Problemet me subvencione dhe borxhe të Ministrisë së Bujqësisë  

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka dhënë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) 60 rekomandime për katër vjet (2014-2017). Numri më i madh i rekomandimeve është dhënë në vitin 2017, me gjithsej 21.

Nga 39 rekomandimet e dhëna për periudhën 2014 – 2016, MBPZhR ka arritur t’i adresoj  plotësisht në vitet pasuese mbi 38 për qind prej tyre, pjesërisht 41 për qind si dhe rekomandimet të cilat nuk janë zbatuar fare bëjnë pjesë me rreth 21 për qind.

Analiza tregon se përkundër që janë zgjidhur shumë probleme dhe dobësi, kjo ministri vazhdon të ketë çalime në sektorë e njëjtë. Rekomandime që janë dhënë nëpër vite në fushat si në menaxhimin financiar dhe të kontrollit, aprovimit të buxhetit për nevojat e stafit, sistematizimi i vendeve të punës, rritja e monitorimit të granteve tek kategoria e subvencioneve dhe transfereve, mungesa e një softueri për menaxhimin e të hyrave janë përseritur nëpër vite që nga viti 2015 e deri në vitin 2017.

Të pa adresuara kanë mbetur edhe rekomandimet si: krijimi i një komiteti efektiv të auditimit të brendshëm, menaxhimin e personelit apo organizimit të brendshëm në lidhje plotësimin e pozitave të lira dhe atyre me ushtrues detyre, shkrimin e procedurave të brendshme për menaxhimin e pasurive.

Opinioni i auditorit lidhur me punën e kësaj Ministrie ishte gjithnjë i pa modifikuar, por me theksim të çështjeve si në: shpalosjen e pasurive fikse, obligimet e pa paguara, pa rregullsi në procesimin e pagesave për përfituesit e subvencioneve, vlerën e pasurive dhe keq klasifikimin e shpenzimeve.

Në raportin e auditimit të vitit 2015, Auditori kishte lëshuar një opinion të pa modifikuar.

“Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se procesimi i pagesave të subvencioneve për vitin 2015 është përcjellur me parregullsi të caktuara që lidheshin me pagesa të dyfishta ndaj përfituesve dhe me kontrolle joefikase në shqyrtimin e aplikacioneve të fermerëve“, thuhej në opinionin e vitit 2015.

Ministria u mbetet borxh fermerëve, nuk i paguan subvencionet

Në vitin 2014, Auditori ka gjetur se MBPZhR ka pasur një vlerë të madhe të obligimeve të pa paguara ndaj fermerëve. Auditori e ka konsideruar se ky borxh ka lindur për shkak se menaxhmenti nuk ka zbatuar kontrollet e duhura rreth inicimit të pagesave me kohë. Sipas raportit, kjo do të ndihmonte fermerët dhe zvogëlim të vlerës së obligimeve të bartura për vitin 2015.

“Ministri duhet të iniciojë një analizë, arsyet për vonesat në pagesën e subvencioneve si dhe të identifikojë dhe të ndërmerr veprime të nevojshme për të siguruar pagesën me kohë pasi është parakusht për pranimin e donacioneve të nevojshme”, thuhet në rekomandimin pjesërisht të adresuar të vitit 2014.

Në vitin 2014 gjithashtu del se Ministria nuk kishte subvencionuar disa komuna lidhur me programin për ujitjen e vreshtave pasi ato kishin nisur procedurat e prokurimi pa aprovim nga Ministria dhe kjo kishte ndikuar në vonesa në zbatimin e programit për vreshtat. Gjithashtu kishte mangësi edhe te subvencionimi i  sektorit të qumështarët me mjete transportuese.

“Ministri duhet të kryejë një rishikim të brendshëm për të përcaktuar pse proceset e subvencionimit nuk janë adresuar në të gjitha rastet dhe të ushtrojë më shumë kontrolle për të siguruar se dobësitë e identifikuara janë adresuar. Njëkohësisht të konsideroj se kriteret sipas UA a janë të përshtatshme për zbatimin e politikave të zhvillimit të bujqësisë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2014.

Gjatë vitit 2014, në raport është evidentuar se janë subvencionuar dy Organizata Jo Qeveritare (OJQ), edhe pse nuk ofronin shërbimet e fushave sipas thirrjes për aplikim. Projektet e subvencionuara nuk ishin të natyrës për prodhimin, përpunimin e produkteve bujqësore dhe agro-ushqimore vendore.

