Protestuesit në Pejë Kërkojnë Dorëheqjen e Zyrtarëve të Sigurisë (TV)

Vrasja e Valdet Kelmendit rreth 28 vjeç, dhe e Fazli Bajraktarit 74 vjeç me 21 mars të këtij viti në Pejë, ka ngjallur reagimin e qytetarëve pejanë.

Protestuesit janë nisur nga qendra e qytetit për të shkuar te Prokuroria Themelore, e më pas te objekti i policisë në Pejë. Te rreth-rrotullimi afër policisë të mbledhurit kanë kërkuar llogari nga organet gjegjëse të sigurisë për vrasjet në këtë qytet. 

Përveç dy viktimave, në këtë incident kishin mbetur të plagosur edhe gjashtë persona të tjerë.

Arbër Krasniqi, kryetar i Këshillit Rinor të Pejës tha se kanë dalë të protestojnë për shkak të revoltës për rastet e vrasjeve në Pejë.

 “Në rast se për kërkesat tona nuk do të reagojnë institucionet përgjegjëse, ne si këshill organizativ do të parashohim reagime tjera të lejuara edhe me ligjet e Kosovës dhe nuk do të ndalemi deri sa të realizohen kërkesat tona”, tha Krasniqi.

Fajtorë kryesor për këto vrasje sipas Krasniqit janë organet përgjegjëse, duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Drejtësisë, duke e përfshirë edhe kryeministrin, i cili është dashur që së paku të japë deklarata për ngjarjet e fundit të vrasjeve në Pejë.

“Në ditën kur kanë ndodhur vrasjet në Pejë, kryeministri ka bërë reagim ndaj vrasjeve në Turqi duke dërguar keqardhje, ndërsa për ngjarjen që ka ndodhur në Pejë nuk ka reaguar fare dhe ne kërkojmë nga organet gjegjëse të reagojnë për rastet që po ndodhin në komunën tonë”, tha Krasniqi.

Edhe Veton Mujaj nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit”, tha se janë plot 15 vjet që në Pejë ndodhin vrasje dhe se rasti i fundit sipas tij e ndez edhe një shkëndijë tjetër shtesë  për mosreagimin e institucioneve të Kosovës.

“Kemi vrasje të të pafajshmëve në rrugë, kemi shumë familje që sot janë duke u përballë jo vetëm me vdekjen e njerëzve, por edhe me plagosjen e shumë individëve dhe me të vërtetë kjo është shqetësuese dhe kjo nuk po ndalet, dikush duhet me dhanë përgjegjësi”, tha Mujaj.

Ai tha se kjo protestë i drejtohet presidentes, kryeministrit, ministrit të MPB-së, policisë, prokurorisë, gjyqësorit, komunës së Pejës.

“Kërkojmë  jo vetëm përgjegjësi prej tyne, po edhe reagim ndaj përgjegjësisë që dikush të thirret në përgjegjësi për të gjitha këto vite të humbura dhe krijimin e kësaj situate me të vërtetë pashpresë në qytetin e Pejës”, tha Mujaj.

Sadik Ramë Abazaj qytetar nga Peja tha që të mos jetë i lirë askush që të dalë në rrugë në këtë qytet.
 
“Kurrkush nuk është i lirë me dalë në sokak ndoshta atë ditë kom mujtë edhe unë me qëllua në vend të atij tjetrit, ose ju, ose dikush tjetër, kështu  që nuk jemi të sigurt”, tha Abazaj.

Edhe ai i la fajtorë institucionet e vendit që nuk po arrijnë të parandolojnë dhunën në Pejë.

Ndërkaq Refik Hamiti, në emër të familjes Kelmendi tha që rasti i 21 marsit, nuk ka të bëjë me hakmarrje.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me hakmarrje, njerëzit po vdesin pa pasë faj, të gjithë janë të pafajshëm në këtë rast, mirëpo nëse ne shkojmë kah zakoni i Lekë Dukagjinit, atëherë duhet respektuar se si kryhen këto vrasje duke iu përmbajtë zakonit të Lekë Dukagjinit”, tha Hamiti.

Sipas tij familja Kelmendi ka humbur 7 anëtarë dhe se vrasjet e anëtarëve të kësaj familje kanë filluar që nga vitit 2002 dhe deri më sot.

“Shteti është fajtor, natyrisht edhe ata që e bojnë krimin”, tha Hamiti

Ndërkaq të pranishmit gjatë marshimit para Prokurorisë Themelore në Pejë vendosen një kurorë me lule duke e shpallur si të vdekur këtë institucion e institucione tjera të drejtësisë, ku sipas tyre tash e 15 vjet janë jashtë funksionit të drejtësisë.