Ilustrimi: Trembelat

Propozimi i Dyshimtë i Qeverisë për Anëtarët e Bordit të ZRrE-së

Qeveria i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës katër kandidatë për bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, dy prej të cilëve nuk i plotësojnë kushtet për këtë pozitë. Ambasada Britanike, si partner zbatues, i ka rekomanduar komisionit vlerësues vetëm dy kandidatë, të cilët i kanë plotësuar kushtet e konkursit për të qenë drejtor të bordit të ZRrE-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se edhe personat që i kanë plotësuar kushtet kanë të kaluar të lidhur me partitë në pushtet, porse ligji për Zyrën e Rregullatorit nuk vendos kufizimet për personat politik. Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucioni kryesor që i vendos rregullat në sektorin e energjisë, duke i përfshi edhe tarifat e energjisë.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar listën e kandidatëve të propozuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për Qeverinë e Kosovës. Në këtë listë është edhe numri i pikëve të fituara nga secili kandidatë. Bekim Jakupi ka qenë më i poentuari me 36.4 pikë, i pasuar nga dhe Fadil Ismajli me 35.4 pikë. Këta dy janë vlerësuar nga komisioni, në të cilin kanë marrë pjesë edhe britanikët, se i plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë drejtor të bordit të ZRRE-së. Pas tyre janë renditur: Naim Sahiti – 29.8 pikë, Skënder Buja – 27.2 pikë, Izet Rushiti – 27 pikë dhe Selman Hoti – 18.6 pikë.

Qeverisë i kanë shkuar këta emra, ndërsa ajo i ka përzgjedhur vetëm 4 prej tyre për t’ia propozuar për votim Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk janë respektuar rekomandimin e komisionit Rekrutues si përgjegjës për rekomandimin e kandidatëve, pasi ekzekutivi ka eliminuar Sahitin dhe Bujën, ndërsa ka rekomanduar Rushitin dhe Hotin, ani pse këta të fundit janë me pikë minimale. Kuvendit i kanë shkuar dy kandidatë të cilët nuk i kanë marrë pikët minimale të kërkuara për të hyrë në listën e ngushtë për drejtor të bordit të ZRrE-së.

Gazeta JNK ka pyetur Ambasadën Britanike sa kandidatë kanë plotësuar kushtet për anëtar të këtij bordi. Në përgjigjen e tyre, ata thonë se janë vetëm dy emra që kanë plotësuar kushtet dhe janë rekomanduar për emërim: Bekim Jakupi dhe Fadil Ismajli.

“Partneri zbatues ka qenë i përfshirë në këtë proces. Raporti me dy emra të rekomanduar për emërim, i është dërguar Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike.

Ligj për Rregullatorin e Energjisë, në pikën 2 të nenit 5, ku flet për emërimin e bordit, thotë që Qeveria ka duhet të propozoj së paku dy kandidatë për një pozitë.

“..Ministria [MZHE] e udhëheq procedurën për emërimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit me rastin e shpalljes së konkursit publik. Në konkurs theksohen kriteret për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit, afati për konkurrim dhe dokumentet e nevojshme për konkurrim. Qeveria, pas pranimit të dosjes së aplikantëve, ia dërgon Kuvendit së paku dy (2) kandidatë për një pozitë të lirë”.

Gjithsesi, gjatë procesit të propozimit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, respektivisht komisioni rekrutues dhe Qeveria kanë propozime të ndryshme në numrin e kandidatëve. E para i ka rekomanduar 6 kandidatë, ndërsa e dyta 4. Përfundimisht para deputetëve janë katër emra për dy pozita.

Infografika: Trembelat

Pa Plotësim Kriteresh  

Bekim Jakupi dhe Fadil Ismajli janë renditur të parët në listën e rekrutimit. Përkundër që i plotësojnë kushtet, ata kanë histori të lidhur me politiken, por Ligji për Rregullatorin e Energjisë, neni 6 pika 3 nuk e ndalon këtë. Thotë që anëtarët nuk duhet të mbajnë pozita politike gjatë kohës kur janë në bord.

