotë prej drejtoratit të tij komunal të arsimit, jashtë shkolle për 15 muaj, me përjashtim këto 23 ditë mësimi “intensiv” gjatë verës.

Nuk kemi mundur të kuptojmë se si testimi në janar do të zbulonte diçka të re për njohuritë e Gëzimit dhe nevojën e tij për shkollim, por javën e kaluar është mbajtur një takim i ri me përfaqësues nga Ministria e Arsimit. Ata kanë shpjeguar që 23 ditët e mësimit intensiv gjatë verës nuk kanë plotësuar obligimin e komunës për një program intensiv 18-javor, dhe prandaj Gëzimi dhe fëmijë të tjerë nuk mund të pranohen në shkollë. Kanë lajmëruar që duhet të fillojnë me një program të ri të mësimit intensiv. Në të njëjtën kohë kanë përmendur që Ministria nuk ka fonde të paguajë klasë të tilla. Deri tash asnjë zotim nuk është bërë se kur do të fillojnë këto klasë.

E kam parë Gëzimin këtë javë në rrugë.  “A mund të filloj shkollën tash?”, më pyeti. Kjo është një pyetje që, kur të bëhet nga një 14 vjeçar në një demokraci me mbështetje ndërkombëtare të shekullit 21, duhet të jetë një përgjigjë shumë e qartë.

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e The Ideas Partnership, një OJQ kosovaer që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve me luftue sfidat në edukim, trashëgimi kulturore dhe mjedis. Gjithashtu ajo është autorja e librit “Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo” (Signal Books, 2011) dhe “Edith and I”; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo – www.edith-and-i.com – për Edith Durham, i botuar sivjet. Mund të kontaktohet në [email protected]