Protestat anti Vuçiq në Beograd - 09.02.2019

Protestuesit në Serbi mund t’i përsërisin gabimet e vjetra rreth Kosovës

Herën e fundit që protestuesit në Serbi dolën në rrugë për çështjen e Kosovës – nën drejtimin e Sllobodan Millosheviqit – gjërat përfunduan shumë keq si për Serbinë ashtu edhe për fqinjët e saj.

 

Kanë kaluar katër muaj që kur një sërë protesta masive filluan në Serbi nën logon “1 nga 5 milionë”.

Kjo ishte një referencë ndaj këmbënguljes së presidentit Aleksandqr Vuçiq se ai nuk do të fliste me ata që protestonin në Beograd edhe nëse 5 milionë prej tyre do të dilnin në rrugë.

Tani i afrohemi në një pikë ku lëvizja ose duhet të marrë një dinamikë të re ose duhet të marrë fund.

Organizatorët e protestave kanë thirrur njerëz nga e gjithë Serbia që të vijnë në Beograd të shtunën më 13 prill, siç thonë ata, për të finalizuar protestat.

Ata synojnë ose ta detyrojnë Vuçiqin të tërhiqet ose ta detyrojë atë të pranojë kërkesat e opozitës për të krijuar kushtet e duhura për ato që ata i quajnë zgjedhje të lira.

Paralel me këtë nismë, Vuçiqi po drejton fushatën e tij, të quajtur “E ardhmja e Serbisë”, e cila promovon ato që ai e sheh si arritjet e tij në pesë apo gjashtë vitet e fundit në pushtet.

Ndërkohë, në Kosovë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme për postet e kryetarëve në katër komunat veriore në të cilat serbët janë shumicë.

Vuçiq, opozita, Kosova – këto janë tre pikat klasike të politikës serbe.

Nëse dikush dëgjon atë që thonë Vuçiq dhe aleatët e tij politikë, Serbia dëshiron të vazhdojë dialogun tashmë të ndalur të udhëhequr nga BE-ja me Kosovën, në mënyrë që të arrijë një lloj marrëveshje përfundimtare që duhet të sjellë paqe dhe prosperitet afatgjatë në të gjithë rajonin.

Para se të ndodhë kjo, administrata e Kosovës duhet të heqë taksat e importit që vendosi për mallrat serbe në fund të vitit 2018.

Vuçiq është përballur me dy krizë të mëdha në pesë muajt e fundit: prishjen e dialogut me Prishtinën dhe protestat në rrugë në Serbi.

Dukej sikur, për herë të parë gjatë mbretërimit të tij, ai nuk ishte në gjendje të kontrollonte një situatë dhe po detyrohej të reagonte vetëm ndaj njërës.

Opozita, megjithatë, nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të konsoliduar dhe formuluar mesazhe të qarta dhe të forta.

Ajo fillimisht qëndronte pas protestave, duke e quajtur “kryengritjen” një nismë organike qytetare dhe duke pretenduar se anëtarët dhe liderët e partisë thjesht po ndihmonin njerëzit që të organizoheshin më mirë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mban fjalim në Mitrovicën e Veriut më 9 shtator 2018.

Por që nga muaji i kaluar, kur protestat u radikalizuan me përpjekjen për të hyrë me dhunë në televizionin publik serb, me kërkesa për më shumë raportime për protestat, disa nga liderët e opozitës janë ngritur dhe kanë treguar synimet e tyre reale.

“Nuk dua të sillem rrotull nëpër qytet për vite me radhë,” tha lideri i organizatës Dveri të ekstremit të djathtë, Boshko Obradoviq, i cili u bë drejtuesi i të gjithë protestave.

I shënuar nëpër tabloide, në deklaratat e Vuçiqit dhe stacioneve televizive nën ndikimin e tij si fashist, Obradoviq doli në skenë duke përcaktuar metodologjinë e luftës kundër regjimit.

Me atë pas mikrofonit, protestat filluan të humbin fytyrën e tyre qytetare dhe u bënë thjesht një lëvizje politike që synon të përdorë pakënaqësinë dhe energjinë e njerëzve që marshojnë nëpër rrugë për të detyruar Vuçiqin dhe administratën e tij të largohen.

Edhe pse krerët e opozitës të mbledhur në Koalicionin për Serbinë e shmangën për shumë kohë diskutimin e çështjeve të rëndësishme si rrugën e ardhshme të Serbisë për në BE dhe NATO, ose zgjidhjen e çështjes së Kosovës, njerëzit në rrugë në javët e fundit kanë filluar të brohorasin kundër politikës së Vuçiqit në lidhje me Kosovën, duke e quajtur atë një tradhtar që dëshiron të njohë pavarësinë e ish-krahinës.

Kështu, rrethi i vendimeve të gabuara politike të marra nga krerët e Serbisë është plotësisht i mbyllur.

Tridhjetë vjet më parë, Sllobodan Millosheviq foli para qindra mijëra njerëzve, të mbledhur në Kosovë nga pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë për të festuar 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, e cila kishte ngritur Serbinë dhe aleatët e saj të krishterë kundër Perandorisë pushtuese Osmane.

Atje, në Gazimestan, Millosheviq u zotua se nëse nuk kishte më hapësirë për dialog, serbët do të dhe mund të luftonin.

Sot, po ashtu, Dveri dhe lideri i saj, Obradoviq, po bëjnë thirrje që njerëzit të vijnë në Beograd më 13 prill për të ndaluar tradhtinë e Vuçiqit për Kosovën.

Futja e Kosovës në lojëra të përditshme politike nuk ka qenë kurrë një gjë e mirë për Serbinë. Njoftimi se të shtunën njerëzit duhet të vijnë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës nuk duket si qasje e re për problemet e vjetra.

Ajo bie gjithashtu ndesh me kërkesat origjinale të lëvizjes protestuese, të cilat ishin: ndalimi i dhunës në Serbi, ndalimi i shkatërrimit të institucioneve, ndalimi i shantazhimit të njerëzve dhe ndalimi i kanosjes së atyre që nuk e mbështesin administratën qeveritare.

Njerëzit u ngritën kundër një administrate të keqe, jo sepse janë gati të shkojnë në një luftë të re me ose për Kosovën. Ata dolën për të treguar se kjo lloj qeverie, në të cilën vetëm ushtarët besnikë të partisë në pushtet kanë përfitime, nuk është e mirë për Serbinë.

Kosova nuk është një çështje që duhet diskutuar në rrugë. Në Serbi, ne kemi parë tashmë se çfarë ndodh kur vendos ta bësh këtë. Kjo s’ishte gjë e mirë për Serbinë apo për fqinjët e saj.

 

Slobodan Georgiev është redaktor, gazetar dhe koordinator i programit në BIRN Serbia,

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

11 Prill 2019 - 11:09

Slobodan Georgiev | BIRN | Beograd 11/04/2019 - 11:09
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend