Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë| Foto: Facebook

Profesori me Aktakuzë Ligjëron për Drejtësi

Kolë Krasniqi akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës se e ka falsifikuar një procesverbal të një komisioni duke e mbështetur një vendim të paqenë për të larguar një profesor nga puna. Përveç kësaj, Krasniqi akuzohet se ka hyrë në e-mailin e profesorit të larguar nga puna, duke ia pamundësuar atij qasjen në të dhënat e tij.

Këto dy vepra penale, Prokuroria pretendon se Krasniqi i ka kryer gjatë kohës kur ushtronte detyrën e dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka”  në Pejë.

Kolë Krasniqi është profesor i Fakultetit Juridik në Universitetin publik “Haxhi Zeka” në Pejë, ku ligjëron lëndët “E Drejta Penale Ndërkombëtare” dhe “E Drejta Ndërkombëtare Humanitare”. Krasniqi është edhe anëtar i Senatit të Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.

Ai vazhdon t’i ushtrojë të dy postet që mban në këtë Universitet, ndërsa rektori i Universitetit nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij.

Ngritja e Aktakuzës

Prokuroria Themelore në Pejë e ngarkon Kolë Krasniqin për dy vepra penale gjatë kohës sa ishte në pozitën e ushtruesit të detyrës së dekanit.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës në prill të vitit 2014, Kolë Krasniqi akuzohet se derisa ishte në pozitën e ushtruesit të detyrës së dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” ka kryer veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike, nga neni 339 par. 1 të KPRK-së dhe Falsifikimi i dokumenteve, nga neni 398 par. 1 dhe 2 të KPRK-së.

Në veprën parë penale, sipas aktakuzës, Krasniqi akuzohet se ka hyrë në sistemin kompjuterik duke përpiluar vendim të falsifikuar.

“Me datën 30.10.2014, në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, pa autorizim dhe me qëllim t’i shkaktojë dëm personit tjetër, hyn në sistemin kompjuterik të dëmtuarit Bashkim Ramadani, të cilit me këtë rast ia mbyllë e-malin, në të cilin i dëmtuari kishte të dhëna të cilat janë pronësi intelektuale e tij… me çka ka kryer veprën penale- Hyrja në sistemin kompjuterik nga neni 339 paragrafi 1. të KPKS-së”, thuhet në përshkrimin e veprës së parë penale në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës.

Aktakuza profesorin Kolë Krasniqi e ngarkon edhe për një vepër tjetër penale, falsifikimi i dokumenteve. Ai akuzohet se e ka larguar nga puna Bashkim Ramadanin me një vendim të falsifikuar. Krasniqi akuzohet se e kishte falsifikuar procesverbalin e komisionit të Fakultetit Juridik të datës 5 shtator 2014, në të cilin e kishte futur edhe diskutimin për vendimin e shkarkimit të Ramadanit nga detyra.

“I pandehuri në cilësinë e U.D. Dekanit të Fakultetit Juridik të Universiteti në fjalë, pa i respektuar procedurat ligjore, i pandehuri (Kryetar i Komisionit), personalisht përpilon procesverbalin e mbledhjes së datës 05.09.2015, duke i dhënë përmbajtje tjetër (CD-ja), si dhe vendimin e sipërshënuar duke e futur në përmbajtje një fakt inekzistent se kinse për largimin e të dëmtuarit Bashkim (Ramadani), është biseduar në mbledhjen e Komisionit të Fakultetit Juridik”, thuhet në përshkrim të akuzës së dytë me të cilën ngarkohet Krasniqi.

Për më tepër, pjesëmarrësit e mbledhjes së komisionit e kanë vërtetuar falsifikimin e procesverbalit.

“Në të cilën (mbledhje të komisionit) kishin marrë pjesë anëtarët e komisionit, këtu dëshmitarët Mujë Uka, Fejzulla Berisha, dhe zyrtarja ligjore Tirana Baftiu, të cilët në këtë prokurori kanë dëshmuar se në mbledhjen e apostrofuar fare nuk është biseduar e as që është vendosur nga komisioni, largimi i të dëmtuarit Bashkim (Ramadani) nga puna, me çka ka kryer veprën penale të Falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 paragrafi 1 dhe 2 të KPRK-së,” thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, se ndaj profesorit Kolë Krasniqi fillimisht ishte bërë kallëzim penal ndërsa me pas prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tij.

“Më 08.12.2015 në lidhje me veprat penale nga neni 423 dhe 422 të KPRK-së, kjo prokurori ka hequr dorë, ashtu që Gjykata Themelore në Pejë, e ka hedhur aktakuzën në lidhje me këto dy vepra penale”, tha Kozmaqi.

