Ekipi negociator i Kosoves foto KALLXO.com

Projektligji ‘i paqartë’ për dialogun

Mes shumë kritikave dhe akuzave pozitë-opozitë, të shtunën e kaluar Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Projektligji në fjalë po kritikohet ashpër nga dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat vlerësojnë se as në këtë dokument nuk përjashtohet mundësia për “korrigjim të kufirit”, ide kjo e proklamuar vazhdimisht muajve të fundit nga presidenti Hashim Thaçi.

Ndërkaq, për njohës të çështjeve politike dhe të procesit të dialogut, projektligji po shihet me mjaft rezerva sa i përket kushtetueshmërisë dhe legjitimitetit për t’i mbrojtur interesat  e shtetit të Kosovës, përfshirë edhe integritetin territorial.

Megjithatë, në seancën plenare të 2 shkurtit, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj duke e prezantuar projektligjin, tha se ai është i bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe ofron përfaqësim të të gjithë spektrit politik.

“Ky projektligj i jep një mandat të qartë delegacionit të Kosovës, e mbikqyr këtë delegacion dhe se me të rregullohet llogaridhënia politike para Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky projektligj e rregullon atë se çka mund dhe nuk mund të negociohet në dialogun me Serbinë dhe cilat janë vijat e kuqe në këtë proces”, theksoi Hoxhaj.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani pati thënë, që ky projektligj është jo kushtetues sepse sipas saj, nuk i definon qartë pikat e kuqe të dialogut, duke mos përfshirë negociatat për dialog dhe rolin e Presidentit në Bruksel.

“Në projektligjin që e keni sjellë nuk thuhet asnjëherë se nuk negociohet territori, as shkëmbimi e as asociacioni i komunave serbe, përmbajtja e delegacionit është 11 anëtarë e në kllapa shkruan 12, a është presidenti anëtari i 12-të?”, ishte shprehur deputetja Osmani gjatë seancës së Kuvendit.

Edhe deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se e kundërshtojnë projektligjin në dy aspekte.

“Ne e kundërshtojmë këtë projektligj edhe në aspektin politik për shkak se është skandaloz dhe tenton që ta shuaj vetminë e Hashim Thaçit në projektin e dëmshëm për shkëmbim territorial. Të njejtin e kemi lexuar edhe nga këndvështrimi juridik dhe konsiderojmë që shumë nene të këtij projektligji bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha deputetja, duke paralajmëruar se në rast që projektligji kalon në lexim të dytë, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Haxhiu kritikoi rolin e Partisë Socialdemokrate në tërë këtë proces.

“Është fatkeqësi që edhe disa subjekte pseudo-opozitare ose disa deputetë pseudo-opozitar po bëhen pjesë e këtij projekti të dëmshëm vetëm për shkak të mbijetesës politike,”, theksoi ajo për Gazetën JnK.

Ndërkaq, Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se procesi i dialogut vështirë se mund të përfundojë, duke qenë jashtë procesit 44 deputetë shqiptarë të Kuvendit.

“Qoftë me ligjin që ka kaluar në lexim të parë, qoftë Rezoluta që ka kaluar me 59 vota në Kuvend, asnjëra nga këto nuk e përjashton mundësinë që territori me qenë objekt diskutimi në kuadër të negociatave me Serbinë”, theksoi Kryeziu.

Sipas tij, mundësia për korrigjim të kufirit është elementi i cili e ka polarizuar skenën politike dhe po e bën të pamundur ndërtimin e një konsensusi politik.

“Shkëmbimi territorial aspak nuk është i definuar as me ligj as me rezolutë. çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial që përmendet, nuk është element i cili e mbron që territori me qenë objekt diskutimi.Duhet thënë në mënyrë shprehimore që kjo nuk duhet të diskutohet  nga asnjë institucion qendror kushtetues”, tha ai.

Ndërsa Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën JnK, se nenet e projektligjit për dialogun ende pa u miratuar, konsiderohet se janë shkelur.

“Ky ligj ende pa u mirtuar fare ka filluar të mos respektohet. Në të ardhmen besoj që do të ketë përplasje mes delegacionit shtetëror dhe presidentit, pasi që takimet kryesore të dialogut do të vazhdojnë të mbahen në nivel të presidentëve. Presidenti Thaçi  do të vendosë pastaj a do t’i ndajë këto informacione me delegacionin shtetëror”, shtoi Haxholli.

Ajo theksoi se nuk pritet që  do të mund të  ndryshojë diçka në formatin  e përfaqësimit të Kosovës në fazën e re të dialogut, me anë të këtij projektligji.

Edhe dialog, edhe taksë?

Përderisa institucionet në Kosovë kanë formuar mekanizma për procesin e dialogut, shteti i Serbisë është shprehur i vendosur për të mos i vijuar negociatat, deri në heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, përderisa presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për pezullimin e tarifës doganore është i vazhdueshëm, qeveria është shprehur e palëkundur për të mos e pezulluar vendimin.

Violeta Haxholli (KDI), thekson se Kosova në këtë mes është në pozitë mjaft të vështirë, për shkak të presionit ndërkombëtar në pezullimin e taksës për t’i hapur rrugë dialogut.

“Do të jetë e vështirë të vazhdojë dialogu sepse për momentin i kemi dy pozicione goxha të ngrira. E kemi palën serbe e cila deklaron se nuk do të vijë në dialog pa u hequr taksa dhe palën e Kosovës, që thotë se nuk do ta heq taksën pra pozicioni në Qeverinë Haradinaj. Unë më shumë pres që Kodova do të lëshojë pe në këtë rast sesa Serbia”, tha ajo për Gazetën JnK.

Kurse, Taulant Kryeziu thotë për Gazetën JnK, se janë disa skenarë të gjendjes aktuale politike për të ardhmen e negociatave me Serbinë.

“Janë dy skenarë: që taksa të hiqet dhe procesi i dialogut të vazhdojë dhe taksa të mbetet dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve, për arsye se vetëm taksa është elementi i cili e ka ndalur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.

Kryeziu shtoi se ka edhe një tjetër skenar për ta përfunduar procesin e dialogut “shpejt e shpejt” e cila, sipas tij, nuk do të shkonte në dobi të Kosovës.

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu vlerëson se dialogu nuk duhet të vazhdojë, pa u vlerësuar procesi që nga fillimi.

“Ne jemi kundër procesit  të dialogut kësisoj, pa parime dhe pa kushte vetëm sa do të shtohet numri i gabimeve në këtë proces. Nuk mund të ketë vazhdim të dialogut për sa kohë nuk e kemi vlerësuar procesin gjashtë vjeçar. Janë nënshkruar 33 marrëveshje dhe asnjëherë s’është bërë asnjë vlerësim i atij procesi. Prandaj ne nuk e kemi mbështetur do ta kundërshtojmë, madje do të jemi dyfish opozitë”, tha deputetja Haxhiu për gazetën JnK.