“Ministri duhet të forcoj kontrollet rreth subvencioneve për të siguruar se ato jepen vetëm për qëllime dhe rezultate të synuara Përveç kësaj, zbatimi i marrëveshjeve me OJQ-të e subvencionuara duhet të monitorohen dhe përcillen nga afër. Nxjerrja e një udhëzuesi të brendshëm, duke përfshirë një shabllon për marrëveshje e cila mund të jetë e dobishme në trajtimin e mangësive ekzistuese”, thuhet në rekomandim e vitit 2014.

Pagesat e dyfishta për subvencione

Listat e përfituesve për pagesa direkte (subvencione) përgatiten nga MBPZhR-ja, ndërsa ekzekutimi i pagesave ende vazhdon të bëhet nga ministria e Financave. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së stafit të financave dhe kompetencave të decentralizuara për kryerjen e pagesave nga AZhB.

Si rezultat i vonesave në kompletimin dhe funksionalizimin e stafit të financave në vitin 2016 nga MF kanë ndodhur pagesa të dyfishta në vlerë 136,415 euro (247,047 euro në vitin 2015). Ky gabim është identifikuar nga MBPZhR dhe është iniciuar kthimi i mjeteve ndërsa zyrtarët e Thesarit kanë konfirmuar që këto mjete janë kthyer. Për më tepër, MF kishe regjistruar në kod të gabuar pagesat në vlerë 290,655 euro.

Në rekomandimin e auditorit thuhet se Ministri Bujqësisë së bashku me Ministrin e Financave duhet të marrin veprimet që funksionalizimi i plotë i AZhB të arrihet.

“Ministri duhet ta rishikojë strukturën ekzistuese të AZhB-së dhe të përcaktoj se cilat janë pengesat në konsolidimin e saj dhe kryerjen e spektrit të plotë të detyrave. Ministri në bashkëpunim me Ministrin e Financave duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të siguruar që plotësimi i stafit dhe decentralizimi i funksionit të ekzekutimit të pagesave do të implementohet gjatë vitit 2017”, thuhet në rekomandimin e vitit 2016.

Auditori ka gjetur parregullsi edhe tek kriteret e vlerësimit te kategoria e subvencioneve dhe transfereve në vitin 2015, por rekomandimi ishte adresuar në vitin 2016.

Sipas programeve dhe Udhëzimit Administrativ të Ministrisë, grantet që u jepen fermerëve duhet të monitorohen së paku një herë brenda pesë viteve. Megjithatë, nga të dhënat e kontrollit në Ministri, monitorimi i granteve nuk jep siguri se janë realizuar kontrollet e duhura sipas UA-së.

Në vitin 2015, divizioni i kontrollit në teren kishte bërë vetëm 17 kontrolle për projektet e viteve 2013-2014.

Bazuar në numrin e madh të miratimit të granteve, niveli i kontrolleve të tilla konsiderohet i pamjaftueshëm për mbulimin e të gjitha projekteve të subvencionuara. Për më tepër kjo është e nevojshme pasi që kontrollet e aplikuara në vitin 2015 kishin identifikuar parregullsi rreth përmbushjes së kontratës nga ana e fermerëve si dhe shitje të mjeteve të subvencionuara nga ministria.

Sipas AZhB-së, numri i pamjaftueshëm i burimeve njerëzore paraqet hapësirë të kufizuar në arritjen e objektivave të caktuara.

“Ministri dhe Kryeshefi Ekzekutiv duhet të sigurojnë rritjen e aktiviteteve monitoruese të grandeve, monitorimet pasqyrojnë rrezikun e vlerësuar dhe ato të kryhen rregullisht dhe me kohë. Në anën tjetër të konsideroj edhe kapacitetet e mjaftueshme të burimeve njerëzore për arritjen e rezultateve të duhura”, thuhet në rekomandimin e vitit 2015.

Angazhimi i studentëve pa pagesë

AZhB kishte angazhuar studentë të Fakultetit Ekonomik për inspektim në teren për përfituesit e subvencioneve, por nuk i kishte paguar ata përkundër marrëveshje për pagesë. Marrëveshja e Bashkëpunimit mes AZhB-së dhe Fakultetit Ekonomik parashihte angazhimin e studentëve në kryerjen e inspektimit në terren tek fermerët përfitues të pagesave direkte. Kompensimi për studentë është paraparë të jetë 230 euro për muaj. Me gjithë pjesëmarrjen e studentëve në inspektim, kompensimi nuk ka ndodhur. Sipas Auditorit, kjo ishte si pasojë e mos koordinimit në mes Ministrisë dhe AZhB-së. Obligimi nga kjo marrëveshje ishte 22,540 euro. Për më tepër, angazhimi i studentëve në inspektim ende vazhdon.

 “Ministri duhet të siguroj se puna e kryer të paguhet ashtu siç parashihet me marrëveshjen ekzistuese të bashkëpunimit me fakultetin ekonomik. Përveç kësaj, marrëveshjet ekzistuese duhet të rishikohen për atë nëse ende ekziston nevoja për angazhim të studentëve dhe nëse ka buxhet të mjaftueshëm në dispozicion për pagesa të tilla në të ardhmen”, thuhet në rekomandimin pjesërisht të adresuar të vitit 2014.

Në raportin e vitin 2017, evidentohet se Ministria e Bujqësisë kishte vonesa në realizimin e projekteve. Afati për investimet fizike në përpunimin e produkteve bujqësore ishte tetë muaj vetëm me ndonjë arsye të fortë mund të zgjatej dy muaj më shumë. Në 11 raste Auditori kishte kaluar afatet duke kërkuar shtyerje dhe me vetëm një arsyetim me shkrim e pa dëshmi.

Në 2017, Ministria kishte aprovuar pagesa pa zbatuar kriteret. Sipas Udhëzimit Administrativ një nder kriteret për përfitimin e pikëve ishte edhe numri i punëtoreve që do të punësohen në të ardhmen. Përfituesi kishte paraqitur në plan të biznesit rritjen e numrit të punëtorëve prej shtatë deri nëntë persona dhe për këtë kishte përfituar nëntë pikë, për secilin punëtor nga një pikë.

Sipas Auditorit, zbatimi i këtij kriteri duhet të dëshmohet në AZhB me rastin e paraqitjes së kërkesës për pagesë, përfituesi kishte dëshmuar vetëm për shtatë punëtor, çka do të thotë së është mbivlerësuar me dy pikë. Ndërsa në rastin tjetër ishte prezantuar angazhimi i pesë punëtorëve me mundësi rritje deri në 15 punëtorë, sipas këtij deklarimi përfituesi kishte fituar pikët maksimale saktësisht 10 pikë, ndërsa kishte dëshmuar vetëm për gjashtë persona.

Sipas një Udhëzimit Administrativ prej ditës së dorëzimit të kërkesës për pagesë deri te ekzekutimi i pagesës nuk duhet të kalojnë më shumë se 40 ditë. Në shtatë raste kishte tejkalim të këtij afati mbi dy muaj për projektet që kishin të bëjnë me vitin 2016.

“Ministri duhet të siguroj se autorizimi i pagesave bëhet vetëm në rastet kur dëshmohet se janë zbatuar kriteret të cilat kanë ndikuar në përfitimin e projektit si dhe procedimi i kërkesës për pagesë të bëhet konform afateve të përcaktuara me udhëzim administrativ”, thuhet në rekomandimin.

Në vitin 2017, përfituesi i grantit për projektin ‘Ndërtimi i qumështores së re’, nuk kishte arritur t’i përfundoj punimet brenda afatit dhe kishte kërkuar shtyrje të afatit për zbatim të projektit siç parashihet në kontratë. Pas përfundimit të afateve të përcaktuara në kontratë kishte bërë kërkesën për pagesë, mirëpo Departamenti i kontrollit kishte identifikuar disa pozicione të papërfunduara. Pas kësaj, përfituesi më vonë kishte bërë kërkesë për rikontroll me arsyetimin se tani janë kryer të gjitha punimet. Auditori rekomandoi të respektohen kushtet e kontratës dhe Udhëzimit Administrativ.

“Ministri duhet të siguroj se kushtet vendosura në kontratë dhe udhëzim administrativ zbatohen nga zyrtarët përgjegjës të AZhB-së”, rekomandoi Auditori.