Bekim Jakupi, është njëri nga emrat që ka hyrë në listën e ngushtë për t’u bërë anëtar i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Jakupi aktualisht është kryesues i bordit të Ndërmarrjes Publike të Komunës së Prishtinës, Termokos. Jakupi, në deklarimin e pasurisë ka deklaruar se është pronar i një biznesi. Ai ka 100% të aksioneve në kompaninë “Intelkos Consulting”, prej të cilës ka të hyra prej 12 mijë e 600 euro. Gjithashtu, ai ka deklaruar se është ‘zhvillues i biznesit’ në kompaninë “Abkons sh.p.k”.

E kaluara e Jakupit është e lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Bekim Jakupi, në vitin 2013 ishte pjesë e Departamentit për Zhvillim Ekonomik në Kabinetin për Qeverisje të mirë të PDK-së për Prishtinën.

Në listën me 4 emrat që i ka shkuar qeverisë së Kosovës nga procesi i prokurimit figuron edhe Fadil Ismajli. Ismajli ka qenë ministër i zhvillimit ekonomik të Kosovës në qeverinë ‘Thaçi 2’.

Në këtë ministri kishte ardhur pas përmbylljes së procesit të privatizimit të KEDS-it, në muajin maj 2013. Ismajli ka qenë ministër kur është refuzuar nënshkrimi i kontratës me kompaninë Axos për privatizimin e PTK-së, për të cilët është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në arbitrazh ndërkombëtarë.

Ismajli ka qenë drejtor ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut deri në emërimin e tij si ministër i zhvillimit ekonomik. Para vitit 2006, për një kohë të shkurt kishte punuar në sektori privat, ndërsa ka qenë pjesë edhe e KEK-ut.

Në vitin 2001 ishte emëruar ushtrues i detyrës së Udhëheqësit të KEK-ut. Emri i tij ishte pjesë e disa raporteve të OLAF, Zyra e BE-së Kundër-Mashtrimit për konfliktë të interesit gjatë kohës sa ishte pjesë e menaxhmentit të KEK-ut. Në këtë raport për të cilin kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, tregohet konflikti i interesit të Ismajlit, kompania e të cilit (Komtel) kishte fituar tender nga KEK-ut.

Ismajli i kishte mohuar akuzat, ndërkohë nuk është zhvilluar ndonjë hetim nga UNMIK-u. Ismajli ka qenë nënkryetar i Aleancës Kosovare e Re, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, që aktualisht qeverisë me Kosovën bashkë me Koalicionin PAN.

Pas tyre vijnë të ‘eliminuarit nga qeveria’: Naim Sahiti me 29.8 pikë dhe Skënder Buja me 27.2 pikë. Këta dy nuk i kanë plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar të bordit të ZRRE-së.

Ish kandidati i AAK-së dhe ish-punëtori i KEDS-it  

Ndërsa të ‘përzgjedhurit’ e Kryeministrit janë kandidatët me më së paku pikë në listë: Izet Rushiti me 27 pikë dhe Selman Hoti me 18.6 pikë.

Izet Rushiti, i lindur në Prelez të komunës së Ferizajt, e ka fituar titullin e inxhinierit të elektroteknikës në vitin 1984. Sipas formularit për punësim si anëtar bordi në ZRRE, Rushiti ka nënshkruar deklarimin e tij për përvojat e punës. Ai ishte kandidat i AAK-së për kuvendin komunal në Ferizaj në zgjedhjet lokale të  vitit të kaluar. Kjo dëshmohet nga lista e publikuar në KQZ, ku emri i tij figuron në faqen 240 të këtij dokumenti.

Izet Rushiti, që nga nëntori i vitit 2016 është kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjet Publike Komunale “Ambienti” nga Ferizaj. Në deklarimin e tij, ai thotë se ishte edhe profesor në SHMT “Pjeter Bogdani” nga 2014-2016. Rushiti ka qenë edhe anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt. Por, ai ishte dorëhequr nga kjo pozitë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte gjetur se mbajtja e të dy pozitave ishte në konflikt të interesit.

Izet Rushiti, deri në vitin 2016, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ishte edhe menaxher i Distriktit të Ferizajit në KEDS [Shih edhe Këtu- faqe 2]. Në deklarimin e vitit 2017, Rushiti ka deklaruar se nuk është punëtor i KEDS-it më, por tash është kryeshef i ndërmarrjet “Ambienti”.

