Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina"

Prokuroria hedh poshtë kallëzimin për ndryshim lëndësh të konkursit në Fakultet të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka hedhur poshtë kallëzimin penal të kandidatit Arben Sinani, i cili pretendonte se dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, Skënder Kaçiu, prodekani Afrim Hamidi dhe profesori Skënder Muji kanë ndërruar në mënyrë të jashtëligjshme lëndët e konkursit për asistent.

Asistenti i angazhuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Arben Sinani pretendonte se menaxhmenti i FBV-së kishte ndryshuar lëndët e konkursit të datës 27 prill të vitit 2018, andaj sipas tij edhe ia kishin pamundësuar aplikimin në këtë konkurs për asistent të rregullt.

Ai ka thënë se Këshilli i këtij fakulteti në mbledhjen e datës 7 mars 2018, kishte vendosur të miratojë lëndët “Anatomi I, Anatomi II, Anatomi III, Anatomi topografike dhe bazat e zoologjisë, Anatomi dhe fiziologji e kafshëve shtëpiake”, të cilat sipas këtij kandidati janë bazike.

Mirëpo, Sinani thotë se në rektorat ishin dërguar lëndë të tjera. Ai tregon se për pozitën numër 17, në këtë konkurs, menaxhmenti i fakultetit kishte zëvendësuar lëndët e mësipërme me lëndët “Higjiena e kafshëve, Etologji aplikative, Mikrobiologji, Kafshët e laboratorit, Shkenca e kafshëve të laboratorit, Kafshët e shoqërimit, Mirëqenia e kafshëve të eksperimentit”.

Arben Sinani, shqetësimin e tij për ndryshimin e lëndëve e kishte paraqitur në Rektoratin e UP-së, si dhe në Prokurorinë e Prishtinës, përmes një kallëzimi penal kundër Skënder Kaçiut, në cilësinë e Dekanit të FBV-së, Afrim Hamidit në cilësinë e Prodekanit dhe Skënder Mujit, në cilësinë e profesorit.

Prorektori për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se duke marrë parasysh kompetencat akademike të këshilleve nga njësit akademike, Rektorati nuk ka ndërhyrë në nivelin mikromenaxhues të njësisë akademike në fjalë.

“Senati i UP (dhe menaxhmenti qendror) nuk ka ndërhyrë në procesin e selektimit të lëndëve dhe pozitave në konkursin e përmendur. Pra, konkretisht, Senati është njoftuar mbi vendimin e Këshillit të Fakultetit të Bujqësisë për pozitën që kanë pasur në dispozicion për ta shpallur në konkurs”, ka deklaruar prorektori Berisha.

Në anën tjetër, Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Prishtinës, e cila përmes zyrtares për informim, Laureta Ulaj, kanë thënë se më 16 maj të vitit 2018, kishin pranuar raport të veçantë nga Policia e Kosovës.

Ajo deklaroi se ky kallëzim ishte kundër Skënder Kaçiut, Afrim Hamidit dhe Skënder Mujit, në të cilin pretendohej se është kryer vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokurori i çështjes, më 18.09.2018, ka autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e veprimeve hetimore dhe grumbullimin e provave materiale lidhur me këtë çështje penale. Pas analizimit të të gjitha të gjeturave, më 22.01.2019, prokurori i rastit ka hedhur poshtë kallëzimin penal, të ushtruar nga A.S., kundër S.K., A.H., dhe S.M., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ka deklaruar Ulaj.