Vendimet e padrejta të Komisionit për ankesa

Gjatë vitit 2017 Ministria e Bujqësisë kishte formuar komisionin për shqyrtim dhe vlerësim të ankesave për Grante. Ky komision përgjatë punës së tij kishte mos pajtime me zyrtarët e AZhB-së, pasi që në 46 rastet për të cilat komisioni për shqyrtim të ankesave kishte vendosur ndryshe nga Divizioni i Miratimit të Projekteve të Zhvillimit Rural, dhe rekomandimet e komisionit nuk ishin zbatuar. Në dy rastet e testuara nga Auditori është evidentuar se komisioni i Ministrisë e kishte kthyer lëndën në rishqyrtim por AZhB e kishte refuzuar në të dyja rastet.

Po ashtu u evidentua se Drejtoria e Pagesave kishte kundërshtuar në 35 raste komisionin për shqyrtim të ankesave. Në dy rastet e testuara nga Auditori del se vendimet e komisionit nuk ishin të drejta.

“Ministri duhet të siguroj së janë vendosur kritere të qarta në program dhe udhëzime administrative që mos të ketë paqartësi në interpretimin e tyre. Po ashtu të sigurojë se komisioni për shqyrtim të ankesave vepron në pajtim me udhëzimet administrative”, rekomandoi Auditori në vitin 2017.

Regjistrimi i pasurisë në kundërshtim me rregulloren

Auditori ka gjetur se Ministria e Bujqësisë në vitin 2016 ka bërë vlerësim të disa pasurive në kundërshtim me rregulloren për menaxhimin e pasurisë. Ministria nuk ka nxjerr procedura të brendshme për menaxhimin e pasurisë siç parashihet në Rregulloren për menaxhimin e pasurisë. Deri në fund të auditimit, komisioni për inventarizim ende nuk kishte kryer harmonizimet me zyrtarin e pasurisë. Inventarizimi nuk kishte përfshirë tokat dhe pyjet publike që janë pronë e MBPZhR-së. Kryeshefi i AZhB-së kishte formuar një komision për inventarizim tjetër nga ai që ishte themeluar nga Sekretari i Përgjithshëm. Në anën tjetër, Komisioni i formuar me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm kishte bërë vlerësim financiar të disa pasurive. Sipas Auditorit këto veprime nuk janë në pajtim me Rregulloren për menaxhimin e pasurive.

“Ministri duhet të iniciojë shkrimin e procedurave të brendshme për menaxhimin e pasurisë për të siguruar një menaxhim efektiv të tyre në pajtim të plotë me rregullat. Procedurat e brendshme duhet të përcaktojnë qartë rolet dhe përgjegjësitë e stafit lidhur me menaxhimin e pasurive në mënyrë sistematike”, thuhet në rekomandim.

Probleme sa i përket procedurave të brendshme për menaxhimin e pasurisë ishin evidentuar edhe në vitin 2017. Ministria ende nuk kishte nxjerrë procedura të brendshme për menaxhimin e pasurisë siç parashihet me Rregullore. Kryeshefi i AZhB-së kishte formuar komision të veçantë për inventarizim nga ai që ishte themeluar sipas vendimit të SP-së, si dhe të dhënat e dala nga ky raport nuk ishin harmonizuar me të dhënat e MBPZhR-së.

“Ministri duhet të shtyjë procesin për hartimin e procedurave të brendshme për menaxhimin e pasurisë dhe të siguroj një menaxhim efektiv në pajtim me rregullat. Poashtu, duhet të sigurojë që komisioni i themeluar nga SP për inventarizim të shtrijë veprimin në gjithë ministrinë dhe të ofrojë një raport të plotë në pajtim me rregulloren mbi menaxhimin e pasurisë”, thuhej në rekomandimin e vitit 2017.

Ministria nuk respektoi kriteret gjatë vlerësimit të tenderëve. Tek kontrata për ‘’Renovimin – mirëmbajtjen e rrugëve pyjore në Blinajë’’ në vlerë prej 49,390 euro, nuk ishte plotësuar kriteri i përcaktuar në dosjen e tenderit. Sipas dosjes së tenderit tek kapaciteti teknik dhe profesional ishte kërkuar që udhëheqësi i punishtes të jetë inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë, drejtimi konstruktiv, infrastrukturë rrugore, derisa OE fitues kishte prezantuar si udhëheqës të punishtes një inxhinier të diplomuar të arkitekturës.

“Ministri duhet të sigurojë se kontratat lidhen me OE të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit”, thuhet në rekomandimin e raportit të auditimit në 2017.

Mbi 1 milionë euro borxh për qiranë e tokave bujqësore

Auditori ka gjetur se qiramarrësit e tokave bujqësore jo vetëm se nuk merreshin me bujqësi, por edhe nuk i kryenin obligimet e parapara me kontratë ndaj Ministrisë.

Toka bujqësore mund t’u jepet me qira personave fizik dhe juridik, vendas dhe të huaj të cilët merren me veprimtari bujqësore. Auditori ka vërejtur se në 16 raste, qiramarrësit e tokave bujqësore nuk kanë ushtruar veprimtari përkatëse. Përveç kësaj, 12 prej tyre, nuk kishin paguar vlerën e obligimeve totale ishte 1,286,290 euro. Sipas kushteve të kontratës pagesa e obligimit duhet të bëhej deri me datën 10 të çdo muaji vijues.

“Ministri duhet të sigurojë që dhënia në shfrytëzimin e tokave bujqësore bëhet vetëm në përputhje me kriteret e parapara me ligj, si dhe duhet siguruar që të ndërmerren hapa lidhur më arkëtimin e borxheve të vjetra”, ka rekomanduar Auditori në 2017.

Sipas rregullores të Ministrisë së Financave për shpenzimin e parave publike, të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore duhet të paguhen brenda 30 ditëve. Por në raportin e auditimit për vitin 2017, thuhet se në katër raste kishte tejkalim të këtij afati nga 20 ditë deri në pesë muaj. Po ashtu, nga faturat e paguara në vitin 2018 (periudha janar-mars) për obligimet e vitit 2017 janë identifikuar nëntë fatura në vlerë totale 10,829 euro që nuk ishin të prezantuara në PFV si obligime të vitit 2017.

“Ministri duhet të siguroj se ekzekutimi i pagesave bëhet në përputhje me afatet kohore të përcaktuara me rregulloren, si dhe të gjitha obligimet të prezantohen drejtë në raportin e obligimeve”, theksohej në rekomandimin e Auditorit në vitin 2017.

Anulimi i projekteve gjysmë milionëshe

Me rishikimin e buxhetit për vitin 2017 janë anuluar dy projekte në vlerë prej 600 mijë euro dhe ka pasur shkurtime buxhetore për projekte të tjera. Gjatë vitit është paraqitur nevoja për shumë përshtatje në buxhet për shumicën e kategorive të shpenzimeve. Kjo ka ndodhur për shkak se mjetet e buxhetit nuk janë shpenzuar sipas planit të rrjedhës së parasë.

Për vitin 2017, me buxhet fillestar ishte paraparë realizimi i 15 projekteve kapitale me vlerë totale 4,972,668 euro, mirëpo me rishikim të buxhetit ishin larguar dy projekte në vlerë 600 mijë euro, si rezultat i mos realizimit të tyre. Katër projekte në vlerë 3,052,668 euro kanë pësuar shkurtime buxhetore në vlerë 653,488 euro pas rishikimit buxhetor.

Realizimi i buxhetit për investime kapitale ishte 94%, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit apo 72% e tij ishte shpenzuar në tremujorin e fundit të vitit. Buxheti për mallra dhe shërbime ishte rritur sipas kërkesave të Ministrisë, mirëpo shpenzimi ishte vetëm 2,416,802 euro apo 60% e buxhetit final. Sipas Auditorit, arsyeja e nivelit të ulët të shpenzimit ishte se ndryshimet buxhetore kishin ndodhur në fund të vitit. Ministria kishte shpenzuar 1,360,542 euro, nga subvencione jo publike, mirëpo 1,088,058 euro apo 80% e këtyre mjeteve ishin shpenzuar për kodet e pagesave direkte, pasi që ministria kishte mungesë të mjeteve në kodet përkatëse.

“Ministrit duhet të siguroj që hartimi i buxhetit është mbështetur mbi një analizë të detajuar të të gjithë faktorëve që ndikojnë në realizimin e buxhetit pa diferenca të theksuara mes planifikimit dhe shpenzimit të mjeteve”, vazhdon rekomandimi i vitit 2017.

Problemet me ushtrues detyre

Në vitin 2016, menaxhimi i personelit është përcjellë me disa sfida. Pesë pozita udhëheqëse kanë qenë duke u mbajtur me Ushtrues Detyre që nga viti 2014. Mbajtja e pozitave me UD për më tepër se tre muaj është në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil.

Numri i pozitave të punës në Ligjin e Buxhetit është për 25 të punësuar më i lartë se numri i pozitave të përcaktuara me rregulloren e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës. Me Ligjin e Buxhetit janë aprovuar 32 pozita në Institutin Bujqësor të Kosovës ndërsa kjo nuk është paraparë me rregullore dhe tetë sektorë menaxhues në APK, të aprovuar me rregullore, që nga viti 2014 ende nuk janë funksional.

Po ashtu pozita e Zyrtarit Çertifikues në APK nuk është specifikuar në rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës. Sipas Auditorit, këto dallime janë rezultat i vonesave në rekrutimin e planifikuar të punonjësve dhe mos rishikimit të rregullores krahas rrethanave të krijuara.

“Ministri duhet t’i rishikojë shkaqet për dobësitë në menaxhimin e personelit. Duhet të ndërmerren veprime efektive për ta adresuar organizimin e brendshëm dhe procesin e rekrutimit për pozitat e lira dhe ato me ushtrues detyre duke siguruar harmonizim me rregulloren për sistematizimin e vendeve te punës”, thotë rekomandimi i vitit 2016.

Në vitin 2017, në raportin e auditimit thuhet se dy nga departamentet që funksionojnë aktualisht në kuadër të ministrisë, Instituti Bujqësor i Kosovës dhe Njësia për të Drejtat e Njeriut nuk janë të parapara me këtë rregullore.

Sipas Ligjit të Buxhetit për vitin 2017, MBPZhR kishte të aprovuara 392 pozita, me rregulloren e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës ministria kishte paraparë vetëm 329 pozita, ndërsa në fund të vitit ishin mbuluar 377 pozita.

“Ministri duhet të konsideroj mundësinë për inicimin e ndryshimit/përshtatjes së rregullores me rrethanat e reja në mënyrë që për departamentet e mbetura jashtë rregullores të përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë”, vazhdon rekomandimi i vitit 2017.

Gjatë vitit 2017-të, janë evidentuar mangësi si nënshkrimi i kontratave pa autorizim dhe ushtrim i detyrës jo në pajtim me ligjin. Në bazë të nenit 1 të kontratës së punës për kohë të pacaktuar, thuhet se marrëdhënia e tyre e punës lidhet në mes te Sekretarit të Përgjithshëm (punëdhënësit) dhe zyrtarëve (punëmarrësve). Në 11 raste, Auditori ka vërejtur se kontratat janë nënshkruar nga Menaxheri i personelit pa ndonjë autorizim nga sekretarit të .

Tutje Auditori ka përmendur në raport se pozita e lirë në shërbimin civil është mbajtur me ushtrues detyre më gjatë se tre muaj.

“Ministri duhet të siguroj që çdo marrëdhënie pune e lidhur brenda ministrisë të nënshkruhet nga Zyrtari Kryesor Administrativ si dhe për pozitat me ushtrues detyre, përmes procesit të rekrutimit t’i plotësojë me punonjës të rregullt”, theksohet në rekomandim.

Punësimi i 38 punonjësve pa procedura të rekrutimit

Ministria e Bujqësisë për vitin 2017 kishte të angazhuar 38 punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta, pa procedurë të rekrutimit. Në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës, këto i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për to duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Të njëjtit ishin angazhuar në punë para nënshkrimit të marrëveshjes për punë, që është në kundërshtim me nenin 8 të kësaj marrëveshje, ku specifikohet se marrëveshja për punë hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.

“Ministri duhet të siguroj se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen me procedura rekrutuese sipas kërkesave ligjore. Dhe se, angazhimet e stafit në punë të bëhen vetëm sipas marrëveshjeve të nënshkruara”, thotë rekomandimi i vitit 2017.

Po ashtu në vitin 2017, Auditori ka gjetur se janë realizuar pagesa që nuk janë në përputhje me vendimet dhe kontratat. Në 29 raste është vërejtur se të punësuarit si roje objekti, pastrues, punëtorë fushor, teknik fushor, roje pylli, marrin shtesën SHCK (30€) derisa marrëdhënia e tyre e punës rregullohet në bazë të Ligjit të Punës. Gabimi financiar për vitin 2017 ishte 10,230 euro.