Në CV-në e tij shkruan se ai ishte drejtor i distriktit të Ferizajt që nga korriku 2006 deri në korrik 2014. Ndërsa në vitin 2015-2016 ishte menaxher i departamentit të aseteve në KEDS.

Po ashtu, në KEK ai kishte punuar edhe në vitet 1998-2002 si përgjegjës i shërbimit të Matjeve Elektrike dhe 2002 -2005 si drejtor I distriktit të Ferizajt, ku ishte rikthyer përsëri në 2006.

Selman Hoti, është kandidati tjetër i propozuar nga qeveria, e që nga komisioni vlerësues ishte vlerësuar se nuk i plotëson kriteret për të mbajt postin e drejtorit të bordit të ZRRE-së. Ai është i lindur në Carrallukë të Malishevës. Ai e ka të njëjtin mbiemër dhe vendlindje me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti.

“Veç që është i katunit tem. Nuk e kam sen”, ka thënë për Gazetën deputeti i Nismës, Enver Hoti, i cili vjen nga i njëjti fshat.

Sipas formularit për punësim si anëtar bordi në ZRRE, Hoti ka nënshkruar deklarimin e tij për përvojat e punës. Për të marrë titullin inxhinier i elektroteknikës në UP atij i janë dashur 10 vite, nga 1986 deri në 1996. Tri vite pas përfundimit të fakultetit ai ishte punësuar në KEK, nga viti 1999 deri në 2003 si Menaxher u departamentit për matjen e energjisë elektrike. Pas privatizimit të distribucionit, me të njëjtin titull për një vit kishte punuar në KEDS, ku në rubrikën: arsyet e largimit nga vendi i punës, ka shkruar se kjo është bërë ‘me marrëveshje, lirim nga vendi i punës’. Më pas, nga viti 2014 ai punon si drejtor teknik në “Electra SHPK”, në Gracanicë.

Shpallja e konkursit për emërimin e dy kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për energji ishte bërë më 14 tetor 2017. Afati për aplikim kishte përfunduar më 28 tetor, ku kishin aplikuar 31 persona.

Tri ditë më pas me vendim të ministrit të MZHE-së, Valdrin Lluka ishte themeluar Komisioni Rekomandues ‘ad hoc’ për zhvillimin e procesit të rekrutimit, i cili përbëhej nga pesë anëtarë dhe kryesohej nga Naim Baftiu, sekretar i përgjithshëm dhe kryesues ministria e Financave. Ky komision është mbledhur më 20 dhe 21 nëntor, ku nga 31 kandidatë ishin përzgjedhur 12 në listën e ngushtë dhe janë ftuar në intervistë. Në intervistat për përzgjedhjen përfundimtare janë mbajtur nga 2 deri më 4 dhjetor dhe kanë marrë pjesë 10 kandidatë. Si rrjedhojë Komisioni Rekrutues jep emrat e 6 kandidatëve më të suksesshëm.

Në këtë proces ishte përfshirë edhe Partneri Zbatuesi i zgjedhur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Ky partner i Ambasadës së Britanisë ka rekomanduar gjithë procesin e rekrutimit, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Duke u bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, për secilën pozitë përkatëse të Bordit, Kuvendi zgjedh me votim të fshehtë njërin nga kandidatët e propozuar. Zgjedhja konsiderohet e vlefshme kur votojnë më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit dhe kur kandidati për atë pozitë e merr shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të cilët kanë marrë pjesë në votim.

Mandati i secilit anëtar të Bordit është pesëvjeçar, me mundësi emërimi edhe për një mandat tjetër në vazhdim. Mandati i secilit anëtar të Bordit fillon nga data e emërimit nga Kuvendi i Republikës se Kosovës. Data e përfundimit të mandatit të anëtarëve të Bordit nuk mund të jetë e njëjtë për të gjithë anëtarët e tij.

09 Mars 2018 - 18:06

Erjonë Popova 09/03/2018 - 18:06
NDËRVEPRIMI15
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend