Ilustrimi: Trembelat

Projektligji për Noterinë dhe të drejtat e grave në pronë

Noteria si një sistem i ri në Kosovë për realizimin e marrëdhënieve juridike ndonëse ka sjellë risi dhe efikasitet, sidomos në çështjet e realizimit të të drejtave pronësore të grave, ka nevojë për ndryshime.

Projektligji i ri ka sjellë ndryshime shumë pozitive por që ende janë identifikuar zbrazëtira që mohuesve të të drejtave të grave dhe vajzave në pronë mund t’u mundësojnë keqbërje.

Viti 2008 përbën vitin më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, kjo për faktin se këtë vit përpos shpalljes së pavarësisë së vendit, shënon edhe pikënisjen e rregullimit juridik të vendit duke filluar me Kushtetutën e vendit si dhe nxjerrjen e ligjeve tjera përkatëse.

Pikërisht nga fundi i këtij viti, në Kosovë hyri në fuqi edhe Ligji i Noterisë, një risi kjo në strukturën ligjore të vendit imponoi që shumë marrëdhënie juridiko-civile që trajtoheshin nga gjykatat e vendit dhe organet tjera komunale të barteshin te noterët.

Njëri prej segmenteve më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve ishin edhe transaksionet e pronës së paluajtshme për të cilat parashihej që me ligjin e ri të ishte kompetent vetëm noteri.

Me këtë Ligji parashihej që edhe disa prej çështjeve që trajtoheshin në procedurë jokontestimore, siç ishte shqyrtimi i trashëgimive, krahas gjykatës t’i jepeshin në kompetencë  noterit.

Çështjet trashëgimore dhe në veçanti rastet kur gratë do të ishin pjesë e procedurave trashëgimore, do të përbënin rastet më sfiduese të punës së noterëve sipas këtij Ligji.

Kjo për faktin se numri i grave dhe vajzave që trashëgojnë në Kosovë është shumë i vogël dhe nuk janë të pakta rastet kur gra dhe vajza shprehin shqetësimet e tyre për rrjedhën e procedurës te noterët në rrugën për të realizuar të drejtat e tyre pronësore.

Si rrjedhojë, në vazhdimësi është kërkuar amendamentimi i këtij Ligji me qëllimin e vetëm trajtimin e shqetësimeve të grave dhe vajzave që përfshihen në procedurat e trashëgimisë si dhe ofrimin e një infrastrukture sa më të përshtatshme ligjore për realizimin e të drejtave pronësore.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për të paktën 4 vitet e fundit ka avokuar në ndryshim plotësimin e këtij Ligji, duke ofruar rekomandime konkrete që synojnë përmirësimin e pozitës dhe ofrimin e garancive shtesë për gratë dhe vajzat e përfshira në procedura të trashëgimisë.

Projektligji për Noterinë është në fazën finale në Kuvendin e Kosovës dhe është pjesë e pakos së tri projektligjeve së bashku me Projektligjin për Procedurën Jokontesimore dhe  Projektligjin për Trashëgiminë, projektligje këto që esencialisht prekin dhe rregullojnë rrugën e realizimit të drejtave pronësore.

Çka duhet të ndryshojë Projektligji i ri ?

Me Projektligji për Procedurën Jokontestimore që po ashtu është në proces në Kuvendin e Kosovës, parashihet që rastet e trashëgimisë të shqyrtohen vetëm te noteri, ndryshe sa ishte përcaktuar më parë që këtë ta bëjë noteri dhe gjykata, varësisht nga vullneti i palës.

Mirëpo, gjatë procesit legjislativ në Kuvendin e Kosovës, përsëri është rikthyer ideja dhe madje është propozuar si amendamentim që çështjet e trashëgimisë t’i mbeten edhe gjykatës dhe noterit.

Cilido qoftë epilogu i kësaj çështjeje, Projektligji i Noterisë duhet të përmbajë ndryshime që garantojnë se në secilin  version duhet të ketë masa të mjaftueshme të sigurisë për shprehjen e pandikuar të vullnetit të palëve.

Njëra nga çështjet më bazike që prek Projektligji i ri është përgjegjësia e noterëve dhe përcaktohet që nga mënyra e regjistrimit të tyre në Agjencinë e Bizneseve.

“Në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi, noteri personalisht vendos për formën dhe llojin e biznesit që do të regjistrojë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve”, parashihet në paragrafin 4 të nenit 2 të Projektligjit të ri.

Noterët në Kosovë edhe me Ligjin në zbatim por edhe me Projektligjin e ri janë përgjegjës për dëmin e shkaktuar palëve. Madje noterët obligohen që të jenë të siguruar për dëmin e shkaktuar gjatë punës noteriale. Megjithatë ky propozim mund të sjellë kufizime të dukshme në përgjegjësinë e noterit.

Nëse noterëve u lihet mundësia e zgjedhjes së mënyrës së regjistrimit të biznesit pranë ARBK-së, mbase të gjithë do të zgjedhin formën e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar por noterët duhet të obligohen të regjistrohen si biznese individuale dhe të përgjigjen me tërë pasurinë e tyre në rastet kur dëmi i shkaktuar tejkalon mbulueshmërinë e sigurimit të tyre.

Ndryshim tjetër esencial i propozuar me Projektligjin e ri është edhe propozimi në nenin 19 të Projektligjit të sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Nëse edhe pas këshillës së noterit palët insistojnë që akti i tyre noterial të përmbajë diçka joprecize, atëherë pala e këshilluar nga noteri nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim dëmi nga noteri pasi që në veçanti noteri e ka këshilluar dhe paralajmëruar për një rast konkret”, përcaktohet në Projektligj.

Një propozim i tillë assesi se nuk duhet të lejohet të kalojë sepse në njërën anë ekspozon palët që nuk kanë njohuri të duhura juridike për të drejtat dhe obligimet e tyre juridike në procedurat pranë noterit dhe në anën tjetër e largon përgjegjësinë e noterit.

Një përcaktim i tillë do të mund të vinte në shprehje veçanërisht në rastet e shqyrtimit të trashëgimisë ku gratë dhe vajzat do të mund të dëmtoheshin duke deklaruar “diçka joprecize”, dhe noteri kësisoj nuk do të kishte asnjë  lloj përgjegjësie përkundër se ka hartuar një akt noterial që përmban diçka jo të qartë dhe jo të plotë.

BIRN që nga drafti fillestar i këtij Projektligji ka propozuar që një përcaktim i tillë të fshihet fare ose në rastin më të keq të riformulohet dhe noterët në asnjë mënyrë të mos munden të shmangin përgjegjësinë e tyre në rast të hartimit të “diçkaje joprecize”.

Njëri prej hapave më pozitiv që është përfshirë në Projektligjin për Noterinë, e që ka qenë rekomandim i hershëm i raportit të BIRN-it, është edhe mundësia që noterëve t’u mundësohet qasja në regjistrat elektronikë të organeve publike.

Noteri si zyrtar publik me qëllim të sigurimit të shërbimeve noteriale ka të drejtë që të ketë qasje në të gjitha regjistrat elektronikë të organeve publike;

6.2. organet shtetëror kompetent sipas kërkesës së Odës së Noterëve të Kosovës (më tej Oda)janë të obliguara që në afat prej 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga dita e parashtrimit të kërkesës të krijojnë qasje elektronike të gjitha zyrave noteriale, si dhe

Përcaktohet në paragrafin 6 të nenit 2 të Projektligjin për Noterinë.

Sigurisht se ky është një ndryshim i domosdoshëm me të cilin dukshëm do të shtohen mjetet në dispozicion të noterit për të verifikuar pretendimet e palëve duke i verifikuar ato në regjistrat publikë.

Kësisoj dukshëm do të reduktohet mundësia e fshehjes së trashëgimtarëve e që praktika ka dëshmuar se në shumë raste trashëgimlënësit për koincidencë nuk kanë lënë pas vetes trashëgimtarë gra dhe vajza por vetëm burra dhe djem.

Përkundër këtij ndryshimi pozitiv të propozuar, me Projektligjin e ri nuk është trajtuar fare çështja e mbajtjes së evidencave konkrete specifikisht në lidhje me rastet e trashëgimisë por vetëm është trajtuar për lëndët në përgjithësi.

Krijimi i evidencave në lidhje me rastet e trashëgimisë ka qenë një nga rekomandimet e shoqërisë civile me arsyetimin se vetëm duke e ditur për numrin e saktë të rasteve të trashëgimisë që shqyrtohen te noterët por edhe për numrin e rasteve të grave dhe vajzave që marrin pjesë në këto procedura dhe numrin e atyre që heqin dorë nga e drejta për të trashëguar mund të paraqitet një pasqyrë e qartë për fenomenin e heqjes dorë nga trashëgimia te gratë dhe vajzat.

Projektligji i ri fare nuk e trajton këtë ndërsa praktika e deritanishme ka dëshmuar se përpos që noterët i evidentojnë këto të dhënat në librat e tyre, as noterët e as Oda e Noterëve e rrjedhimisht nuk kanë të dhëna statistikore për rastet e trashëgimisë.

Çështja e fundit, por ndoshta më e rëndësishmja, është se Projektligji i ri nuk e ka trajtuar çështjen e video-incizimit të seancave në rastet e trashëgimisë.

Video dhe audio-incizimi janë trajtuar në Projektligjin për procedurën jokontestimore dhe rekomandimi i BIRN-it për këtë çështje është përkrahur nga grupi punues i atij Projektligji, mirëpo Projektligji i Noterisë nuk e ka trajtuar fare këtë Projektligj për të qenë sa më në harmoni.

Krejt në fund, duhet të përmendet që ky Projektligj është iniciuar nga nëntori i vitit 2016 dhe edhe pse tashmë është kaluar në parim dhe ka përfunduar puna në grupe punuese nuk ka arritur të votohet përkundër se ishte disa herë në rend të ditës dhe ka mbetur të dalë në votim në sesionin vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës.