PSD, afër qeverisë apo larg opozitës?

Ka kohë që opozita kosovare ka paralajmëruar mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, por me zhvillimet e fundit duke se arritja e konsensusit brenda vet opozitës është ende shumë larg.

Ishte pikërisht një deklaratë e shefit të grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, tri ditë më parë, e cila vuri edhe një herë në pah thyerjet dhe moskoordinimin e opozitës.

Sejdiu fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për “vajtim dhe ankesa” duke thënë se ato nuk po bëjnë asgjë në drejtim të “ndaljes” së presidentit Thaçi si dhe rrëzimit të qeverisë Haradinaj.

Përderisa këto dy të fundit këto deklarata të Sejdiut i panë si një heqje e maskës duke e akuzuar PSD-në si parti të pushtetit dhe “patericë” të presidentit Thaçi.

Ndërsa analistët politikë në vend të gjitha këto qëndrime të zbutura të PSD-së karshi pushtetit po i shohin si tendencë e kësaj partie që të i bashkohet qeverisë Haradinaj, tani që Lista Serbe duket e larguar nga koalicioni qeveritar.

Tahiri: Një pjesë e opozitës dëshiron ti bashkohet qeverisë Haradinaj

Politologu Ramush Tahiri thotë se të gjitha këto zhvillime janë duke u bërë pikërisht në kohën e largimit të Listës Serbe ku edhe po shfaqen tendencat e opozitës që të i bashkohen koalicionit qeverisës.

“Mendimi imë është që si pozita ashtu edhe opozita kanë interesa të ndryshme dhe kanë edhe pretendime të ndryshme dhe kanë mospajtime të thella më njëri tjetrin. Mospajtimet janë praktike nuk ka diçka që është programore dhe këtu vazhdojnë por mundët që edhe dikush nga opozita ti bashkëngjitet pozitës tash edhe mbas  largimit të listës serbe që të mbesë qeveria”, tha ai.

Sipas tij, tani është më se e qartë që opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë, dhe për këtë thyerje politike Kosova po i bart pasojat në procesin e dialogut.

“Ajo që është fakt është se opozita nuk mund t’i bëjë numrat për rrëzimin e qeverisë, dhe është kjo e fundit që pozita po ka mospajtime rreth ekipit të unitetit është vetëm çështje e kompletimit por nuk është çështje që i ndihmon se Kosova nuk ka ende platformë politike për bisedime me Serbinë dhe kjo platforme nuk varet prej njerëzve se a është në pozitë apo në opozitë por varet çështjeve thelbësore, nuk është me rëndësi a e nënshkruan Hashim Thaçi apo Fatmir Limaj sepse marrëveshja edhe ashtu duhet të kaloj në Kuvend”, tha ai.

Halitaj: PSD-ja “infuzioni” për ta mbajtur në jetë qeverinë Haradinaj

Në anën tjetër edhe gazetari e analisti politik, Agron Halitaj, ka thënë që përplasjet politike nuk janë të pazakonshme në parlamentarizëm dhe, sipas tij, rruga të cilën e ka zgjedhur Partia Social Demokrate është duke i shkuar për shtat koalicionit qeveritar.

“Është e kuptueshme që secili subjekt synon të përfitojë politikisht nëpërmjet rrugëve që zgjedh t’i ndjekë. Në rastin konkret, PSD-ja ka zgjedhur ta ndjekë një rrugë tjetër prej asaj që po e ndjekin LDK e LVV. Dhe, kjo është plotësisht legjitime. Por më shumë se deklarimet publike që në të shumtën janë të mbushura me tone cinike, peshë kanë veprimet që ndërmerren nga cilado palë. PSD-ja mund ta pohojë se është kundër strukturës që aktualisht po e udhëheq shtetin, por veprimet që i bën në Kuvend i shkojnë për shtati pikërisht forcave në pushtet”, tha ai.

Sipas Halitajt, pas largimit të Listës Serbe “infuzioni” i vetëm i qeverisë Haradinaj është një subjekt nga opozita, e me zhvillimet e fundit, thotë ai, po del se ky subjekt është pikërisht PSD-ja.

“Pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, Qeveria Haradinaj nuk mund të mbijetojë pa një infuzion nga opozita. PSD duhet ta ketë të qartë se edhe nëse e jep këtë infuzion, jetëgjatësia e kësaj Qeverie prapë do të jetë e shkurtër. Vendimet e mëdha para të cilave gjendet vendi kërkojnë konsensus të gjerë politikë. Është evidente që pikërisht në kohën kur po shtohen “ethet zgjedhore”, është krijuar një klimë më miqësore se mes PSD-së dhe AAK-së. Se a ka qenë vizita e Ramush Haradinajt te Shpend Ahmeti sinjal i qartë se këto dy parti mund t’i bashkojnë forcat në zgjedhjet e parakohshme të mundshme, do të qartësohen shumë shpejt”, ka theksuar ai.

Alia: Qëndrimet e tilla, tendencë e PSD-së për faktorizim

Njohësi i çështjeve politika, Rasim Alia për KALLXO.com ka thënë thyerjet dhe moskoordinimi vazhdimisht e kanë shoqëruar opozitën vendore, ndërsa debatin e PSD-së e ka cilësuar si tendencë për faktorizim.

Ai thotë se në vazhdimësi subjektet opozitare nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe unike në qëndrime karshi koalicionit qeveritar dhe zhvillimeve në vend.

“I vetmi moment ku kishte qëndrueshmëri dhe zë unik në qëndrime ishte bllokada e vitit 2014, e që më pas rezultoi më thyerje të atij blloku opozitar”, kujton Alia.

Por në rastin e PSD-së ai thotë se duke qenë subjekt politik i ndarë nga një parti opozitare dhe ende i i patestuar në elektorat dhe krejt në fillim të konsolidimit të strukturave të tyre, “është e dukshme dhe e pritshme që përmes qëndrimeve të tilla të tentojë të faktorizohet si pjesë e skenës politike”.

Tutje Alia ka theksuar dy çështje të cilat sipas tij nxisin përplasjen e subjekteve politike në Kosovë.

“Janë dy çështje që shenjëzojnë përplasjet ndërmjet subjekteve opozitare. Legjitimiteti i PSD-së, duke qenë që është subjekt i cili ka garuar nën petkun e një partie tjetër e që më pas është ndarë nga ajo parti. Dhe së dyti reduktimi i bllokut opozitar në dy subjekte politike, përkatësisht kalimi i PSD- së në kampin tjetër, e që mund të ketë ndikim edhe në koalicionet  dhe aleancat e ardhshme, kur do që të mbahen zgjedhjet”, tha Rasim Alia.