Në APK ishin angazhuar katër zyrtarë me kontratë për Shërbime të Veçanta, ku përveç pagës bazë kanë marrë edhe shtesën prej 30 euro të SHCK. Në 10 raste të tjera është vërejtur se edhe pas aprovimit nga DASHC/MAP për ngritjen e koeficienteve nga 4.5 në 5 për pozitën: Roje pylli, gjueti dhe peshkim, tek të punësuarit në akt emërim koeficienti ende vazhdon të jetë 4.5 ndërsa në listë të pagave kanë koeficientin 5.

“Ministri duhet të siguroj që janë shqyrtuar rastet e identifikuara dhe të marrë masat e nevojshme për të siguruar se kompensimi i pagave për stafin e MBPZHR bëhet konform buxhetit të paraparë dhe në përputhje me vendimet e Qeverisë dhe kontratave të nënshkruara”, theksohet në rekomandimin e vitit 2017.

Ministria e mban evidencën e të hyrave me “Excel”

Në vitin 2015 Auditori kishte gjetur se edhe përkundër rekomandimit të ZAP-it, Ministria dhe APK nuk posedon softuer për regjistrimin dhe raportimin e të hyrave vetanake. Të dhënat manuale ekzistuese përpunohen dhe përcillen në format të programit ‘Excel’ apo të ndryshme. Sipas raportit të auditimit, në shumë raste, të dhënat e kontabilitetit, përfshirë detajet e mbledhjes dhe bilancet e bartura nga viti paraprak mund të mos janë regjistruar siç duhet.

 “Ministri duhet të sigurojë vendosjen e një sistemi të përshtatshëm të regjistrimit, që mbështet mbledhjen dhe menaxhimin e të hyrave. Një vlerësim duhet të bëhet bazuar në kompleksitetin e njohur të operacioneve ekzistuese, për ta përcaktuar nëse kjo duhet të bëhet me anë të softuerit”, thuhet në rekomandim.

Çalimi në adresimin e rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm

Auditori ka gjetur dobësi në sistemin e Auditimit të Brendshëm gjatë vitit 2016 dhe vitit 2017.

Në raportin e auditimit thuhet se përkundër ekzistimit të Njësisë për Auditim të Brendshëm efektiv, Auditori ka identifikuar disa dobësi që ndërlidhen me operacionet aktuale të Auditorit të Brendshëm. Sipas raportit të NjAB-së, vetëm 42 nga 74 rekomandimet e dhëna nga NjAB ishin zbatuar plotësisht nga menaxhmenti, 27 janë në proces të zbatimit ndërsa 5 ende nuk janë adresuar.

Sipas Auditorit, edhe pse Komiteti i Auditimit gjatë vitit 2016 ka mbajtur dy takime, kualiteti i tyre dhe kontributi i Komitetit të Auditimit në përgjithësi nuk ishte në nivelin e duhur dhe nuk i ka shtuar vlerë përmirësimeve në qeverisje dhe kontrollin e brendshëm të organizatës.

 “Për të arritur përfitimin maksimal nga aktiviteti auditimit të brendshëm, Ministri duhet të sigurojë një Komitet të Auditimit efektiv i cili rishikon në mënyrë kritike planet dhe rezultatet e auditimit të brendshëm. Gjithashtu duhet të rishikojë veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të auditimit” , thotë rekomandimi i vitit 2016.

Problemet me Auditorin e Brendshëm kanë vazhduar edhe në vitin 2017. Komiteti i Auditimit nuk ishte funksional gjatë vitit 2017, siç kërkohet me udhëzim administrativ për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të auditimit. Po ashtu Auditori ka gjetur se rekomandimet e Auditorit të Brendshëm janë zbatuar rreth 54% nga ana e menaxhmentit, ose vetëm 42 rekomandime janë zbatuar nga 77 sa janë dhënë, 30 janë në proces dhe pesë janë të pa zbatuara. Në raportin e auditimit të vitin 2017 thuhet se situata është e njëjtë sikur në vitin e 2016 sa i përket zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga AB.

“Ministri duhet të sigurojë funksionimin e Komitetit i Auditimit, i cili duhet t’i rishikoj rezultatet e auditimit të brendshëm dhe veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e auditimit të brendshëm”, thuhet në rekomandim