Kolë Krasniqi|| Foto: Facebook

Prokuroria ka vendosur që ta ndjekë penalisht profesorin Krasniqi.

“Departamenti i Përgjithshëm më 01.04.2016 kundër K.K. ka ngritur aktakuzë për vepër penale: Hyrja në sistemet kompjuterike, nga neni 339 par. 1 të KPRK-së dhe Falsifikimi i dokumenteve, nga neni 398 par. 1 dhe 2 të KPRK-së”, tha zëdhënësja e Prokurorisë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Selvane Bukleta, tha se ka filluar procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit Kolë Krasniqi, profesor i Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.

“Procesi gjyqësor ndaj profesorit të Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Kolë Krasniqi, i akuzuar për veprën penale hyrje në sistemet kompjuterike nga neni 339 par.1 të KPK-së dhe falsifikimi i dokumenteve nga neni 398 par.1 dhe 2 të KPK-së, ju njoftojmë se seanca gjyqësore përkatësisht seanca fillestare është mbajt me datën 06.04.2017, ndërsa seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar me datën 10.05.2017,” thuhet në përgjigjet e zëdhënëses së Gjykatës Themelore të Pejës.

Përveç aktakuzës, Prokuroria është duke i shqyrtuar edhe dy kallëzime të tjera penale kundër Krasniqit.

“Rasti i parashtruar nga e dëmtuara M.B., nga Departamenti i Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie është dërguar në kompetencë në Prokurorinë Themelore në Gjilan më 11.02.2016. Rasti tjetër nga Departamenti i Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie më  22.01.2015 është dërguar në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm kundër të pandehurit K.K. për vepër penale: Keqpërdorim i besimit, nga neni 269 par. 2 të KPRK-së, për çka edhe rasti është në procedurë e sipër,” njofton zëdhënësja Kozmaqi për rastin e profesorit të Universitetit Haxhi Zeka.

Heshtja e Rektoratit

“Gazeta Jeta në Kosovë” rreth këtij rasti i ka shkuar edhe Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Fadil Milakut.

Rektori fillimisht ka thënë se do të takohet me profesorin e akuzuar për të sqaruar rastin, e më vonë kishte bërë kërkesë me shkrim për t’i kërkuar llogari profesorit Krasniqi.

“Si Rektor pas pranimit të e-mailit tuaj, kam kërkuar sqarim me shkrim (e-mail) nga z. Kolë Krasniqi dhe kam pranuar sqarimet nga ana tij se “të premten e kaluar ka filluar gjykimi lidhur me dy pikët e mbetura të aktakuzës së ngritur (më parë kundër ish-menaxhmentit te UHZ-se), nga Prokuroria Themelore në Pejë,” thuhet në përgjigjet e rektorit Millaku për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Ai po ashtu tha së do t’i drejtohet Prokurorisë dhe Gjykatës së Pejës që të njoftohen edhe zyrtarisht për procedura ligjore që po ndërmerren ndaj profesorit të Fakultetit Juridik.

“Sidoqoftë, ne si menaxhment do t’i drejtohemi me shkrim institucioneve të lartcekura në mënyre që të njoftohemi zyrtarisht lidhur me rastin, me qëllim që veprimet të cilat do t’i ndërmarrim në të ardhmen të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi,” thuhet në përgjigjen e  Rektorit për gazetën Jeta në Kosovë.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar edhe me profesorin e akuzuar Kolë Krasniqi. Ai aktakuzën e ngritur ndaj tij e quajti “hakmarrje ndaj punës se tij për luftimin e dukurive negative”.

“Nuk kam asnjë prononcim tjetër pos argumentimit të faktit se aktakuza e ngritur është reagim hakmarrës kundër meje për shkak të përpjekjeve dhe kërkesave të parashtruara për luftimin e dukurive negative në universitet,” është përgjigjur profesori Kolë Krasniqi për gazetën JnK.

Përveç kësaj deklarate, profesori Kolë Krasniqi, ka dërguar edhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës të cilën e ka dorëzuar edhe në gjykatë. Sipas kërkesës së parashtruar për hedhjen e aktakuzës, Krasniqi thotë së ajo është ngritur “pa bazë dhe pa asnjë provë”.

KALLXO.com raportoi për shtyrjen e seancës së shqyrtimit të dytë fillestar ndaj të akuzuarit Kolë Krasniqi pas kërkesës së prokurores Lumturije Vuçetaj që mos ta përfaqësojë ketë procedurë penale. Ajo u arsyetua se gjatë studimeve në nivelin Master e ka  pasur profesor Krasniqi dhe me të njëjtin është në negociata për caktimin e temës së diplomës.

http://kallxo.com/prokurorja-kerkon-te-terhiqet-nga-rasti-kunder-profesorit-te-saj/